E Diel, 1 Nëntor 2026

“Kateri i Radës”, familjarët kërkojnë pezullimin e çmontimit të anijes

TIRANE - Familjarët e viktimave të Otrantos kërkojnë pezullimin e punës për çmontimin e anijes “Kateri i Radës” dhe ndërtimin e monumentit përkujtimor në Shqipëri. Përmes një kërkese, drejtuar Bashkisë së Otrantos, familjarët e viktimave theksojnë qëndrimin e tyre kundër ndërtimit të monumentit në Itali.

Një ditë më parë, mediat italiane bënë të ditur se ka nisur copëtimi i anijes shqiptare ‘Kateri i Radës’, për ndërtimin e monumentit në kujtim të viktimave të Otrantos. Aktualisht është shkëputur pjesa e sipërme e anijes, që do të përdoret për veprën e artit në Otranto, e ideuar nga skulptori grek Costas Varotsos. Monumenti në kujtim të 81 viktimave të tragjedisë së 28 marsit 1997 pritet të përurohet më 29 dhjetor.

Në tragjedinë e 28 marsit të vitit 1997, gjatë udhëtimit për në Itali me anijen “Kateri i Radës” me 115 persona në bord, si pasojë e përplasjes me anijen ushtarake italiane “Sibila”, u mbytën 81 persona, mes të cilëve 46 gra dhe fëmijë. Prej tyre, 57 trupa u kthyen, ndërkohë që 24 rezultojnë të zhdukur dhe 34 të mbijetuar.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›