E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Revolucioni Beatles” - “Beatles revolution”

Se kënduam ‘Let it be’ ndaj do rronim të përgjuar! Këto janë fjalët e një kënge të kënduar me pasion dhe mallëngjim nga këngëtari Sherif Merdani. Ai u burgos sepse këndonte, e përmes saj donte të takonte lirinë, të paanë, njerëzore, me dimensione humane! Si askund tjetër, në Shqipëri, bash në hyrje të viteve ‘70-të të shekullit të kaluar, u burgos një festival kënge, sepse “ideologjia e huaj” kishte infiltruar edhe në artin tonë! Një marrëzi shembullore, që kur e gjykon sot është e denjë të përdoret për të aplikuar në librin e “Rekordeve Guiness.” Në këtë libër shkruhet se “Paul McCartney është muzikanti më i suksesshëm dhe kompozitori më i suksesshëm në historinë e muzikës pop. Ai është shëmbëllimi më i mirë i muzikës kurioze moderne.” Nuk e di ky ish-Beatles, se në një vend europian të vogël, të izoluar dhe diktatorial, muzika e tyre mbërriti me ato valë tektonike të shpirtit, ndjenjave dhe mënyrës së jetesës, duke e përfshirë edhe atë në “Beatles Revolution”! Madje, dishepujt e tyre ishin djem dhe vajza të shkolluar që njihnin treshen e shquar Bach-Bethoven-Brams dhe që, si të gjithë të rinjtë e botës krijuan 4 B-të, duke shtuar pranë tyre edhe Beatles-at! Ndokush mund të mendojë se ky është një ekzagjerim, por se më shumë se i tillë, ky ka qenë një anticipim që buroi nga ndjeshmëria, u ushqye nga filozofia e ndryshimit, u motivua nga liria dhe gjeti jehonat e harmonisë me revolucionet e tjera të kohës, si “revolucioni i rinisë”, “revolucioni feminist”, “revolucioni seksual”! Në 50-vjetorin e Beatles, kritika e specializuar nuk pengohet të shkruajë se “Paul McCartney është një titan i muzikës pop, një mendje mjeshtërore e muzikës. Është i vetmi prej Beatles-ave që kompozon vepra të një shkalle të lartë si pjesë simfonike, korale, dhe për balet! I pasionuar ndaj zhanreve të ndryshme të muzikës dhe si i “bekuar” në një lehtësi teknike, ai shkoi shumë larg. Punoi herë i vetëm por herë të tjera me bashkëpunëtorë të shquar si Michael Jackson, Stevie Wonder, Elvis Castello. Kur i afrohet të 50-tave, McCartney realizoi punë të gjera për orkestër dhe kor si “Liverpool Oratorio”. Në vitin 2011-të realizoi muzikën e baletit “Osean’s Kingdom”. Ndërkohë që ai ishte duke punuar me Liverpool Oratorio, ai riaktivizoi një interes për muzikën eksperimentale elektronike duke mos u vetëpenguar për të bashkëpunuar me producentë të rinj të ambienteve të ndryshme të kësaj lloj muzike. Edhe më parashikuesit ndoshta nuk do të mund të parashikonin se ‘djemtë e Liverpulit’ do të mbërrinin deri këtu. Por se të rinjtë, si në Ishull-Britaninë e Madhe ashtu dhe në Europë, në Lindjen Komuniste dhe në Perëndim, u frymëzuan prej tyre. Ata priteshin jo thjesht si muzikantë por si misionarë të një fryme të re. E gjithë kjo shpreh qartë se bota kishte vendosur të ndryshonte dhe “ingredienti” ishte gjetur, muzika. Nga fekondimi i Kujtesës, (njëra nga gratë e Zeusit) me Zeusin lindën nëntë muzat. E para prej tyre ishte muzika! Apolloni kur donte të ndërtonte themelet e qytetërimeve për të unifikuar materialet si “çimento” hidhte muzikën. Vetëm ajo mund t’i bashkonte të gjithë përbërësit. Platoni kumtonte se nuk mund të ndryshohet Kushtetuta e një vendi pa ndryshuar muzikën e atij vendi. Le ta lexojmë sot, se bota nuk mund të ndryshojë pa i ndryshuar asaj muzikën.
