E Diel, 1 Nëntor 2026

“Stradivari” shqiptar, Ervin Gjoni: Shqipëria mungesa në tregun e instrumentave muzikorë

TIRANE-Për ndërtimin e një violine perdoret dru panje dhe bredhi, por jo vetëm kaq. Tingulli që lëshon violina tregon cilësinë e lartë të punimit, nxjerr në pah mjeshtërinë e artistit që e ka krijuar, dhe jo çdokush e realizon këtë në mënyrë perfekte. Sapo e përmendim na vjen ndër mend, filmi me Stradivarin, i luajtur nga aktori i famshëm Antony Quinn. Numri i instruementave të ndërtuar prej Stradivarit është rreth 1600, por në ditët e sotme kanë mbetur rreth 500 – 600 instrumenta të ndërtuar nga ky mjeshtër i madh dhe vlera e tyre rritet dita ditës. Por, për të krijuar violinën perfekte sot ka shkolla që ecin në gjurmët e Stradivarit. E tillë është shkolla në Cremona në Itali që nxjerr krijuesit brilantë të violinave, mes tyre dhe një shqiptar. Ervin Gjoni, është i vetmi Liutaio në Shqipëri, i diplomuar pranë “Institutit Ndërkombëtar Antonio Stradivari” në Cremona, qytet që ndodhet në Italinë veriore dhe që sot njihet si “kryeqyteti i Violinave”. Por, a e njohin muzikantët shqiptarë një Liutar, institucionet përkatëse a kanë investuar për këtë profesion? Ja çfarë na tregon Gjoni në një intervistë ekskluzive për 'BalkanWeb'.

Zoti Ervin Gjoni, ju jeni i vetmi që ndërtoni violina në Shqipëri?
Jo vetëm violina, por dhe instrumenta të tjerë me hark si: Viola, Violoncelë, Kontrabasë si dhe një game te gjere te instrumentave me hark të periudhes Barroke si: Viola da Bracio, Viola da Gamba, Viola d’Amore etj.. Jam i vetmi shqiptar i diplomuar në një shkollë Italiane me famë botërore për ndërtimin e instrumentave me hark në Cremona, qyteti që njihet nga muzikantët si “Meka” e violinave dhe instrumentave me hark. Tradita e ndërtimit të instrumentave me hark, e zhvilluar në vendet më të përparuara të botës, është përkthyer në shkolla të mirëfillta të cilat, ndjekin gjurmët e mjeshtërve të mëdhenj të periudhës së rilindjes europiane si: Antonio Stradivari (Itali),Jakob Stainer (Gjermani), JB Vuillaume (Francë),etj.. Për fat të keq Shqipëria nuk ka patur një pikë referimi të këtij lloji.

Si bëhet një violinë, sa kohë duhet të ndërtosh një të tillë, çfarë lloj druri përdoret?
Violina është e ndërtuar prej drurit të panjës, (flasim për panjë mali që rritet në disa qindra metra lartësi), dhe pjesa e sipërme (suprina) e instrumentit nga druri i bredhit. Puna nis nga zgjedhja e copave të drurit të stazhionuara në mënyrë natyrale për një periudhë minimalisht prej 6 – 8 vjetësh dhe mbaron me vendosjen e telave mbi instrumentin e mbaruar dhe të lyer. Duhen rreth 2 muaj punë të përditshme për të ndërtuar dhe lyer një violinë. Theksoj lyer, sepse vetëm lyerja e violinës kërkon rreth 2 jave kohë. Gjatë këtyre 2 javëve lyerje, jepen rreth 55 deri në 60 duar llak mbi instrument për të arritur spesorin dhe tonalitetin e deshiruar. Llaku formulohet dhe realizohet tërësisht nga vetë liutaio, është me bazë alkooli dhe rrëshire pemësh ose vaj lini dhe qelibar, pra duhet të ketë përbërës tërësisht natyralë.Veç kësaj, një Liutaio studion shumë mirë edhe akustikën e brëndshme të instrumentit në mënyrë që të kuptojë se si përhapet tingulli në të, si funksionojnë pjesët e veçanta të instrumentit dhe se si funksionojnë të gjitha pjesët bashkë pas montimit. Qëllimi i gjithë kësaj pune, është realizimi i një instrumenti me tingull dhe pamje sa më të mirë. Pra, të gjithë instrumentat që prodhoj në laboratorin tim janë të punuar krejtësisht me dorë dhe të shoqëruar me çertifikatë autenticiteti ku shpjegohen në detaj: origjina e materialit, modeli mbi të cilin është mbështetur, spesorët e suprinës dhe fundit të tij, përberja e llakut me të cilin është lyer, fotografitë e instrumentit,etj..

