LDK ende e hapur për koalicion parazgjedhor me AAK-në

Lidhja Demokratike e Kosovës është ende e hapur për AAK-në e Ramush Haradianjt. Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa, ka thënë se subjekti i tij politik mbetet i hapur për ndonjë koalicion parazgjedhor më AAK-në, por sipas tij, kjo e fundit duhet t’i definojë gjërat saktë se me kë dëshiron të ofrohet, raporton ktv.
Megjithatë, kryetari Mustafa ka thënë se secila parti politike, që futet në koalicion parazgjedhor me LDK-në, do të garojë nën firmën e kësaj të fundit. Në përpjekje për t’i bashkuar forcat, drejtuesit e Partisë Demokratike Boshnjake kanë zhvilluar një takim me kryetarin e LDK-së, Isa Mustafa.
Kryetari i Partisë Demokratike Boshnjake, Rasim Demiri, ka thënë se kanë kërkuar mbështetje nga LDK-ja për procesin e decentralizimit, i cili, sipas tij, parasheh krijimin e komunave me shumicë boshnjake. Ndërkohë, sipas tij, në takim është diskutuar për reformën zgjedhore dhe përafrimin e qëndrimeve për proceset politike./Indeksonline/