E Diel, 1 Nëntor 2026

“E humba djalin e vetëm, vetëm se e përjashtuan nga shkolla”

Sinan Daçi, babai i 14-vjeçarit të vrarë Fatos Daçi, kërkon drejtësi ndërsa fajëson shkollën ku mësonte i biri. Dhimbja në familjen që jeton në skamje i kalon kufijtë. I zoti i shtëpisë ishte në Kosovë ku punon si bari, kur e njoftuan për tragjedinë familjare. E shoqja është e sëmurë, ndërsa tri vajzat e tij, njëra e martuar, një tjetër studente dhe e treta gjimnaziste, qajnë humbjen e vëllait të tyre të vetëm.

Sinan, si e morët vesh lajmin për vrasjen e djalit?

Isha në Kosovë. Në pamundësi për të gjetur një punë këtu, shkova të punoja në Gjilan. Më morën në telefon të nisesha urgjent, sepse gruaja ishte sëmurë. Ajo është vërtet e sëmurë dhe u nisa. Nuk më shkonte mendja çfarë mund të kishte ndodhur. Vetëm kur mbërrita këtu e kuptova. Pashë që dyert ishin hapur dhe përjashta kishte shumë njerëz, por prapë nuk më shkonte mendja te djali. Pastaj më thanë se kanë vrarë Fatosin. Ishte djali i vetëm.

Çfarë dini për ngjarjen, çfarë ka ndodhur atë ditë?

Fatosi kishte dalë rreth orës 11:00 nga shtëpia. Ishte në gjumë dhe e kishte ngritur nëna e tij. Pasi kishte ngrënë pak bukë, kishte dalë nga shtëpia si çdo ditë. Rrinte te një internet këtu në lagje. Siç më tha një shoku i tij që kishte qenë së bashku me të në momentet që e vranë, kishin bërë llafe me këtë djalin që unë nuk e njoh. Ai ishte më i madh në moshë dhe e kishte sharë, por Fatosi ia kishte kthyer me të njëjtën gjuhë. Ai ishte nxehur dhe i kishte thënë të afrohej, por djali nuk kishte pranuar. Në ato momente autori i është afruar dhe e ka qëlluar me thikë në gjoks. Ngjarja ndodhi të hënën, në orarin kur Fatosi duhej të ishte në mësim.

Pse nuk kishte shkuar ai në shkollë?

Fatosin prej dy vitesh, kur ishte në klasë të gjashtë, e përjashtuan nga shkolla. Drejtori i shkollës “Bajram Curri”, Artan Malasi, e përjashtoi nga shkolla dhe nuk e pranonte më. E takova disa herë që ta kthente djalin prapë në shkollë, por ai nuk pranoi. Më tha se nuk do ta merrte më në shkollën e tij dhe t’i gjeja një shkollë tjetër. E përjashtuan me pretekstin se ishte i rrëmujshëm. Po sa rrëmujë mund të bënte një fëmijë në moshën e tij që nuk e përballonte dot shkolla? Po mos ta kishin përjashtuar nga shkolla, djali im do të ishte gjallë sot.

A ju kishte paralajmëruar njeri për sjelljen e djalit tuaj në shkollë? Ju kishin thirrur ndonjëherë si prind?

Asnjë nuk më ka thënë gjysmë fjalë. As mësuesja kujdestare dhe as vetë drejtori. E përzunë dhe e hodhën në rrugë sikur të ishte leckë. Dhe ja çfarë ndodhi… Fëmija ishte i detyruar të shoqërohej me persona më të mëdhenj dhe të endej gjithë ditën rrugëve, pasi nuk kishte ku ta kalonte kohën. Shkolla nuk duhet të përjashtojë fëmijë, por të punojë me ta për t’i edukuar dhe për t’iu dhënë njohuritë e duhura.

Çfarë kërkoni nga drejtësia për autorin?

Te drejtësia nuk kam besim, pasi jam djegur edhe më parë nga ajo. Unë dua që autori të marrë dënimin e merituar. Dy vjet më parë unë shpëtova 5 jetë, por përfundova vetë në burg. Bëra 4 muaj burg. Po drejtoja një betoniere dhe për të shmangur një aksident, ku mund të kishin vdekur 5 femra që ndodheshin në një makinë që po vinte përballë, devijova. Dola nga rruga dhe lëndova lehtë një kalimtar. Gjykata më dënoi pa më thërritur asnjëherë./Panorama/Indeksonline/ 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›