E Diel, 1 Nëntor 2026

Të krishterët e pranverës arabe, po kalojnë nga shpresa tek frika

28-08-2011 / “Radio Vatikani”

Pakica e krishterë në vendet arabe po ndjek me vëmendje të veçantë procesin e rinovimit shoqëror e politik në zonë, për të cilin nuk mungojnë shqetësime. Edhe për këtë u fol në Mitingun e Riminit, gjatë javës së kaluar. Takimi, që përfundoi të premten, i organizuar nga Lëvizja “Bashkim e Çlirim”, kishte si temë “E jeta bëhet siguri pa fund”, e cila i referohet plotësisë së jetës, kur ajo bazohet në Krishtin. Në Rimini ishte i pranishëm Rojtari i Tokës së Shenjte, atë Pierbatista Picabala. Për mikrofonin e Radio Vatikanit, ai dha këtë vlerësim se si po përjetohet e ashtuquajtura “pranverë arabe” nga të krishterët:
“Në fillim pati shpresa të mëdha, si për të gjithë, sidomos në Egjipt. Në Siri, gjendja është pak më e ndryshme. Tani në Egjipt ka shumë frikë, shumë pasiguri, sepse pas një faze euforie, me synime të përbashkëta, duket se pjesa integraliste po mbizotëron, në dëm të pakicës së krishterë. Pra ekziston pasiguri dhe frikë e madhe. E njëjta gjë edhe në Siri, ku të krishterët trajtoheshin dhe trajtohen akoma me respekt të madh, por lëvizjet kundër regjimit i shqetësojnë, pasi e ndjejnë se po mungojnë pikat e referimit, që u kanë dhënë garanci për dhjetëvjeçarë.
Në Takimin e Riminit, një përfaqësues i partisë së Vëllezërve Myslimanë u tha perëndimorëve të mos kenë frikë, sepse realiteti nuk është kaq i keq në Egjipt e të krishterët nuk do të kenë probleme…
Eh… mbi këtë argument është e vështirë të flasësh, sidomos për ne të krishterët, që jemi në Lindjen e Mesme e në Tokën Shenjte, sepse është një argument i lehtë për t’u instrumentalizuar. Nëse thua se ka probleme ndërmjet të krishterëve e myslimanëve, akuzohesh se dëshiron t’i theksosh ndryshimet e t’i dallosh mirë njërin nga tjetri. Nëse thua se bashkëpunojnë, se bashkëndajnë, e tepron… Në të vërtetë, i kemi të dyja përvojat, nuk ka “out-out”. Ka bashkëpunim, por ka edhe elemente integralizmi, ndarjeje e persekutimi. Kronika dëshmon për këtë. Nuk duhet të kemi frikë – e themi gjithmonë – duhet të kemi guxim për të thënë të vërtetën, ashtu siç është, me qartësi, por edhe të mbajmë qëndrimin e krishterë të dëshmisë, të mikpritjes, të përpjekjes për dialog e për marrëdhënie të sinqerta. Kjo, sepse, nga pikpamja strategjike, praktike, nuk ka alternativë tjetër e sepse, edhe feja na e mëson. Në këto rajone, dëshmia e fesë është e vetmja gjë që mund të bëjmë: ta përçojmë përvojën, dëshminë tonë, e cila shkon përtej gjuhës, kulturës, vetë besimit fetar e që, nëse bëhet me ndershmëri e bindje të thellë i arrin gjithkujt.
Paul Bhatti nga Pakistani: të drejta të barabarta për myslimanët e të krishterët, pa diskriminime/“Krishterimi nuk është kurrë fakt privat. Bashkësia e krishterë e ka për detyrë t’i edukojë njerëzit të punojnë për të mirën e përbashkët”: kështu u tha gjatë sesionit “Të krishterët në politikë”, në një çast tjetër të Mitingut të Riminit, në të cilin morën pjesë të ftuar nga e gjithë bota. Filip Blond, bashkëpunëtor i kryeministrit britanik Dejvid Kamerun, shpjegoi vështirësitë, që kanë politikanët e krishterë në Angli, për shkak të paragjykimeve për të gjithë ata, që e shpallin hapur fenë e tyre. Jozef Dol, kryetar i grupit të partive popullore në Parlamentin evropian, theksoi rëndësinë e mbrojtjes së vlerave të krishtera para atyre, që nuk i duan ato në arenën publike. U duartrokit Paul Jakob Bati, këshilltar i kryeministrit të Pakistanit për pakicat fetare, i cili foli për vështirësitë e të krishterëve dhe të bashkësive të tjera jo myslimane në vendin e tij. Radio Vatikani e pyeti se ç’ka ndryshuar në Pakistan në fushën e mbrojtjes së të drejtave të pakicave, pas vrasjes së të vëllait, ministrit për pakicat, Shahbaz Bati nga ekstremistët islamikë: “Njerëzit kanë humbur një udhëheqës: shumë vetë, edhe kur nuk kishin nevojë, ndiheshin të mbrojtur, sepse ai ishte i pranishëm në të gjitha vuajtjet e të krishterëve dhe të pakicave në përgjithësi. Pas humbjes së një udhëheqësi të tillë, pakicat e ndjenë veten jetime. Kësaj iu shtua mendimi se nëse nuk mund të garantohej siguria e një personi në këtë nivel, aq më pak do të mund të garantohej siguria e popullit. Ndërsa, pozitiv ka qenë fakti se njerëzit – përfshirë myslimanët e bashkësinë ndërkombëtare – filluan të kuptonin cili ishte problemi i vërtetë e të dëshironin ndryshime. Kjo solli një farë revolucioni e shumë solidaritet…”
Me ngjarjet në Libi, Siri, Egjipt, “pranvera arabe” ka zënë faqet e para të gazetave. Sipas jush, a mund të çojë ajo drejt fondamentalizmit islamik, me rrezik për të krishterët?
Kjo mund të ndodhë, sepse derisa të mos ketë dialog ndërfetar, nuk do të ketë as respekt të ndërsjelltë për të gjitha fetë. Problemet mund t’u lindin pa dyshim, të krishterëve, që janë më të dobtit. Ata mund të kenë pasoja si në vendet arabe, ku janë pakicë, ashtu edhe në vendet tona: në Pakistan, për shembull, ku pakicat janë të krishtera, hinduiste, budiste… Fondamentalistët e ekstremistët mund të marrin krahë nga pranvera arabe e të mendojnë se u erdhi dita.
Ju keni thënë: “Ne jemi pakicë fetare, por nuk pranojmë të jemi edhe pakicë politike!”. Në ç’kuptim?
Në kuptimin se nuk duhet të ketë diskriminim nëse personi është katolik, protestant apo mysliman. Ligji duhet të jetë i barabartë për të gjithë. Feja është zgjedhje personale e shteti nuk duhet të vendosë ligje, të cilat i diskriminojnë të krishterët, në krahasim me myslimanët.

...

Më shumë nga Analiza

Të gjitha ›