“Sami Frashëri” thyen rekordin, 50 mijë mungesa

Për më pak se një vit të rregullt shkollor, nxënësit e gjimnazit publik më prestigjioz në Prishtinë kanë arritur rekordin e mungesave në orë të mësimit.
Nxënësit e gjimnazit “Sami Frashëri” për këtë periudhë kohore kanë arritur t’i bëjnë hiç më pak se 50 mijë mungesa, duke mos arritur ta përvetësojnë një pjesë të madhe të planit mësimor, prandaj, sipas ekspertëve të arsimit, edhe rezultatet në testin kombëtar të Maturës çdo vit janë të dobëta.
Daut Selimi, zëvendësdrejtor i këtij Gjimnazi, konfirmon për gazetën “Zëri” se nxënësit e këtij institucioni shkollor kanë arritur t’i bëjmë mbi 50 mijë mungesa, ende pa përfunduar viti i rregullt shkollor.
Ai sqaron se drejtoria e Gjimnazit merr masat parandaluese për nxënësit me shumë mungesa, me ç’rast ata që i kanë mbi 15 sosh u tërhiqet vërejtja dhe pas kësaj, sipas tij, pason suspendimi 3 ditor.
Ndërsa pas 32 mungesave të paarsyeshme, rasti procedohet në Drejtorinë Komunale të Arsimit, e cila duhet të marr vendimin përkatës.Mirëpo, në bazë të një kalkulimi të thjeshtë, i bie që çdo nxënës i këtij gjimnazi të ketë rreth 20 mungesa, duke i plotësuar kriteret që shumica prej tyre të jenë në prag të suspendimit.
Ka nxënës me 100 mungesa
Pavarësisht numrit të madh të madh të mungesave, zëvendësdrejtori bënë të ditur se sivjet vetëm dy nxënës janë suspenduar nga Drejtoria Komunale e Arsimit.Ai pohon se ka nxënës që kanë madje edhe më shumë se 100 mungesa.”Mungesat e tilla nuk i shohim si normale, pasi që ka nxënës që ka edhe mbi 100 mungesa, mirëpo ne vendimin për përjashtim nuk e marrim”, ka nënvizuar ai, duke shtuar se Gjimnazi “Sami Frashri” ka 2870 nxënës me 67 paralele.
Nxënësit e “Sami Frashërit” konfirmojnë se ikin shpesh prej orëve, sidomos kur nuk janë të përgatitur në lëndë të ndryshme mësimore.“Zakonisht nxënësit ikin prej orëve kur nuk janë të përgatitur për me u pyet, ose kur nuk ju rrihet në orë të mësimit”, thotë Erlina Sfishta, nxënëse e klasës së 11 në këtë Gjimnaz.
Në anën tjetër, zyrtarët e Komunës së Prishtinës thonë se sipas ligjeve në fuqi nuk kanë të drejtë t’i përjashtojnë nxënësit nga shkolla.Asdren Osaj, zëdhënës i Komunës së Prishtinës, ka thënë për “Zërin” se me ligjin aktual nuk kanë të drejtë ta përjashtojmë asnjë nxënës nga shkolla, mirëpo, sipas tij, kanë të drejtë t’i suspendojmë pas 32 mungesave të paarsyeshme.
Vendimin për suspendim mund të merret pasi që të verifikohen se a kanë qenë të gjitha mungesat me arsye, apo jo, e cila procedurë, sipas tij, merr kohë gati një vit shkollor, me ç’rast nxënësit shpëtojnë nga përjashtimi.“Kjo është baza ligjore që e ka përcaktuar këtë formë, e cila po shkakton probleme shumë edhe në mbarëvajtjen e mësimit, pasi që nuk ke mekanizëm që edukon, ose e kontrollon nxënësin. E vetmja formë është që të merret me të mirë duke i thënë se “shkolla është e mirë për ty, nuk duhet të mungosh” e gjëra të tilla”, ka thënë Osaj.
Sipas tij, nëse nxënësi suspendohet, atëherë duhet t’ia japësh mundësinë e mësimit alternativ, që paraqet një kosto shtesë për institucionet. “Ndoshta për 3 nxënës në shkollë të suspenduar duhet një numër i arsimtarëve për të gjitha lëndët t’iu japin mësim në shtëpi. Për përjashtim nuk bëhet fjalë, sepse një gjë të tillë e ndalon ligji”, ka pohuar ai.Zëdhënësi i Komunës së Prishtinës thotë se e kanë diskutuar këtë ligj dhe për këtë është bërë një Strategji të Planit Zhvillimor Komunal të Arsimit 2013-2017, mirëpo, siç shpjegon ai, nuk kanë kompetencë që të ndikojmë në ligje dhe për këtë gjë duhet Ministria e Arsimit të propozoj ndryshim të ligjit.
“Ministria e Arsimit duhet të propozoj ndryshimin e Ligjit, pasi që në këtë formë nuk jemi duke shkuar drejtë përmirësimit, por drejtë degradimit të procesit mësimor”, ka nënvizuar Osaj.
Ministria fajëson komunat
Në Ministrinë e Arsimit për numrin e madh të mungesave të nxënësve i fajësojnë shkollat dhe drejtoritë komunale të arsimit.Alush Istogu, drejtor i Drejtorisë së Arsimit Parauniversitar në Ministri, ka thënë për “Zërin” se me çështjen e mungesave të nxënësve duhet të merren organet shkollore dhe të nivelit lokal.
Istogu pranon se numri i madh i mungesave të nxënësve paraqet problem të madh, pasi që, sipas tij, nuk mund të përvetësohet edhe plani i paraparë mësimor.“Mbi 50 mijë mungesa për nxënësit e një shkolle, me të vërtetë janë shumë, mirëpo për zgjidhjen e këtij problemi duhet fuqizuar organet shkollore”, shprehet Istogu.
Ai pohon se ka takuar ka takuar drejtorët Komunal të Arsimit, mirëpo, sipas tij, asnjëri prej tyre nuk ia ka paraqitur problemin e numrit të madh të mungesave të nxënësve.Kryetari i Departamentit për Arsim në Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Jonuz Salihaj, thotë se ky numër i madh i mungesave në orët e mësimit nga nxënësit është shumë shqetësues.“Është shumë shqetësuese ky numër i madh i mungesave për arsye se kemi të bëjmë mos respektim të shkollës dhe rregulloreve të saj dhe kjo ndikon edhe në rezultatin shkollor të atij nxënësi”, ka pohuar Salihaj.
Ai sqaron se për Shkollat e Mesme nuk është i ndaluar përjashtimi i nxënësve me ligj, pasi që, sipas tij, ajo nuk është shkollë obligative.
Sipas Salihajt, institucionet kompetente duhet të punojnë që shkollat të bëhen më atraktive, pasi që ka deklarata nga nxënësit se shkolla nuk është interesante as motivuese, me ç’rast edhe huliganizmi është prezentë në shkolla.“Të gjitha këto i bëjnë shkollat tona jo atraktive dhe i shtyjnë fëmijët të mungojnë në orët e mësimit”, ka përfunduar ai. /Indeksonline/