Në hyrje të stadiumit olimpik në Olimpian e vjetër në Greqi, janë 7 dhomat e zërit, të cilat krijojnë një harmoni të mrekullueshme tingëllore, aq sa të gjithë atletët që bëheshin gati të hynin në stadium, magjepseshin prej saj deri në frymëzim. Muzika që do të kumtonte vite më vonë një mendje pjellore e aforizmit modern dhe paradoksit, Oscar Wilde, është krejt e veçantë sepse nuk e shpreh kurrë sekretin e saj të fundit. Ajo është e pambarueshme, do të ishte një transkriptim i drejtpërdrejtë i këtij përfundimi. A mund të realizojë muzika një revolucion?! Mendoj se po. Në kuptimin social,- çka është edhe një dimension i revolucionit,- ata edhe sot pas 50 viteve kanë fansat e tyre, madje të të gjitha brezave. Revolucioni ndryshon mentalitetet dhe muzika e tyre e realizoi këtë me dimensione të një universalizmi të kohëve moderne. Jo vetëm në veshje, në sjellje, në pamjen e jashtme, por se të gjitha bashkë krijuan një mënyrë të kuptuari të botës jashtë konformizmit dhe apatisë. Në këtë kuptim, “The Beatles” mund të konsiderohen si “Misionarë të Revolucionit të Frymëzimit”! Revista prestigjioze “News week”, në një dalje speciale përkujtimore (është diçka e rrallë sepse i gjithë numri prej 100 faqesh u kushtohet vetëm atyre), në njërin nga komentet e shumta shkruan: “Ata ishin magjistarët e parë me të vërtetë globalë, duke vendosur standarde të reja për çdo gjë që ndodhte. Fenomeni “Beatles”, shpesh është përshkruar si një “eksplozion”, një Big Bang, që e pati origjinën në qytetin e tyre të lindjes Liverpul, i cili thërrmoi inaktivitetin e kulturës popullore të asaj kohe, por më shumë ky eksplozion thërrmoi apatinë sociale. Këto valë ende shtrihen tejembanë edhe jashtë. Ata kapën jo vetëm çdo qoshe të rruzullit, por gjithashtu përgjatë kohës, tek gjeneratat e reja, pothuaj pas 50 vitesh, kënga “Love me do”, thyen rekorde duke qëndruar edhe në ditët tona tek lista e 20 hiteve më të pëlqyera, sepse këngët e tyre shpërndajnë të njëjtin sens gëzimi dhe mrekullohesh (tek i dëgjon ato) po aq sa në ditët e tyre të para.” Revolucionet janë edhe protesta. Ky tipar takohet gjerësisht si tek këngët e tyre si kompleks, - është fakt që në lirikat e tyre gjen fjalë të thjeshta që kërkojnë një kuptim të ri, ndryshe, për njeriun, dashurinë, botën dhe të ardhmen, - por edhe në këngë që kompozuan pasi u shpërndanë. Ishte shtatori i vitit 1969, kur Paul McCartney përpiqej me të gjitha mundësitë e tij që ata të vazhdonin rrugën që kishin nisur, duke mos u ndalur e duke dhënë koncerte live. John Lennon kundërshtoi, duke thënë atë shprehje që mbeti si “një akull që nuk mund të shkrinte”: “Ju jeni të çmendur. Nuk ju pata treguar, por unë jam ndarë nga ky grup.” Gjuha e John-it,- si edhe kumtojnë studiuesit ose “Beatles-logët”,- kishte shërbyer gjithnjë si çelësi i psikologjisë së tij. Ai nuk tha ‘unë jam duke u larguar’, por ‘unë po e shpërndaj grupin’. John Lennon dhe Paul McCartney ishin takuar për herë të parë në verën e vitit 1957, në një zonë nënurbane të Liverpool-it. John-i ishte 16 vjeç e gjysmë dhe Paul 15 vjeç. Ndoshta ky takim do duhet të