E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Rojet” e fjetura të interesit publik

Gjatë afro dy muajve të fundit, kur minatorët e Bulqizës kanë zhvilluar dhe vazhdojnë protestat e tyre disa formëshe për të kërkuar nga ACR, por edhe nga qeveria e vendit tonë, realizimin e të drejtave të tyre të ligjshme, midis të tjerash ka rënë në sy roli mjaft aktiv i Konfederatës së Sindikatave dhe besimi e bashkimi unik i të gjithë minatorëve të këtij pellgu krom-mbajtës rreth drejtuesve sindikalistë. Ndërsa, aksionerët dhe administratorët e kompanisë austriake që shfrytëzojnë sipas një kontrate koncensionare pasuritë e nëntokës së këtij pellgu bëjnë çmos që t'u shmangen obligimeve të tyre, nën pretekstin që me punëtorët e galerive të Bulqizës nuk mund të nënshkruhet ndonjë marrëveshje, nëse përfaqësohen si palë nga liderët e Konfederatës. Në këtë mënyrë, duke shfrytëzuar heshtjen e organeve qeveritare, apo duke qenë të nxitur nga vet këto organe, pronarja dhe administratorët e saj të huaj marrin guximin që t'u diktojnë punëtorëve ngritjen e një tjetër sindikate, për të cilën shprehin gatishmërinë ta strehojnë me zyrë brenda mjediseve të punës të administratës së ACR - së(?!).
Të shpjegohet në këto radhë karakteri dhe profili i bashkimeve të vet punëtorëve nëpër sindikata dhe profili që kanë këto si grupe vullnetare të punëdhënësve, mbase do të ishte e tepërt dhe e bezdisshme. Aq më tepër, kur në shekullin e XX drejtësia sociale shpallet si karakteristikë e shumicës absolute të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara. Sikurse do të ishte e pafrytshme të përmblidhej vetëm në pak radhë të një artikulli nëpërkëmbja që i bën qeveria aktuale dinjitetit imanent të qytetarit në pjesën më të madhe të popullsisë shqiptare. Në këtë kuadër, duke ndjekur me vëmendje zhvillimet në atë qytezë verilindore dhe referimet që u bëhen këtyre zhvillimeve, gjithashtu bie në sy një shmangie pothuajse totale e Shoqërisë Civile në tërësi dhe, në veçanti, e Organizatave Jo Qeveritare (Jo Fitimprurëse) për të Drejtat e Njeriut, që janë regjistruar legalisht si të tilla dhe pretendojnë të kryejnë veprimtari brenda territorit të Republikës së Shqipërisë.
Dhe këtu, të tillat nuk janë aq të pakta sa të mos ia vlejë as t'i zësh me gojë, një fakt ky që në vetvete nuk do të shkaktonte dëme për shoqërinë. Përkundrazi, sepse individët jo gjithmonë janë të informuar plotësisht për të drejtat e tyre, për mjetet që kanë në dispozicion në mbrojtje të tyre, apo për të siguruar masa juridike kundër shkeljeve të ndryshme. Një rol pra i Organizatave Jo Qeveritare (OJQ-ve) është edukimi për të drejtat e njeriut në kuptimin më të gjerë të tij: zhvillimi i një kulture në këtë fushë, duke i bërë shtetasit e këtij vendi dhe të çdo tjetri të vetëdijshëm për të drejtat e tyre, për përgjegjësitë e secilit që të mos shkelin të drejtat e të tjerëve dhe për mundësitë e ndreqjes, duke përfshirë përkrahjen e individëve në paraqitjen e rasteve, qoftë brenda sistemit kombëtar, qoftë edhe sipas procedurave rajonale apo ndërkombëtare. Roli i OJQ - ve në dallim nga ai i individëve bëhet më i rëndësishëm, kur çështjet e të drejtave të njeriut kanë të bëjnë më së shumti me praktika sistematike, sesa me shkelje të izoluara. Aty ku ekzistojnë këto praktika, individët dhe grupe të tyre e kanë shumë pak të mundur që të sigurojnë dëmshpërblimet përkatëse për shkeljet e të drejtave të tyre. Ndërkohë që, në situata represionesh mund të ketë edhe mungesë të përgjithshme të procedurave juridike adekuate.
