“Ndëshkim ligjor për ata që hapën panik. Ndihmë nga Mali i Zi për Bunën”

Të gjithë ata persona të cilët kanë përhapur panik te qytetarët e Shkodrës për përmbytje, do të marrin një ndëshkim shembullor. Kjo ishte deklarata që bëri paraditen e djeshme Kryeministri Berisha nga Shkodra, teksa inspektonte zonën e prekur nga përmbytjet e ditëve të fundit. Gjatë kësaj vizite, kreu i qeverisë theksoi faktin se situata tashmë ishte nën kontroll dhe se përhapja e panikut nuk mund të tolerohej.
Berisha “Në 3-4 ditë është katërfishuar sipërfaqja e përmbytur. Kanë qenë mbi 2 ha sipërfaqe dhe sot kemi 10500 ha sipërfaqe të përmbytura”
Por Kryeministri theksoi se ishte e nevojshme që banorët e zonave të prekura nga përmbytja të vazhdonin evakuimin e tyre, për të pasur të sigurt jetën. Për situatën e përmbytjeve në Shkodër, Berisha sqaroi se po merreshin masa për të pasur bashkëpunim me vendet fqinje si Mali i Zi, në mënyrë që të normalizohej shkarkimi i lumit Buna.
Situata
Kryeministri Berisha deklaroi dje se situata në zonat e përmbytura ishte ende e vështirë, por ishte tërësisht nën kontroll nga ana e autoriteteve përgjegjëse. Po kështu, Berisha nënvizoi faktin se edhe ana teknike e digave ishte në rregull dhe tërësisht e menaxhueshme. “Nuk them se situata nuk është e vështirë, pa diskutim që është situatë serioze, por është e tëra në kontroll në territoret e përmbytura. Digat, portat e gjithçka janë në kontroll të plotë dhe ato funksionojnë shumë-shumë mirë”, konfirmoi Kryeministri. Nisur nga kjo, ai theksoi se aktet e pamoralshme të bëra nga disa persona për të përhapur panik për përmbytje në qytetin e Shkodrës do të merrnin dënimin e merituar.
“Aktet e djeshme ishin shumë të turpshme. Kishte njerëz që përhapnin panik në qytet. Unë kërkoj nga organet kompetente që t’i gjejnë, t’i identifikojnë dhe le të marrin një ndëshkim shembullor”, u shpreh Berisha. Por përveç apeleve për kontrollin e situatës, kreu i qeverisë kërkoi evakuimin sa më parë për banorët të cilët ishin vendosur në zona ku kishte nis përmbytja. “Dua t’ju bëj thirrje banorëve në këto zona, të largohen nga çdo banesë në rrezik.
Dua t’i siguroj se qëllimi ynë kryesor është jeta e njerëzve, shëndeti i tyre, pastaj dëmet e tjera ne do t’i kompensojmë plotësisht”, premtoi Berisha. Kreu i qeverisë mori pjesë edhe në mbledhjen e komitetit ndërministror të emergjencave të mbajtur në qytetin e Shkodrës, ku u njoh edhe nga afër me situatën në zonat e mbuluara nga uji.
Ndihma
Kreu i qeverisë kërkoi dje që të shikohej mundësia e një ndërhyrjeje në lumin Bunë, nisur edhe nga fakti se zonat përreth saj gjithmonë vuajnë nga përmbytjet. Sipas Berishës, duhet të bëhen studime dhe të përcaktohet thellësia, për të parë nëse vërtet ka probleme disnivelesh në thellësi dhe në qoftë se faktohet se ka derdhje. Nisur nga kjo, Berisha deklaroi se ai i kishte kërkuar ministrit të Jashtëm, Ilir Meta, të komunikojë me Malin e Zi dhe po të jetë nevoja edhe me Kroacinë për të marrë ndihmë. Kreu i qeverisë deklaroi se qeveria shqiptare e ka të siguruar edhe mbështetjen e palës italiane në lidhje me të gjitha nevojat që ajo do të ketë për përballimin e kësaj situate.
“Mbrojtja Civile Italiane është e gatshme për ndihmë. Këtu është këshilltari kryesor i Kryeministrit Berluskoni për energjetikën, është njëkohësisht dhe kryetari i Komitetit të Digave në Itali”, deklaroi Berisha. Sipas tij, një zgjidhje e mirë është edhe vendosja në Shkodër e komisionit ndërministror.