E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenti, Meta: Do konsultohemi me PD, por është ende herët

TIRANE - Kryetari i LSI-së Ilir Meta deklaroi se partia e tij do të konsultohet me Partinë Demokratike dhe forcat e tjera të koalicionit qeverisës, për kandidaturën e presidentit të ardhshëm të vendit. Në një konferencë për mediat, Meta theksoi se është ende herët për të folur për një kandidaturë të mundshme.

“Nuk dua t’i jap më shumë rëndësi sa çfarë i takon çështjes së Presidentit, aq më tepër kur jemi ende herët. Është një president tjetër në mandatin e tij. LSI në kohën e duhur do të mbajë qëndrimin e saj dhe do të konsultohet me Partinë Demokratike dhe forcat e tjera politike bazuar në këtë marrëveshje koalicioni”,- deklaroi Meta.

I pyetur nga gazetarët nëse LSI-ja do të vendosë kushte për sistemin zgjedhor, Meta theksoi se partia e tij do të insistojë në ndryshimin e sistemit elektoral.
“Qëndrimi ynë për reformën zgjedhore është parimor. Modeli spanjoll i reformës nuk është i përshtatshëm” ,- deklaroi Meta.

Kryetari i LSI-së përshëndeti qytetarët shqiptarë me rastin e 1-vjetorit të hyrjes së fuqi të vendimit të BE-së për liberalizimin e vizave.

(er.nu/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›