E Shtunë, 31 Tetor 2026

MPJ: Rama dëshmoi se nuk di cfarë është diplomacia

TIRANE-Ministria e Punëve të Jashtme të Shqipërisë (MPJ) ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të opozitës, Edi Rama bërë dje për diplomacinë në Shqipëri.
“Shprehim keqardhje të thellë për deklarimet e sotme të kryetarit të Partisë Socialiste zotit Rama, për diplomacinë dhe shërbimin e diplomatik të Republikës së Shqipërisë. Zoti Rama injoroi faktin se është pikërisht ky shërbim dhe politika e jashtme që ai zbaton, të cilat po realizojnë një rol gjithnjë në rritje e më të respektuar të Shqipërisë në rajon dhe përtej tij, rol i cili vlerësohet aq lart nga partnerët tanë europianë dhe euroatlantikë.

Pikëpamjet e zotit Rama dhe mungesa e vlerësimit të tij për shërbimin diplomatik nuk janë aspak realiste dhe as qëndrim kombëtar e patriotik ndaj këtij aseti kombëtar të Shqipërisë”, citon në një njoftim për shtyp MPJ.

MPJ shton më tej se deklarimet e sotme të zotit Rama tregojnë mosnjohje dhe mungesë respekti ndaj punës së diplomatëve të përkushtuar ndaj interesave të shtetit dhe kombit shqiptar.

“Në arenën e veprimit ndërkombëtar, kontributi i diplomatëve e ka rreshtuar me dinjitet Shqipërinë përkrah demokracive të konsoliduara, në përpjekje të përbashkëta për paqe, stabilitet dhe zhvillim ekonomik e shoqëror”, citon njoftimi i MPJ ku theksohet se diplomacia nuk i përket një shumice të caktuar në qeveri, por vetë Shqipërisë.

Më tej MPJ bëri të ditur se PS me tryezën e djeshme duhet të kishte bërë propozime konkrete për të përmirësuar kuadrin lifjor në këtë aspekt.
“Do të kishim mirëpritur me shumë kënaqësi propozime dhe kontribute nga zoti Rama për forcimin e kuadrit ligjor dhe rritjen e profesionalizmit të diplomacisë shqiptare, që është objektiv i përhershëm i Ministrisë sonë të Punëve të Jashtme”.

Një ditë më parë në një tryezë me teme diplomacinë, Kreu i PS, Edi Rama tha se shërbimi diplomatik në vend është kthyer qesharak se është shndërruar në një zyrë punësimi.

(d.b/BalkanWeb)
Lidhje te tjera Rama: Të ndahet nga politika e përditshme shërbimi diplomatik

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›