Prishtina dëshiron të ndërtojë zgjatimin e rrugës Durrës-Kukës
Tenderi për ndërtimin e autostradës Vërmicë-Merdare nuk ka përfunduar ende, por sipas gazetës kosovare, “Koha Ditore”, e cila u referohet burimeve konfidenciale, konsorciumi “Bechtel-Enka” pritet të shpallet fitues. Autostrada që pritet të kushtojë 600 deri në 1 miliard euro, konsiderohet si vijim i rrugës patriotike Durrës-Kukës në Shqipëri dhe do të lidhë kufirin e Shqipërisë me Serbinë dhe Korridorin PanEuropian nr.10. Konsorciumi që njihet se ndërtoi autostradën shqiptare me një kosto dy herë më të lartë nga vlerësimet fillestare, konkurron me kompaninë austriake “Strabag”.
“Konsorciumi amerikano-turk, ‘Bechtel-Enka’, është favorit për të fituar projektin e ndërtimit të autostradës Vërmicë–Merdar”, shkruante dje “Koha Ditore”. Oferta e këtij konsorciumi është për afro 500 milionë euro më lirë sesa ajo e kompanisë hungareze “Strabag”, sipas kësaj gazete.
Qeveria e Kosovës ka tërhequr rreth 200 milionë euro fitime nga postë-telekomunikacioni i Kosovës për të paguar këstin e parë të shpenzimeve për ndërtimin e kësaj autostrade, si dhe ka përcaktuar si një nga kushtet kryesore të tenderit, fillimin sa më të shpejtë të punimeve. Konsorciumi amerikano-turk ka në këtë rast avantazh, për shkak se pati krijuar asete pune në Shqipëri, të cilat sot i ka të gatshme për t’i zhvendosur në Kosovë. Pavarësisht se Kosova njihet si fushë, projekti i autostradës parashikon tre tunele dhe 20 ura. Shpallja e fituesit pritet të kryhet brenda këtij muaji.