Refugjatët sirianë pezull në kufirin turk
Muaz Zarzuri vështron murin e një tregu të vogël në Sarilar, Turqi, duke folur qetësisht, por me forcë. "Nuk do të kthehem pas," thotë ai. "Jo derisa konflikti të ketë përfunduar". Zarzuri shpjegon se u largua nga shtëpia dhe puna e tij në një furrë buke nga fundi i korrikut dhe ka qenë në Turqi për rreth një muaj. Kur u pyet se çfarë ndodhi me furrën e bukës dhe fshatin e tij, 34-vjeçari tund kokën. "U shkatërruan," përgjigjet ai, duke mos dhënë hollësira. Zarzuri është një nga shumë mijëra sirianë që janë larguar nga dhuna dhe shtypja në atdhe për të gjetur strehë në anën turke të kufirit të përbashkët prej 800 km. Refugjatët po strehohen në kampe tendash të sajuara në fshatra të ndryshëm të kufirit në krahinën jugore Hataj të Turqisë. Këtu, në Sarilar, një qytet i vogël i populluar nga një bashkësie e madhe të krishterësh ortodoksë, rreth 1000 sirianë po jetojnë në tenda pas një zone me gardh të lartë në skaj të qytezës, të dallueshme nga flamurët e Gjysmëhënës së Kuqe turke që varen jashtë. Kampi është i pajisur me shtretër, një dhomë të madhe ndënieje me një televizor dhe gjëra të nevojshme të furnizuara nga Gjysmëhëna e Kuqe, si dhe nga dhurues ndërkombëtarë dhe vendas. Rregullat duket se ndryshojnë nga kampi në kamp. Në një kamp më të madh më në perëndim përgjatë kufirit, njerëzit thonë, se refugjatëve sirianë nuk u lejohet të largohen nga mjediset. Në Sarilar, megjithatë, Zarzuri thotë se të marrësh një leje kalimi është aq e lehtë sa të kërkosh një të tillë, ndonëse ata në përgjithësi lejohen të dalin vetëm në grupe. Burra dhe gra dalin nga kampi gjatë ditës për të vizituar tregjet më poshtë dhe duhet të kthehen deri në një orë të caktuar. Emin Mizikaçioglu, pronar i tregut, thotë se refugjatët, veçanërisht gratë, janë kollaj të dallueshme për banorët vendas nga veshjet e tyre më konservatore fetare. "Ato mbajnë shalle koke dhe mëngë të gjata, edhe në këtë mot," shpjegon ai. "Gratë këtu nuk vishen ashtu". Ndonëse Mizikaçiogluja bën shumë nga biznesi i tij në Turqi, gjuha amtare e tij është arabishtja, të cilën e përdor për të komunikuar me sirianët. Refugjatët vetë rrallë flasin turqisht. Mizikaçiogluja thotë se fshati është përshtatur me praninë e papritur të tyre, pa ndonjë problem. "Nuk ka asnjë problem këtu," shpjegon ai. "Ata vijnë, blejnë gjërat e tyre dhe kthehen në kamp".
Edhe vetë në kamp, ka një mungesë të habitshme tensioni. Policët turq ulen në një tavolinë të vogël pikërisht pas portës, duke pirë çaj dhe duke biseduar mes tyre. Ndonëse gazetarët nuk lejohen në kamp pa leje të posaçme nga zyra e guvernatorit, policët nuk e kanë problem fotografimin apo bisedat me refugjatët kur dalin nga kampi. Zarzuri thotë se nuk ka ankesa materiale rreth kampit apo jetës së tij në Turqi. "Ata na japin gjithçka që na duhet," thotë ai. Qetësia këtu rri përkundër kaosit në anën tjetër të kufirit, ku dhuna në rritje nga qeveria e Asadit ka shtuar thirrjet ndërkombëtare për dorëheqjen e tij. Ndonëse Turqia ishte më e ngadaltë se shumë vende të tjerë për të kritikuar fqinjën e saj, deklaratat e fundit nga Kryeministri Rexhep Tajip Erdogan dhe Ministri i Jashtëm Ahmet Davutoglu tregojnë një forcim të qëndrimit të vendit në përgjigje të shtypjes siriane.
Dhe ndërsa Zarzuri bën një fytyrë prej trimi, ai pranon se shumë nga refugjatët janë në ankth dhe ndjejnë mall për shtëpitë dhe anëtarët e familjes që kanë lënë pas. "Gratë dhe fëmijët, natyrisht janë të trembur," thotë ai, duke bërë një pauzë. "Këta janë njerëz që kanë parë fëmijë të shtrirë në pellgje gjaku". I pyetur rreth shpresave të tij për të ardhmen, mendimet e para të Zarzurit janë një rikthim në normalitet. "Të ngrihen prapë shtëpitë dhe dyqanet; të kthehen fshatrat tanë në jetë," thotë ai.