E Diel, 1 Nëntor 2026

Prurjet rrezikojnë shembjen e urës. OSSH ndërpret energjinë

Edhe pse me prurje më të pakta, rritja e Fierzës nuk ka ndërmend të ndalet. Strategjia që po ndjek KESH synon minimizimin e derdhjeve në lumë për të shmangur përmbytjet, por nga ana tjetër ruajtjen e niveleve në hidrocentrale për të evituar katastrofat. Gjatë ditës së djeshme, niveli i liqenit të Fierzës është rritur me rreth 30 cm, edhe pse prurjet kanë rënë me afro 500 metër kub/sekondë. Ndërkaq, autoritetet u tremben reshjeve në fundjavë, megjithatë ato parashikojnë një situatë më të zbutur për shkak të shkrirjes së borës. Nga ana tjetër, KESH konfirmon sigurinë që japin portat e derdhjes në hidrocentralin e Fierzës, duke hedhur poshtë pretendimet se njëra nga to nuk është në gjendje optimale.
“Shqip” mëson faktin se KESH ka kryer një testim, duke hapur portën numër 3 (pjesa e remontit). Rezultati ishte pozitiv dhe konfirmon garancinë që jepet në rast se do të nevojitet hapja e kësaj porte. Specialistë të ndryshëm deklaruan se porta nr. 3 ka probleme për shkak të indiferencës së treguar nga qeveria shqiptare. Ndërkohë, ministri i Energjetikës ka vijuar me daljet publike duke paraqitur situatën me prurjet dhe shkarkimet në lumenj.
Prifti theksoi se, “edhe pse sot pasdite dhe gjatë mbrëmjes (dje) parashikohen reshje ato nuk do të ndikojnë fuqishëm në kaskadën e Drinit, pasi shumica e borës ka shkrirë”. Gjatë ditës së djeshme, Fierza ka arritur në nivelin e 292.5 metrave, në Koman regjistrohet niveli 172.9 metra, 90 centimetër më i ulët se dy ditë më parë, ndërsa Vau i Dejës regjistron thellësinë 74.85 metra, rreth 20 centimetra më pak se një ditë më parë. Ministria theksoi se shkarkimet nga tre hidrocentralet do të vazhdojnë. Duket se ka një stabilizim të prurjeve, pavarësisht se janë akoma në 1100 m3 sek, por ka një rënie në krahasim me 24-orët e fundit që ka qenë 1800 m3 sek, kurse shkarkimet nga Fierza janë 660 metër kub/sekondë.
Shkarkimi i detyruar i ujit nga liqeni i Fierzës ka dëmtuar urën mbi lumin Drin. Mësohet se forca e ujit ka dëmtuar njërën korsi të urës, konkretisht krahun e djathtë të drejtimit Fierzë-Koman.  Uji që del nga tuneli në afërsi të urës, rreth 500 m larg kullës së hidrocentralit ka krijuar një vorbull gjigante në Drin nga ku ngrihen dallgë të fuqishme, që godasin vazhdimisht këmbët dhe trupin e urës. Ajo është gërryer në pjesën e poshtme, ndërkohë që janë dëmtuar disa prej paneleve dhe në mes të saj është hapur një gropë e madhe, duke ndaluar qarkullimi i automjeteve mbi këtë urë.
“Automjetet, kryesisht ato të vogla, nuk mund të kalojnë për shkak të ujit, i cili nga vërshimi, ngrihet lart dhe krijon një re të madhe që e pengon shikimin, ndërsa automjetet e rënda i kemi ndaluar për faktin se, ende nuk e dimë me saktësi se në ç’masë është dëmtuar ura”, u shpreh kreu i policisë së Qarkut Kukës. Në urën e dëmtuar në Fierzë kalojnë mjetet dhe njerëzit që udhëtojnë në linjën me traget nga Komani në Fierzë dhe anasjelltas, si dhe një numër fshatrash të Pukës dhe Tropojës.
Nga ana tjetër, OSSH për të shmangur rrezikun si rezultat i rritjes së nivelit të ujit ka bërë shkëputjen e 38 kabinave në 6 nënstacione, të cilat të gjitha së bashku furnizonin 932 abonentë. Sipas informacioneve të marra nga dega e OSSH-së në Shkodër, në nënstacionin e Dajçit nëse uji rritet edhe 5 cm atëherë arrin kuotën ku duhet bëre stakimi i këtij nënstacioni në të cilin janë rreth 1700 abonentë ose rreth 6000 banorë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›