E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Kronikë në gur” e Kadaresë, në Rumanisht

TIRANE - Shtëpia Botuese prestigjioze “Humanitas” në Rumani ka hedhur në treg dy romane të shkrimtarit të madh shqiptar Ismail Kadare, “Cronica in piatra”/ “Kronikë në gur” të inkorporuar me “Vremea nebuniei”/ “Çështje të marrëzisë” dhe romanin “Spiritus” të përkthyer nga shkrimtari dhe përkthyesi i veprës së Ismail Kadaresë në rumanisht, Marius Dobresku. Lexuesi dhe shtypi rumun vazhdojnë të çmojnë përsëtejmi Ismail Kadarenë, si “një nga shkrimtarët e mëdhenj të Europës së sotme”, si “një shkrimtar me famë botërore”, si “një nga zërat më të fuqishëm të letërsisë bashkëkohore europiane”. Studiuesit dhe shtypi rumun çmon në mënyrë të posaçme dhe përkthyesin e veprës së Kadaresë, Marius Dobresku, për “përkthimin besnik, plot ngjyrime dhe me një gjuhë të pasur”. Marius Dobresku nuk është vetëm një njohës i gjuhës shqipe, i stërhollësive të saj, por dhe një njohës i shkëlqyer i historisë dhe kulturës shqiptare, i konstitucionit shpirtëror të shqiptarëve. Këto janë arsyet përse përkthimet e Marius Dobreskut gëzojnë aq popullaritet në radhët e lexuesve rumunë, por dhe për faktin që ka marrë çmime kombëtare për cilësinë e përkthimit të Kadaresë në gjuhën rumune. “Një meditim melankolik mbi kapriçot e historisë dhe kërdinë e kohës, që shpërbën familje dhe shkërmoq realitete në pamje të parë të pandryshueshme, “Kronikë në gur” ndjek shortin e një qyteti të gurtë (Gjirokastrës) në malet e jugut të Shqipërisë, muret e këtij qyteti të dridhura nga pushtimet e njëpasnjëshme të cilat i sjell Lufta e Dytë Botërore...Duke gërshetuar stilin poetik me rrëfimin inteligjent, “Kronikë në gur” është një roman i përpunuar dhe i sofistikuar; impakti i thellë jepet nga ankorimi në një qytetërim europian patriarkal”. 33 vjet pas suksesit të romanit “Kronikë në gur”, Kadare imagjinon vazhdimin e tij në mikroromanin “Çështje të marrëzisë”, përmes zërit të pangatërrueshëm të adoleshentit nga romani i parë, i cili regjistron të keqen që solli komunizmi. I vetmi refugjim mbeten historitë.

(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›