Sidoqoftë, gjithnjë është pranuar që përpara se të merret parasysh organizimi specifik i OJQ - ve, më mirë do të ishte të pyetej dhe të sqarohej se, çfarë është një OJQ dhe, përkatësisht, çfarë është një OJQ e të drejtave të njeriut? Në kuptimin lateral të termit, ajo është çdo entitet i organizuar që nuk vepron as ligjërisht dhe as faktikisht brenda organeve qeveritare. Megjithatë ekziston një nocion i përgjithshëm që një term i tillë aplikohet vetëm për sektorin vullnetar, por edhe kjo nuk i zgjidh të gjitha problemet. Për shembull, nën këtë term a mund të përfshihen ato organe që aspirojnë fuqi qeverisëse si, për shembull, partitë politike? Si qëndron puna me një organ që nuk është pjesë e qeverisë dhe e administratës publike, por është i financuar nga qeveria? Duke iu adresuar kësaj çështjeje, Rezoluta e ECOSOC-ut të OKB-së (25 korrik 1996, paragr.13) ka deklaruar: "Mjetet themelore...duhet të rrjedhin në pjesën më të madhe nga kontributet e përkrahësve kombëtarë, komponentëve të tjerë apo nga anëtarët individualë". Kështu, edhe ndërkombëtarisht nuk përjashtohet financimi qeveritar, por ai nuk duhet të përbëjë burimin kryesor të të ardhurave. Disa OJQ prestigjioze për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, si: Amnesty International dhe Human Rights Watch, me vetveten janë më strikte, e konsiderojnë si çështje parimore mospranimin e financimit qeveritar dhe si çështje thelbësore pavarësinë e tyre aktuale nga ndikimi e kontrolli qeveritar.
Ndërsa, çka e dallon një OJQ të të drejtave të njeriut nga aktorët politik është, sipas një studiuesi të njohur të kësaj fushe, "se këta të fundit mëtojnë që të mbrojnë të drejtat vetëm të anëtarëve të tyre; një grup i të drejtave të njeriut mëton të sigurojë të drejta për gjithë anëtarët e shoqërisë. Për më tepër, një grup politik mëton të përparojë interesat apo programet e tij në veçanti; një grup i të drejtave të njeriut mëton ta mbajë procesin politik të hapur për të gjitha forcat legjitime shoqërore" ((Wiseberg, Lauri S., Protecting Human Rights Aktivists and NGOs: What More Can Be Done?, 1991, pg. 530). Që këtej theksohen dy kritere esenciale. Së pari, qëllimi i veprimtarisë së organizatave të të drejtave të njeriut nuk nënkupton përfitimin e interesave materiale vetjake. Së dyti, kjo mungesë përfitimi është baza e legjitimitetit të tyre, si roje të paemëruara të interesave publike. Njëherazi, as synimet dhe as metodat e tyre nuk mund të çojnë drejt cenimit të të drejtave dhe lirive të të tjerëve.
A i përmbushen këto kritere aktualisht në Shqipëri? Formalisht po, madje termi ligjor për emërtimin e tyre është i saktë: "jo fitimprurëse". Mirëpo, praktikisht, OJF - të shqiptare përgjithësisht paraqiten si "roje" të përgjumura të interesave publike. Ndonjëherë, deklaratat e dhëna dhe interpretimet e bëra në emër të tyre nuk i përgjigjen aspak realitetit. Ndjeshëm kjo kundërvënie është vënë re gjatë këtij viti. Për shembull, pas tragjedisë së ndodhur më 21 maj, kur dikush i paraqitur me siglën e një organizate jo qeveritare dhe nën emërtimin "Zgjohu" përgatiste montazhe pamjesh për t'u transmetuar nëpër ekrane televizive, të cilat publikonin ide dhe veprime të rreme që synonin jo vetëm ta nxirrnin të larë qeverinë, por edhe të fajësonin opozitën politike për atë që kishte ndodhur(?!). Më vonë, kur ende nuk kishte përfunduar procesi elektoral i zgjedhjeve të fundit në Shqipëri dhe pak ditë përpara se të shprehej tërësisht Misioni i ODIHR-it rreth zhvillimit të këtyre zgjedhjeve, qarkullon nëpër ekrane kryesisht të atyre që ndizen e shuhen plotësisht në mbështetje të maxhorancës qeverisëse portreti i një ish kandidati për deputet të Partisë kryesore të koalicionit në pushtet, i cili deklaron (me shaka apo seriozisht?) në emër të një OJF-je që u quajtkërka "Për rritjen e cilësisë së jetës", se mbajtja e këtyre zgjedhjeve arriti plotësisht dhe bindshëm të gjitha standardet demokratike ndërkombëtare, çka nuk e besonin dhe nuk e besojnë as vet ata që mbajnë përgjegjësi direkte për grabitjen ditëve me diell dhe netëve me hënë të mandatit të kreut të Bashkisë së Kryeqytetit.
