E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Honi” që na ndan e bashkon

TIRANE - Nga honi i politikës po na vijnë këto ditë ububura të padëgjuara: “Berisha është një kryeministër normal që i përket një vendi normal, një demokracie normale parlamentare”. Ose, edhe më tej “përpjekja për ta paraqitur Berishën si një kundërshtar anormal, lufta ndaj të cilit përligj të gjitha anormalitetet e tjera, në të vërtetë tregon se sa anormale është opozita”…”Ne kemi një “qeverisje të kufizuar”, pikërisht si e do demokracia “normale”…(Gazeta “MAPO”, dt. 12 mars). Kam dëgjuar dikur për “sovranitet të kufizuar”; por për herë të parë po dëgjoj se “qeverisja e kufizuar” qenkësh si kusht paraprak për një demokraci normale!
Por si, kur dhe ku po e ushtron Berisha këtë të bekuar “qeverisje të kufizuar”? Ose, për të folur më juridikisht: a ka ndonjë pushtet të pavarur që guxon të ushtrojë kontroll mbi qeverisjen e mbi bëmat e Berishës, duke përfshirë këtu jo vetëm opozitën, po edhe gjykatat, bashkë me Prokurorinë e Përgjithshme? Në cilën Bashki ku qeveris opozita, Berisha nuk ka bllokuar miratimin e projekteve dhe buxheteve? Po media, bashkë me opinionin publik e shoqërinë civile a ushtrojnë ndonjë farë kontrolli a ndikimi mbi “qeverisjen e kufizuar” për të ndalur e shmangur padrejtësitë e thikëshme sociale, paudhësitë e arrogancën e shtetarëve, shkeljet e njëpasnjëshme të Kushtetutës, trafikun e armëve, trojeve apo së fundi edhe të naftës “virgjine”? Po parlamentarizmi i topallizuar tejembanë a funksionon tek ne nëpërmjet respektit për pakicën dhe dëgjimit të zërit të saj?...Këto e të tjera pyetje retorike lindin nga kërkesat minimale për një demokraci sadopak normale; e megjithatë le të përgjigjet secili me sinqeritetin që e lyp vetvetja: vërtet kemi ne një kryeministër normal të një qeverie normale?A thua vërtet bashkëjetojmë në një shoqëri normale, e cila meriton të quhet edhe demokratike? Përse shumë shqiptarë po ndërrojnë emrin, shtetësinë e kombësinë? Ngaqë shteti i tyre u siguron (ose jo) edhe mirëqenie, dhe drejtësi, edhe punësim, edhe rend, edhe arsimim, edhe shëndetësi?
Është e qartë: kërkohet me çdo mënyrë të legjitimohet moralisht jo vetëm qeverisja e sotme, po veçanërisht kreu i saj, Berisha. Me kalimin e moshës e për shkak të mbetjes gjatë në pushtet, Berisha po ndjen rrezikun e anormalitetit që e ndjek pas si hije, që kur hodhi hapat e para në politikë. Prandaj teoritë e “normalitetit” i lipsen vetëm atij/atyre që kërkojnë e besojnë se “i ndjek historia”. Shumëkujt këto përpjekje u duken një mision i (pa)mundur. Trysnia e papërballueshme e propagandës, kur na thuhet përditë e pa pushim se ne po jetojmë jo vetëm të lumtur, po edhe në një demokraci funksionale, besohet se do të shërbejë që të shpëlahen trutë e shumicës së popullsisë, duke na ndarë në dy kahje të honit politik, duke na përçarë edhe më, duke na hedhur kundër vetes, kundër njërit-tjetrit, kundër shansit historik të vendit…Këmbëngulja e “normalitetit” besohet se do të vlejë në zgjedhjet e ardhshme që ne me votë, symbyllur të përkrahim sherr-politikën e kryetarëve të partive që na kanë lënë në ngërç, që krerët të vetëvendosën më kollaj mbi interesat tona, që të mbeten edhe më gjatë në pushtet, paçka se ky lloj mashtrimi me “normalitet”, nga qytetarët normalë, vështirë se do të kapërdihet, qoftë edhe si një kafshatë mjerimi…Po sa janë në Shqipëri qytetarët normalë që nuk e hanë këtë “qeverisje të kufizuar” e që për këtë shkak janë të prirur të besojnë se tek ne edhe demokracia është normale?

