E Shtunë, 31 Tetor 2026

“OKB: Shqipëria e 2-a në botë për transparencën e prokurimeve”

TIRANë- "Organizata e Kombeve të Bashkuara rendit Shqipërinë të dytën në botë për transparencën e prokurimeve në vend", tha sot, Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike.
Duke e konsideruar këtë një lajm shumë të rëndësishëm, Kreu i Qeverisë theksoi se "OKB me agjencitë e saj ka renditur të dytin në botë sistemin e prokurimeve publike në Shqipëri".
"Janë dy vende që kanë sistemin e prokurimeve 100 për qind elektronike, Singapori dhe Shqipëria. Ndërsa vendet e tjera e kanë në përqindje të ndryshme nga 20 në 80 për qind", tha Kryeministri Berisha.
Ai e konsideroi këtë një arritje madhore historike, në përpjekjen e Shqipërisë për të luftuar korrupsionin në këtë vend. "Vendi që 5 vite më parë ishte ndër më të korruptuarit e planetit për prokurimet, sot vlerësohet si vendi i dytë në botë përsa i përket transparencës së këtij procesi", tha Kryeministri Berisha.
Sipas Kryeministrit, "në vjeshtën e vitit 2008, qeveria vendosi të trajnojë të gjitha autoritetet kontraktuese të vendit për të proceduar me prokurimet elektronike, ndërsa prokurimet manuale u ndaluan tërësisht nga 1 janari 2009".
Arritja e një standardi të tillë, sipas Kreu të Ekzekutivit, "është një inkurajim i madh në betejën tonë kundër korrupsionit".
Në përfundim, ai siguroi se "shumë shpejt të gjitha blerjet e vogla dhe ankandet do të jenë elektronike, si forma më transparente e punës”.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›