“Miss Shqipëria” kaloi nën hije

Përzgjedhja e më të bukurës së Shqipërisë, kaloi nën hije, pasi ngjarje kryesore e ditëve të fundit ishin zgjedhjet në vend.
Mbrëmja e 22 qershorit, e ka kthyer parkun kombëtar të Bylisit në një skenë gjigante, ku protagoniste kryesore ishin konkurrentet e “Miss Shqipëria”. Bukuroshet shqiptare shpalosën hiret e tyre mbi skenën elegante të ndërtuar në këtë mrekulli të natyrës, kaq pak të eksploruar nga shqiptarët, tek e cila vetëm një njeriu si Petri Bozo mund t’i shkonte mendja për ta promovuar.
Spektakli, që u transmetua drejtpërdrejt në valët e TVSH, e çeli siparin me një sfilatë të 31 konkurrenteve, me veshje të modës së viteve ‘80 e deri tek ajo e ditëve të sotme. Më tej skena iu la gazetarit Enkel Demi, i cili moderoi në mënyrë të shkëlqyer mbrëmjen gala.Në skenë performuan disa nga emrat më të njohur të muzikës shqiptare, ndërkohë që anëtarët e jurisë së këtij viti, emra të rëndësishëm në artit, kulturës, medias etj., ndanë disa fasha fituesesh. Mes artistëve të ftuar veçojmë interpretimet e goditura të “Lynx”, Ylli Baka, Devis Xherahu, Eliza Hoxha etj.
“Miss”-i 17-vjeçarja Fiorenca Lekstakaj ka qenë ajo që ka rrëmbyer kurorën e më të bukurës shqiptare, mbrëmjen e 22 qershorit në Bylis. Mes 31 konkurrenteve të ardhura nga të gjitha trevat shqiptare, brenda dhe jashtë kufijve, por edhe vendet perëndimore ku jetojnë prej vitesh, bukuroshja që jeton në Firence ka arritur të dallojë, duke fituar kurorën e ëndërruar. Vajza brune, me një bukuri tipike mesdhetare, mes emocioneve, lotëve dhe përqafimeve të mikeshave të saj të reja ka vënë mbi kokë kurorën e bukurisë, e cila e shndërron në të njëjtën kohë edhe në përfaqësuesen shqiptare në disa evente ndërkombëtare të bukurisë, ekskluzivitet i “Deliart Association”.
Shoqëruesja e parë u shpall Anita Mehmeti, ndërsa shoqëruesja e dytë e “Miss Shqipëria”, Meriola Terpo.
Pozimi para fotografëve i treshes fituese i ka dhënë fund në orët e vona të së dielës, edicionit të 15-të të “Miss Shqipëria”, i cili këtë vit u organizua në Bylis mbi një skenë gjigante, por qe i mungoi vemendja. /Indeksonline/