Nëse lufta e shumicës për mbijetesë mund të quhet normalitet, atëherë ç’mund të thuhet për Gërdecin, për përmbytjet e Shkodrës, për falimentimin e gjyqeve ku përfshihen autoritetet e larta, për pasurimin e pa shembull të pushtetarëve e farefisnisë së tyre, për shkallën e lartë të mos ndëshkueshmërisë, për shkatërrimin e pronave dhe aseteve publike, si dhe për mbetjen më të fundit në procesin e integrimit, etj etj? Sa më sipër konsiderohen veprimtari normale, sepse “kështu e ka demokracia”, sepse kudo ka korrupsion dhe shpërthime, sepse “honi”, pas konfliktit të papajtueshëm e të pashtershëm mes dy “armiqve”, mes dy partive, mes dy liderëve, mes gjithë fakirfukarenjve militantë domosdoshmërisht ka për të na sjellë, në ditët e ardhme, edhe bashkim, edhe demokraci, edhe mirëqenie, edhe normalitet, edhe stabilitet?!
Këtë synoi të mbillte edhe diktatura për gati gjysmë shekulli, por më në fund dështoi! Me të njëjtin stil kërkohet që edhe tash ta vështrojmë “me sy normaliteti” Berishën dhe ekipin e tij. Synohet të bindemi, të ulim kokën, të pajtohemi, pas bombardimit me fjalime “suksesesh e arritjesh” herë në qeveri, herë në grupin parlamentar, herë nëpër sheshe katundesh, si dhe me përsiatje normal-analistësh, se kryeministri po sillet si një “burrë shteti” i një shoqërie që ndërkaq funksionon jo vetëm normalisht, por edhe demokratikisht…Ky lloj “bari” na serviret së fundi, habitërsht edhe nga ndonjë diplomat perëndimor. Nuk ka ditë të mos na thuhet justifikimi: “kështu e ka demokracia, korrupsion ka kudo, edhe në SHBA…”, ose: populli ynë “nuk ka tradita e as kulturë të mjaftueshme demokratike”, ndaj këtë lloj lideri jo më kot e adhurojmë, por edhe e votojmë!Sipas pikëpamjeve të kësollojta shoqëria shqiptare, morali dhe ekonomia e saj jo vetëm që po funksionojnë më se normalisht (kanë madje ritmet më të larta në Evropë!), po fakti që Berisha ende nuk ka shtënë në duar të gjitha institucionet e pavarura, qënka jo vetëm një meritë e padiskutueshme e tij, po edhe një tjetër arritje e “demokracisë tonë të brishtë”!Ky po që është një tjetër zbulim “analitik”!
Pra, meqë Berisha, pavarësisht nga përpjekjet e tij të pareshtura, nuk ka mundur të shkelë me thundrën e vet të gjitha pushtetet (madje disa syresh i paska kundër!), kjo është “shenjë demokracie”, normaliteti, zhvillimi, sigurie, standardi, pjekurie, përparimi!...Në një shoqëri normale e demokratike mund të ketë qytetarë anormalë, por kurrsesi nuk mund të mbijetojnë kaq gjatë, mbi 20 vjet, udhëheqës anormalë që pasi shkaktojnë vrasjet e Gërdecit, pas një viti dalin e thonë: shikoni, gërdecarët më votuan mua; ndërsa pas tre vjetësh: shikoni si i prita në zyrën e qeverisë familjet e viktimave, sa u preka dhe si kërkova që Drejtësia të… të ndëshkojë sa më shpejt fajtorët! Ku dhe kur mund të ketë ndodhur një tallje e kësaj përmase?