Duke bërë gjatë disa viteve të fundit analiza periodike mbi veprimtarinë e flashkët, pothuajse inekzistente, të organizatave jo qeveritare të regjistruara brenda vendit tonë, rezulton se një pjesë e tyre "ushqehen" drejtpërdrejt dhe plotësisht nga pushteti ekzekutiv. Ndërsa, një pjesë tjetër financohen prej segmenteve të biznesit, të bazuara kryesisht në përfitimet që rrjedhin prej tenderave me fonde publike. Relativisht më serioze duken ato të pakta organizata që janë të çliruara prej "zinxhirëve të parasë" brenda vendit. Dhe, ndonjë e vetme që arkëton kontributet e grupeve të interesit që përfaqëson, si për shembull, "Aleanca Kuq e Zi", mbi shpinë detyrohet të mbajë shigjetimet dhe mallkimet e pushtetit politik, të lëshuara madje me egërsi që nga salla e mbledhjeve të Këshillit të Ministrave. Ndërkohë, pavarësisht progresit apo stanjacionit në fushën e të drejtave të njeriut, një pjesë e aktivitetit të organizatave jo qeveritare duhet të jetë sigurimi i informatave, veçanërisht kur paraqitja e tyre ndërmerret si një aktivitet pasiv, duke ua lënë të tjerëve të vendosin nëse do të merren parasysh apo do të veprohet në bazë të tyre. Por, edhe ky drejtim ka gropa dhe boshllëqe të atilla, që e bëjnë të pamundur kalimin nëpër 'të. Mjafton të përmendim që për ndalimet pa asnjë bazë ligjore dhe provë materiale e dhjetëra e dhjetëra demonstruesve të 21 janarit, si edhe për torturat e ushtruara ndaj tyre nëpër komisariatet e Policisë së Shtetit në Tiranë, të vetmet burime nga u nis Komiteti Kundër Torturës i Këshillit të Europës për të këqyrur këtu gjendjen reale ishin pamjet filmike dhe informacionet e pasqyruara në mediat vendase dhe të huaja.
Pa folur për mundësitë më të gjera legale që mund të shfrytëzojnë organizatat shqiptare të të drejtave të njeriut në kuptim të përfshirjes aktive të tyre në lobime rreth çështjeve të caktuara, për çka s'duket hë për hë asnjë gjurmë, ndoshta do të ishte më mirë që të kujtohej dikush në Kuvendin e Shqipërisë për të iniciuar ngritjen e një komisioni parlamentar ad hoc, i cili do të kishte për objekt hetimin e veprimtarisë abuzive të disa prej këtyre lloj organizatash, financimet e tyre korruptive nga buxheti i shtetit dhe nxjerrjen e përgjegjësive direkte të shkaktarëve, të cilët jo vetëm që nuk ruajnë interesat publike, por edhe i përdhosin dhe cenojnë rëndë ato. Mund të vazhdonim më tej, por kështu më tej nuk mund të vazhdohet. Prandaj, edhe kaq ndoshta do të mjaftonte për t'u vënë pikën ca i-ve, që të tilla zënë vend në hipokrizitë e përditshme dhe të pamasë të politikanëve tanë.

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›