E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kathimerini”, Rama: Qeveria po e rrezikon marrjen e statusit kandidat

TIRANE - Në një intervistë të dhënë pak ditë më parë për të përditshmen greke “Kathimerini”, lideri i opozitës, Edi Rama ka akuzuar qeverinë se e rrezikon Shqipërinë në marrjen e statusit të vendit kandidat në Bashkimin Europian.

“Në parim ne jemi në gjendje të zhvillojmë zgjedhje të ndershme dhe të lira. Dhe jo vetëm kaq. Por ju e dini se në çfarë mënyre u mbajtën zgjedhjet në Tiranë në vitin 2011, një proces që nuk ishte aspak i besueshëm. Është e rëndësishme për ne që BE të miratojë statusin e vendit kandidat për vendin tim por për të shkuar deri aty duhet të realizohen reforma të veçanta që lidhen me zgjedhjet, mënyrën e funksionimit të jetës parlamentare dhe më gjerë. Dhe për fat të keq unë duhet të them, nëse ju nuk e dini, që tashmë dy herë BE ka refuzuar kërkesat për qeverinë shqiptare”, - është shprehur Rama mes të tjerash.

I pyetur mandej se sa e ka prekur vendin tonë, kriza ekonomike botërore, kreu i PS-së tha se “Shqipëria nuk është prekur ndjeshëm. Kjo për shkak se ekonomia shqiptare është ende relativisht një ekonomi e ‘mbyllur’. Edhe tani një pjesë e madhe e lëvizjes së fondeve bazohen në para të gatshme. Kjo na ka mbrojtur të paktën deri më sot.

Ne konstatojmë se një pjesë e madhe e ekonomisë sonë bazohen në paratë e dërguara nga shqiptarët që jetojnë dhe punojnë jashtë vendit, kryesisht në Greqi dhe Itali. Ne gjithashtu kemi një sektor privat i cili nuk prodhon por mbështetet mbi importet, duke çuar në rritjen e çmimeve. Papunësia është mjaft e lartë.

Vlerësohet zyrtarisht në 13 për qind por ne mendojmë se shifra është shumë herë me lartë se 13 për qind”, - është shprehur mes të tjerash lideri i PS-së.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›