E pikërisht në këtë atmosferë “normaliteti” virtual na thuhet se Berisha nuk është, nuk mund të quhet e as mund të bëhet një Gadaf, jo se këtë ai nuk e dëshiron e nuk e ëndërron, por se nuk mundet! Nuk mundet se tashmë “institucionet” në Shqipëri me demek funksionojnë normalisht e mëvetësisht nga ekzekutivi, nga komanda e Njëshit! Duhet konsideruar sukses, pavarësisht nëse kemi mbetur në buzë të honit, që Berisha, edhe pse ngulmon e herë pas here bën të pabërën, nuk ka vënë dot nën hyqëm Presidentin e Republikës, kryetarin e SHIK-ut, Prokuroren e Përgjithshme, etj, pra, e thënë më shkoqur, nuk ka mundur të bëhet një Gadaf falë mirëfunksionimit të demokracisë, shoqërisë civile, medias dhe institucioneve të pavarura! Medemek Berisha i sotëm nuk ka lidhje me Berishën ish President, e kjo falë tij, por edhe “pjekurisë së demokracisë tonë”…
Pas këtij zbulimi të hatashëm natyrshëm lind pyetja: po sikur Berisha t’i kishte vënë edhe këto pushtete nën kontroll? Ku, ku ç’kishte pas me na gjet! Vetëm se ky “fati ynë” gjithsesi nuk e justifikon, as nuk e “natyralizon” dot një lider që nuk lë gur pa lëvizur për të mbetur i pazëvendësueshëm! Nuk ka shqiptar që nuk e kupton se Presidenti, kryeprokurorja e kryetari i SHIK vërtet nuk mund të quhen më “ushtarë” të tij, madje mund të jenë edhe “armiq” pas sulmeve të paskrupullta të Berishës, por ama asnjë syresh nuk ka as fuqi, as mundësi dhe as takat të verë me shpatulla pas murit, le më thërresë të pandehur jo vetëm Berishën, po as të tijtë, qoftë edhe për shpifjet që ky ka bërë ndaj tyre! Nuk ka kurrkund demokraci normale aty ku nuk ka Drejtësi normale e Drejtësi normale ka vetëm aty ku janë të barabartë të gjithë qytetarët, ata që kanë pushtet dhe ata që kanë vetëm çelësat e kashtës!
Një gjasme demokraci nuk mund të quhet demokraci normale;një demokraci e denatyruar ngjason më kobsjellëse se një diktaturë e shpallur; sepse diktaturat e kanë një “nesër”, ngaqë kanë një mundësi shprese, revolte e përmbysje, ndërsa gjasme demokracitë e vendeve të ish Lindjes të tipit Kazakistan po sjellin e po mbjellin asfiksi, paralizë e zhgënjim me metoda “demokratike”, duke i bërë qytetarët të ndjehen jo vetëm të pafuqishëm, por edhe fajtorë pa faj për zgjedhjet e bëra me “duart e veta”…Ndërsa në diktaturë mund të ketë qytetarë e popuj të dorës së dytë, në një botë demokratike kjo quhet e pamundur, kurrsesi një sjellje e pranueshme, aq më pak normale! Ndërsa në diktaturë thuhej me Kushtetutë ‘mos fol kundër, se rrasesh në burg’, sot me Kushtetutë thuhet ‘fol sa të duash kundër, por ama mos harro të kthesh kokën prapa!’…
Politika e “sovranitetit të kufizuar” ose si po na thuhet tani e “ qeverisjes së kufizuar” që mbante dhe ende mban nën sqetull regjimet diktatoriale e autarkike nuk dështoi së fundi vetëm në Lindjen e Mesme, por ka dështuar më së pari edhe në shumë vende të Amerikës Latine, ku përkraheshin e sponsorizoheshin regjimet ku gjeneralët trashëgonin jo vetëm pushtetin politik, por edhe gradat e gjeneralit…Historia ka provuar mëse një herë se nuk mund të ketë stabilitet afatgjatë aty ku mungojnë, ose ku cenohen standardet! E pra, pyetja që lind natyrshëm është kjo: sa e saktë është hipoteza që po na thuhet aq ngulshëm ditët e fundit, sidomos pas 21 Janarit e para zgjedhjeve të 8 Majit se “Berisha është një udhëheqës normal që i përket një vendi normal demokratik”, dhe a mos nënkupton kjo se ne i meritojmë kësi udhëheqësish, prandaj nuk duhet të qahemi, të protestojmë e ta quajmë gabim historik nëse do të votohen sërish këta anormalë “me referendum”?
Dilema kësaj here është e thiktë. Mjerë ata që nuk e kuptojnë se një fitore “e merituar” e Berishës më 8 Maj do të zhdukte me “referendum” nga përdorimi edhe fjalët “standard”, “normalitet”, madje edhe “qeverisje e kufizuar” e këtë, -le të hamendësoj-, mos lipset shumë kulturë dhe mend për ta kuptuar?! E pra, në këto zgjedhje nuk janë kapur mat dy krerët, por ne qytetarët. Kjo është çështja që e ka shfytyruar sistematikisht normalitetin qeverisës në një anormalitet të pakufizuar e, pse jo, edhe të pakontrolluar!
(GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›