konsiderohet si një nga datat më të rëndësishme të historisë në gjysmën e dytë të shekullit XX. Ata morën dhe mësuan shumë nga njëri-tjetri. Kështu plotësuan deficitet reciproke dhe krijuan një dyshe të fortë dhe harmonike me një shpirt gati binjak krijues. U shkrinë në një të vetme melodiciteti i ndritshëm diellor dhe i butë i Paul-it, me një lloj ngjyrimi qiellor të John-it. Përjetimi shpirtëror i Lennon-it, i jepte muzikës së McCartney-it një balancim, duke mos e lejuar të valëzonte duke humbur. Kur ata shkruajtën në vjeshtën e vitit 1962, “I saw Her Standing There” (Unë e pashë atë duke qëndruar atje), Paul-i ofroi si vargun hapës: “She was just seventeen - Never been a beauty queen.” (Ajo ishte vetëm 17-të, kurrë s’ka qenë e bukur mbretëreshë). Nëse John-i ishte i ngarkuar në mënyrë pasionante me muzikën avangarde të kohës, Paul-i ushqente me kujdes elementet e muzikës tradicionale duke u kujdesur për një melodi harmonike dhe simetrike. Ishte e vërtetë se John-i kishte tendencë t’i “ngulte” gishtat e tij tek “sytë e audiencës”, ndërkohë që Paul-i zakonisht preferonte t’i gugaste ata. Kënga e Lennon-it “Revolution 9” mund të ishte një “strange”, gjëja më dizonante në një album të madh popi, dhe këngët e McCartney-it, “Let it be” dhe “Hey Jude” vendosën një standard, për ëmbëlsinë dhe perfeksionin formal. Fenomeni “Lennon”, deri atë mbrëmje të 8 dhjetorit 1980 kur (a)normali Mark David Chapman, ky 25-vjeçar e goditi katër herë në pragun e shtëpisë duke e lënë të vdekur, ndoshta nuk ishte kuptuar ashtu si duhet. Këngët e tij solo kishin qenë pamflete të protestës, herë hapur herë jo të tilla. Ishte fakt që John Lennoni kishte krijuar me veprën e tij një kuptim ndryshe për botën. Ndoshta Yoko Ono kishte zbuluar në shpirtin e tij një valë proteste që vinte tani në një formë tjetër. Fundi i Luftës së Dytë Botërore dhe eksperienca e bombës bërthamore në Hiroshima dhe Nagasaki, kishin lënë gjurmë të thella tek të gjithë japonezët. Edhe sot kur e sheh foton e tyre në muajin e mjaltit, kur ata, në shtrat me flokët e lëshuar qëndruan një javë për të protestuar kundër dhunës në botë, gjen arsye për të reflektuar për një shpirt proteste të heshtur por dinjitoz. Në dritare ishin vënë dy kartonë të mëdhenj ku ishin shkruajtur me dorë fjalët: “HAIR-PEACE” dhe “BED PEACE”. Si figurë publike, ai udhëtoi në rrugëtime të vështira. John krijoi goxha shqetësim në vitin 1966 kur deklaroi se “Beatles being bigger than Jesus” (Beatles janë duke u bërë më të mëdhenj se Jezusi). Në atë kohë ai pati shumë probleme me shtypin. Por kundërshtimi më i madh i artit të tij muzikor ishte kundër luftës. “John kundërshtoi luftën në Vietnam, për të cilën fillimisht ai ishte i rezervuar ta thoshte publikisht. Nga fundi i vitit 1971 ai dhe Ono paguan bill-bordes në 12 qytete të botës duke proklamuar: “Lufta është e kapërcyer nëse ju e dëshironi këtë gjë! “Këngët e kësaj fryme proteste dhe pacifiste janë mjaft simbolike, dhe konkretisht: “Give Peace a Chance”, (Jepi paqes një shans); “Power to the People” (Fuqinë popullit), “Happy Xmas” (War is over), (Lufta