“Epopeja e Zhegocit” periudhë e dhimbjes , dhe sakrificës për liri

Epopeja e Lavdishme e “Betejës së Zhegocit”, është shënuar me dinjitet. Pasi janë bërë homazhe te Varrezat e Dëshmorëve në Gjilan, manifestimi qendror është mbajtur në Zhegoc, ku kanë marrë pjesë shumë autoritete të vendit.
Kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi ka thenë se “Beteja e Zhegocit” dhe ajo e Marecit janë dy beteja dhe luftëra të rëndësishme të UÇK-së. “Këto beteja dhe këta dëshmorë që sot po i përkujtojmë na obligojnë edhe më shumë që të jemi më të angazhuar për t`i quar gjërat përpara” tha Thaçi, transmeton rajonipress.
Kurse kreu i komunës Qemajl Mustafa tha se “Beteja e Zhegocit” është njëra nga betejat e shumta të UÇK në hapësirën e Kosovës dhe më gjerë në të cilën sikur edhe kahdo tjetër ranë dëshmorë vajzat e djemtë tanë të cilët e kishin ndarë mendjen esull dhe plotësisht që të luftonin për lirinë e shqiptarëve edhe me çmimin që vetë të mos e përjetonin dhe të mos e gëzonin atë liri. .
Mustafa tha se të tillë ishin dëshmorët Pajazit Ahmeti, Alban Ajeti, Hanumshahe Abdullahu, Tefik Zymberi e shumë të tjerë që krah për krah e guximshëm ranë në këtë betejë e që e ndoqën shembullin e mirë të të gjithë kolosëve pararendës nëpër historinë tonë të lavdisë e të qëndresës që nga periudha e Skënderbeut nëpër rilindjen tonë kombëtare, nëpër Lidhjen e Prizrenit, nëpër shumë përpjekje sporadike por krenare e deri te lufta e lavdishme dhe më e bashkuara e shqiptarëve gjatë shekullit që shkoi e që ishte lufta e UÇK.
Ishte kjo vazhdimësi e rënieve të njerëzve të shumtë të kësaj ane për një shekull e më shumë e që vazhdoi me rëniet si ajo e Kadri Zekës me vëllezërit Gërvalla, si ajo e Rexhep Malës, Nuhi Berishës, Zija Shemsiut, si rënia e Agim Ramadanit, Abdullah Tahirit, Muharrem Ibrahimit e shumë e shumë të tjerëve e që në këto vite pat kulmuar me rënien unikate, titanike e të papërsëritshme të familjes legjendare të Adem Jasharit.
Mustafa tha se kjo luftë përfundimisht i tregoi botës që belaja me Serbinë po vazhdonte në një dimension më të madh se kurdoherë dhe kjo po shndërrohej edhe në tragjedi kolektive për shqiptarët dhe për rajonin por, i tregoi gjithashtu po kësaj bote demokratike se shqiptarët e kishin ndarë mendjen që me çfarëdo çmimi dhe përfundimisht ta shporrnin Serbinë nga këto hapësira që përherë ishin tonat për t’i zotëruar dhe ndërtuar sot me dijen, me vullnetin dhe me energjinë e mundin e tyre.
Ndërsa, ish komandanti i Zonës Operative të Karadakut Ahmet Isufi tha se rreshtimi i këtyre të rënëve kundër armikut shekullor, ishte rreshtim për lirin që ne të gjithë sot po e gëzojmë.“ Ideali i tyre kishte qëllimet e veta edhe jashtë kufijve të Kosovës, ngase mjaftë keq janë shqiptarët në Luginën e Preshevës. Andaj gjaku i derdhur i dëshmorëve të rënë në luftën për liri ka bërë të mundur që ne të jemi këtu ku jemi sot”, ka thënë Isufi.
Ahmet Daku nga Shoqata e veteranëve të UÇK-së tha se gjithnjë ishim të përgatitur që krahas kushteve dhe rregullave demokratike e ndërkombëtare ta mbronim shtetin tonë. “Se është kështu u dëshmua shpallja e Pavarësisë së Kosovës dhe shteti që është duke u ngritur ngadalë krahas shteteve të tjera”, ka thënë Daku. /Indeksonline/