E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shtohen temat e dialogut teknik

PRISHTINE-Arritja e Marrëveshjes për menaxhimin e integruar të kufirit ia ka shtuar shpresat BE-së që nëpërmjet dialogut teknik të arrihen më shumë zgjidhje.
Diplomatë ndërkombëtarë kanë shpjeguar për “Kohën Ditore” nëse trajtimi i menaxhimit të kufirit si çështje teknike është treguar si metodë e suksesshme dhe në bazë të kësaj, dialogu teknik do të mbetet i hapur edhe për një kohë, të paktën deri sa Serbia të përfundojë zgjedhjet, të cilat do të mbahen në muajt e parë të vitit të ardhshëm.

Dialogu teknik ka qenë e planifikuar të mbyllej kur palët, krahas marrëveshjeve të arritura, të pajtoheshin edhe për telekomin, energjinë dhe përfaqësimin rajonal të Kosovës. Ndërsa çështja e menaxhimit të kufirit ka hyrë në agjendë, pas zhvillimeve në veri të Kosovës.

Suksesi në këtë çështje ka nxitur zyrën e lehtësuesit Robert Cooper që brenda këtij viti të vendosë kontaktet me grupet punuese të palëve që do të merren me zbatimin e marrëveshjeve. Ndërsa, Edita Tahiri dhe Borislav Stefanovic nuk do të takohen deri në janar të vitit të ardhshëm për të diskutuar temat e mbetura.

Por, Cooper ka menduar, që krahas tre temave për të cilat ende nuk ka marrëveshje, dialogut t’i shtohen edhe çështje të tjera.

“Çështja e hapësirës ajrore mund të jetë njëra nga temat, ndonëse këtu duhet mbështetja e NATO-së. Një temë tjetër është trashëgimia kulturore e cila është diskutuar në një takim, por nuk është zhvilluar më tej”, i ka thënë gazetës një burim ndërkombëtar. Sipas të njëjtit zyrtarë, telekomi, energjia dhe bashkëpunimi rajonal mbeten prioritet dhe nuk përjashtohen tema edhe të tjera.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›