E Diel, 1 Nëntor 2026

“Gërdeci”, mungojnë të pandehurit, shtyhet seanca

TIRANE-Seanca e radhës për gjyqin Gerdeci e parashikuar për ditën e sotme në orën 10:00 është shtyrë për në datën 24 Qershor.
Shkak për shtyrjen e seancës së sotme u bë mungesa e të pandehurve Mihal Delijorgji, Ylli Pinari dhe të pandehurve të tjerë.
Gjyqtari Ridvan Hado theksoi se edhe pse personat e lartpërmendur kanë dijeni për datën, orën dhe zhvillimin e gjyqit, ata sërish nuk janë paraqitur në seancë.
Prokurorët ë cështjes kërkuan shtyrjen e seancës dhe pezullimin e afateve për të pandehurit me arrest shtëpie, Mihal Delijorgjin, Ylli Pinarin, Dritan Minxollin e Sokol Ngjecin.

Mungesat e vazhdueshme nga ana e avokatëve dhe të pandehurve në cështjen Gërdeci janë kthyer në shqetësim të vazhdueshëm, jo vetëm për palëne dëmtuar nga tragjedia e Gërdecit, por edhe nga ana e ndërkombëtarëve.

Para pak ditësh, kreu i OSBE-ODIHR, Eugen Wollfarth bëri apel ndaj sistemit të drejtësisë të marrë masa për të shmangur mungesat e vazhdueshme në gjyqin Gërdeci, pasi kjo, sipas tij po shkakton abuzim të rëndë me drejtësinë në vend dhe me besimin tek ky sistem.

Nga tragjedia më e rëndë e periudhës post-komuniste në Shqipëri, ajo e Gërdecit tashmë kanë kaluar 3 vjet. Më 15 mars të vitit 2008 në fshatin Gërdec, 15 km larg nga Tirana shpërtheu fabrika e demontimit të armëve. Nga shpërthimi gjetën vdekjen 26 persona, me të cilëve gra e fëmijë, ndërsa u shkatërruan dhjetra banesa e biznese ndërsa u plagosën mbi 300 të tjerë.

Gjyqi për shpërthimin tragjik të fabrikës së demontimit në Gërdec që mori jetën e 26 njerëzve të pafajshëm, prej më shumë se një viti po zhvillohet në gjykatën e Tiranës.
Mes 29 të pandehurve në këtë proces, të akuzur si përgjegjës kryesorë janë ish- bosi të Albademil Mihal Delijorgji, Dritan Minxolli ish- drejtor i fabrikës së demontimit në Gerdec, Ylli Pinari ish kreu i MEICOS dhe Sokol Ngjeci ish mbikqyrësi i MEICO-s. Të gjithë të pandehurit sot gjykohen në gjëndje të lirë.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›