është e kapërcyer). Ai ishte kundër polarizimit në botë dhe ky është një problem global që ka ardhur duke u thelluar. Lennon na paralajmëroi të gjithëve dhe ky shqetësim apo parathënie ka formën e një parulle të një revolucioni gjithëpërfshirës, që i shërbeu kapërcimit të dasive kulturore dhe fetare. Ai anticipoi atë që profesor Huntington-i do ta quante në librin e tij si “Përplasje të Civilizimeve”! Ndoshta profesori i Harvardit frymëzimin e ka gjetur atje, tek këngët e John Lennon-it, ashtu si Ajnshtajni tharmin e ‘Teorisë së Relativitetit’ e kishte gjetur tek romanet e Dostojevskit. “Në artikulim të vizionit të tij për një botë më pak të polarizuar, - në intervistën e tij të vitit 1980, - John Lennon përmblodhi mesazhin se “mund të imagjinoni një botë pa vendet dhe besimet fetare?” Në vitin 2006 ish-presidenti i SHBA-ve, Jimmy Carter ofroi një dimension të impaktit të këngës, kur deklaroi: “Në shumë vende përqark botës - gruaja ime dhe unë kemi vizituar rreth 125 vende - dëgjohet kënga e John Lennon-it, ‘Imagine’, e cila përdoret pothuaj njëlloj si himni kombëtar. Një deduksion i tillë nga një mendje e hapur, një president anti-luftë dhe shumë paqësor, një negociator për zgjidhje të situatave të vështira, atje ku besueshmëria mund të ketë qenë në “tehun e thikës”, nuk ndalet të thotë se njerëzit në lirinë e tyre dhe pozicionimin global kanë himn atë që lindi si një këngë, por që me muzikën dhe lirikën e saj poetike ndërtoi, sa hap e mbyll sytë, dimensione lirie e besimi, që ua kalojnë maksimave të fushëbetejave! Dy janë fjalët kyçe: Imagjinata dhe Njerëzit. Nga ky bashkim, shoqëria në të gjitha kohërat vetëm mund të përfitojë. Tek imagjinata gjejmë pezmin e reflektimit, e arsyetimit dhe vizionaritetit. Tek populli, njerëzit gjejnë energjinë antropologjike të ndryshimit! Revolucioni paqësor i bashkimit, që ndalon luftën, shkatërrimin, vdekjen dhe pabarazitë, kishte dishepujt e vet. Të tillë ishin dhe mbeten ata, “The Beatles”. Beteja e parë e tyre e fituar, ishte rrëzimi i mureve të ndërtuara nga Lufta e Ftohtë. Ata ishin të parët që virtualisht ia hoqën tullat (marrëzisë) Murit të Berlinit. Nëse Elvis Presli shërbeu ushtarakisht atje (në Berlin) që të mos rishpërthente lufta, ‘The Beatles’ nisën “erën e re” të paqes kundër luftës. Tre revolucionet, ai seksual që shoqërohet me më shumë liri në posedimin e trupit dhe ndjenjave (ka edhe konventë ndërkombëtare për këtë të drejtë universale), revolucioni i rinisë që u karakterizua nga një gjallërim i shtresave të shoqërisë që, do duhej të ndërtonin shoqërinë e paqes, pa luftëra, dhe revolucioni feminist që inicoi barazinë gjinore në të gjitha aspektet, politike, civile dhe sociale; ishin të gjerë në rekrutimet, por jo gjithëpërfshirës “in extremis”. Ndërsa muzika e Beatles penetroi me një mirëseardhje absolute, tek të gjitha masat antropologjike të interesuara për revolucionet e lartpërmendura pikërisht si një ingredient polivalent, me funksionin unikal: Frymëzimin e njerëzve për një botë ndryshe, më të mirë, më humane, më të gëzuar, më globale. Kur muzika është art i