A ka kërkesë nga muzikantët për violina të ndërtuara nga ju, duke marrë parasysh faktin që në Shqiperi ka shumë muzikantë?
Realisht violina e ndërtuar në mënyre artizanale, është e kushtueshme. Në botë çmimi i violinave varion nga 30 euro deri në 15 milionë euro. Siç dihet, muzikantët shqiptarë nuk janë të pasur. Shumë vijnë në laboratorin tim, kryesisht për restaurime dhe pavarësisht se mund t'i pëlqejnë instrumentat e mi, detyrohen të blejnë instrumenta jocilesorë Si rrjedhoje shumë nga instrumentat që unë kam krijuar, kam mundur t’i shes kryesisht jashtë Shqiperisë, por mes klientëve të mi jashtë vendit, ka edhe muzikantë shqiptarë.

Dmth, muzikantët në një farë mënyre bëjnë tregun e instrumentave?
Po, është e drejtë. Muzikantët në një farë mënyre e krijojnë tregun e instrumentave. Por, siç e përmenda edhe më sipër muzikantët tanë nuk kanë mundesi ekonomike dhe kështu nuk mund të investojnë në blerjen e instrumentave cilësorë. Duke marrë parasysh faktin që vendi jonë eshte një vend në zhvillim dhe ka prioritete të tjera për momentin, tregu i instrumentave nuk është në lartësinë e duhur.
Cfarë bëni ju për të promovuar punën tuaj?
Përveç pjesëmarrjes në programe televizive, krijimit të nje website (ervingjoni.com) dhe metodave të zakonshme të reklamimit, (fletepalosje,kartvizita) kam marrë pjesë në disa panaire të artizanatit, mes të cilëve në Panairin e Artizanatit që u zhvillua në qytetin e Gjirokastrës, ku u vlerësova me çmimin “Produkti më i mirë artizanal i Panairit të VI Kombetar të Trashëgimisë dhe Artizanatit”. Megjithatë, për mua mbetet shumë i rëndësishëm kontakti i drjetperdrejtë dhe bashkëveprimi me muzikantin, në mënyrë që të perfeksionoj tingullin e instrumentave të mi.

A ka violina të krijuara nga Antonio Stradivari në Shqipëri?
Gojëdhenat thonë që, në Shqipëri ka patur 2 violina të ndërtuara nga mjeshtri i madh. Po gojëdhenat, thonë që fill pas Luftës së Dytë Botërore,njëra nga këto përfundoi në Bullgari dhe tjetra në Greqi në fillim të viteve 90’.

Violinat janë vetëm “Stradivari”?
Jo, nuk jane vetëm Stradivari. Në qytetin ku unë kam studiuar, në vitet 1500 – 1600, u krijua një kastë e tërë liutaiosh, sot perfaqësuesit më të mëdhenj të Liuterisë boterore, si: Familja Amati, Guarnieri, Ruxheri,etj.. Por, Stradivari është eksponenti më i spikatur në Artin e Liuterisë, shembull për të gjithë pasardhësit në këtë art, në rradhët e të cilëve bëj pjesë edhe unë.

(BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›