E Diel, 1 Nëntor 2026

“Mbetem i juaji me besë” (VIDEO)

(E plotësuar)Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka mbajtur një fjalim prekës para deputetëve të Kuvendit të Kosovës. Rama foli për një bashkim union mes dy vendeve për ta kthyer kufirin Kosovë-Shqipëri një vijë të padukshme.

Gjatë fjalës, Kryeministri i Shqipërisë vuri theksin tek sistemi i unifikuar i arsimit nga parashkollor deri në universitet. Krijimin e një strategjie mbarëkombëtare për bujqësinë dhe krijimin e një grupi të përbashkët pune për bashkim doganor.

Rama theksoi se mes dy vendeve duhet të nënshkruhet një traktat miqësie dhe fqinjësie të mirë. Ndërsa për projektin e gazsjellësit TAP, u shpreh se projekti duhet të ketë dhe një degëzim në Kosovë. Sa i takon gazsjellësit TAP, Rama nuk i kurseu fjalët e mira as për paraardhësin e tij, Sali Berisha.

Duke e cilësuar marrëveshjen Kosovë-Serbi me vizion dhe kurajë, Rama u shpreh se ajo do të hapë një kapitull të ri në rajon. Kryeministri i Shqipërisë nënvizoi se mes Kosovës dhe Serbisë duhet të ndërtohet një marrëdhënie mirëbesimi që duhet të nisë nga respektimi i pakicave në të dy vendet.

Kreu i Partisë Socialiste e nisi fjalën e tij duke cituar Rexhep Qosen dhe në fund e mbylli me fjalët: “Mbetem i juaji me besë”. /Indeksonline/

----

Kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi, në emër të qytetarëve të Kosovës i ka uruar zgjedhjen Edi Ramës si kryeministër i Republikës së Shqipërisë.

“Do të jetë një mundësi e re që ne edhe më tutje ta thellojmë bashkëpunimin. Ministrat e Qeverise Rama, do të takohen me homologët e tyre nga Kosova, qe ato marrëveshje që kanë qenë të hapura të konkretizohen sa më shpejt”, tha kryeministri Thaçi, në një konferencë të përbashkët me kryeministrin e Shqipërise Edi Rama.

Thaçi ka besim të plotë se Qeveria Rama, do të luaj rol të veçantë në arritjen e njohjeve për shtetin e Kosovës.

“Ne gjithashtu me Ramen biseduam për marrëdhëniet që ka Kosova me vendet e rajonit. E falënderova kryeministrin e ri për mbështetjen që i ka dhënë Shqipëria dialogut për normalizim të marrëdhënieve Kosovë-Serbi”, tha Thaçi.

Të dy kryeministrat kanë biseduar për të gjitha sferat, politike, ekonomike e kulturore, që përvojat e mira të dy vendeve të barten tek njëra tjetra.

“Me theks të veçantë biseduam që edhe Kosova të kyçet në gazsjellësin TAP”, ka thënë kryeministri i Kosovë.

Në pyetjet e gazetarëve për Thaçin se, kryeministrin e Shqipërisë e quajti mik, ndërsa kryeministrin turk Erdogan e quajti vëlla, u përgjigj vetë Rama duke thënë se, Thaçin e ka mik e vëlla, prandaj edhe vëllai i Thaçit (Erdogani) është edhe vëlla i im, tha duke u qeshur Edi Rama.

Thaçi i bishtnoi përgjigjes në këtë pyetje duke folur për miqësinë e hershme ndërmjet tij e Ramës dhe duke mos quajtur atë miqësi ideologjike por miqësi bashkëpunimi për shqiptarët.

Edi Rama tha se, marrëveshja Kosovë-Seri e ka mbyllur përfundimisht historinë e përgjakshme mes këtyre vendeve. Si një histori që paqja do të sjell një zhvillim ekonomik dhe social.

“Kryeministri Thaçi me njoftoi në mënyrë detaje për marrëveshjen e arritur në Bruksel”, ka deklaruar Rama.

Ai tha se, me Thaçin kanë biseduar edhe rreth mundësisë për një bashkëqeverisje strategjike.

“Jemi pajtuar që të takohemi me mbledhje të përbashkëta për të mirën e dy vendeve. Mbledhja e parë mes dy qeverive do të nis në nëntor”, ka pohuar Rama.

“Unë e shoh Kosovën sot si një shtet 5-vjeç që ka çka t’i mësoj shumë shtetit 101 vjeçar”, ka thënë Rama.

-----

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka arritur në Kosovë. Ai është pritur nga homologu i tij, Hashim Thaçi me një ceremoni shtetërore. Për nder të tij, në sheshin Skënderbe u rreshtua Garda e Nderit dhe u intonuan himnet e dy vendeve. 

Pas përfundimit të ceremonisë shtetërore dy kryeministrat hynë në ndërtesën Qeverisë dhe aty filluan bisedimet  të cilat do të përfundojnë me një konferencë të përbashkët shtypi që është paraparë të mbahet në orën 11.

Rama do të pritet edhe nga Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

....................

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama së bashku me një delegacion të lartë nga Republika e Shqipërisë do ta vizitojnë sot Kosovën. Ai do të pritet nga homologu i tij, Hashim Thaçi me një ceremoni shtetërore. Ndërsa, Kuvendi i Kosovës, me rastin e vizitës së kryeministrit Rama do të mbajë një seancë solemne.
Kryeministri Rama, në mëngjesin e ditës së sotme nuk ka hezituar të jap edhe emocionet që ka për vizitën e parë jashtë vendit si kryeministër.

“Për Kosovë! Me emocion të posaçëm për vizitën e parë si kryeministër - me përgjegjësinë e madhe të fjalës para Kuvendit të Kosovës në 12.00”, ka shkruar Rama në Facebook-un e tij.

Pas pritjes shtetërore, në sheshin “Skënderbe”, pritet të mbahet takimi bilateral i delegacioneve të Qeverisë së Kosovës dhe atij të Shqipërisë, ku pastaj të dy kryeministrat do t’i drejtohen mediave.

Rama do të pritet edhe nga presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga dhe kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi.

Kurse në mesditë me një fjalë rasti, Rama do t’i drejtohet deputetëve të Kuvendit të Kosovës në një seanca solemne.

Ndërkohë, ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, do të pres në një takim njoftues Ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Tregtisë dhe Sipërmarrjes të Republikës së Shqipërisë, Arben Ahmetaj.

Ndërsa, ministrja e Integrimeve Vlora Çitaku do të takohet me ministren e Integrimit Evropian të Republikës së Shqipërisë, Klajda Gjosha, transmeton KP.

Kurse, ministri i Infrastrukturës, Femi Mujota do të takohet me ministrin e Transportit dhe Infrastrukturës, të Shqipërisë, Edmon Haxhinasto.

Po ashtu, është paraparë që ministri i Zhvillimit Ekonomik, Fadil Ismajli të takohet me ministrin e Energjisë dhe Industrisë të Republikës së Shqipërisë, Damian Gjiknuri. E, ministrja e Arsimit dhe e Sportit e Shqipërisë , Lindita Nikolla, do të takohet me ministrin e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë, Ramë Buja.

Në orët e pasdites është paraparë të takohen edhe ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi dhe homologia e tij nga Shqipëria, Mirela Kumbaro-Furxhi. /Indeksoline/  

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›