E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Bolero në vilën e pleqve”, botohet në frëngjisht

TIRANE - Duket se ky ka qenë një vit i mbarë për Kongolin. Pas botimit muajin e kaluar në Spanjë të romanit “I humburi”, i katërti libër i këtij autori në gjuhën spanjolle, tani sapo është vënë në qarkullim, kësaj here në Francë, një nga romanet më të goditur dhe më të vlerësuar të Fatos Kongolit nga lexuesit shqiptarë, “Bolero në vilën e pleqve”.

 Ashtu si romanet e tjerë pararendës të botuar në frëngjisht, edhe ky i fundit është përkthyer nga zoti Edmond Tupja, “Bolero në vilën e pleqve” është romani i tetë radhazi i këtij shkrimtari botuar nga e njëjta shtëpi botuese në Paris, “Rivages”. Dy pleq, në një vilë, dhe një infermiere që kujdeset për ta. Në aktin e fundit të jetës, pleqtë i shkruajnë letra njëri-tjetrit, të cilat i zhdukin pa lënë gjurmë, ndërsa infermierja përpiqet më kot t'i shtjerë në dorë. Botën e mbyllur të vilës e trazojnë kohë më kohë doktori i familjes, njeri qejfli, hokatar dhe i paparashikueshëm; djali i pleqve, bos i një firme të fuqishme ndërtimi, me gruan e tij të re e të bukur; vajza e madhe e pleqve, gjyqtare e rreptë; një femër enigmatike, po aq e bukur, veshur gjithmonë me të zeza, etj. 

Duke na sjellë me këtë libër prozën e tij më të përkryer, Kongoli, përmes rrëfimit të infermieres, zbulon misteret e saj, dramat e personazheve, me ndërlikimet, dëshirat e fshehura, në një mjedis shpesh të egër, të pamëshirshëm, ku femra është më e pambrojtura.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›