mirëfilltë, gjithëkohësia është “boshti kartezian” i të dhënave. Aspekt i rëndësishëm i një revolucioni që ndërton filozofinë e komunikimit është media. Beatles e revolucionarizuan median. E shpunë atë kudo në botën ku ata shkelën. E bënë atë më aktive, më dëshmitare për fotografimin dhe vizatimin e prirjeve në botë, duke identifikuar energji që mund të mos përfilleshin për shkak të kontaktit të munguar ose indiferencës rutinë. Sot, përdorimi si energji pozitive i respektit dhe autoritetit publik që kanë njerëzit e artit, sportit, spektaklit apo erudicionit, nga OKB-ja, është shndërruar në një nga mekanizmat lëvizës më demokratikë dhe më rezultativë. “The Beatles” janë pararendës të kësaj filozofie sjelljeje. Ata me artin e tyre e kryen këtë mision dhe dhuruan këtë energji pozitive. Ata ishin katër! Nuk mund të heshtet në këtë 50-vjetor për George Harrison. Një muzikant enigmatik, studenti i metafizikës, një finok i muzikës mitike,- si edhe e konsideron kritika e specializuar. Ai ishte i aftë për të prodhuar abstrakte të mbarsura me ide mistike të mrekullueshme dhe thelbësore, që ushqeheshin nga jeta e përditshme. Temat që ai preferonte janë dashuria, ndjeshmëria, spiritualiteti, qëllimi”. Por rrallë ndodhte që Harrison të lidhte lirikat e menduara thellë, për ta bërë më të lumtur vijën melodike dhe ta sillte atë më të fuqishme, si edhe ndodh në këngën “My sweet Lord”, si dhe te këngët: “What is Life”, “Awaiting on you All”! Në historinë e grupit, George Harrison ka kontribuar tek një apo dy kompozime, por kënga e tij “All Things Must Pass” mbetet unikale në konceptim dhe si këngë. Ringo Starr fillimisht u konsiderua si një “daulltar” shkatarraq, teknikisht i panevojshëm. Jeta aktive me treshen e shndërroi edhe atë në “beatles genuine”. Hiti i tij është “You are sixteen”. Jeta post Beatles dhe aktivitetet solo, janë të evidentuara me produkt, por jo si një zgjatim i stilit të ish-grupit ku ai kontribuoi. Spikat soloja “Sentimental Journey”, ku Ringo kujton prindërit e tij. Në vitet ‘80 ndalon aktivitetin, sepse kurohet kundër alkoolizimit. Kishte abuzuar keq me të. Kthimi në 1989-ën e gjeti në “All star band” ku mblidhen legjendat e rokut. Ansambli më i ri i Ringo-s, ka një tur këtë vit që është quajtur Ringo 2012. Si një gur i madh meteorik, “The Beatles” është copëtuar. Fluturimet e pjesëve janë sot përsiatje të një lirie. Në intervistën e tij të fundit, Paul McCartney nënvizonte se “sekreti i tij ishte i thjeshtë. A kishte pasur gëzim brenda vetes? Në qoftë se ju e shijoni atë, përse mos bëni diçka të njëjtë. Unë e dua shumë atë çka bëj. Kështu që realisht unë nuk dua të ndaloj!”
Ishte viti 1968 kur pashë për herë të parë një disk origjinal të “The Beatles”. Ishin Mishat, Teodori, shoku im i fëmijërisë dhe Piro Misha, që i kishin sjellë nga Franca. Dëgjimi i tyre u shndërrua si një pelegrinazh në vendin e shenjtë. Brezi ynë u ushqye me muzikën e tyre, u formua me të dhe guxoi të imagjinonte, sepse pati fatin të ishte bashkudhëtar me këtë fenomen që quhet The BEATLES.

(er.nu/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›