“Tallava” sheshe

“Kosovsko pitanje” libër i shkruar nga ekonomisti dhe politikani kroat, Branko Horvat, është botuar qysh para 25 viteve. Libri nis me gjenezën e problemeve të Kosovës, islamizimin dhe pasojat e tij, Lidhjen e Prizrenit, Kishat Serbe Ortodokse në Kosovë dhe gjuhën shqipe si instrument për gjenocidin që ishte gati të merrte rrugë. Librin e shkruar në gjuhën serbe për 10 euro mund ta blejë çdo kalimtar edhe sot midis Prishtinës në tendat e librave krejt në fillim të sheshit “Nëna Terezë”, aty ku përfundon tjetri, “Zahir Pajaziti”, shkruan gazeta Zëri.
Ky i fundi është pothuajse jo aktiv, e krejt çka ka janë vetëm disa pllaka që ia japin këtë emër, apo e sjellin vetë figurën “e zbraztë” të dëshmorit. Pak poshtë tij, tualetet publike kanë nisur punën, por asgjë më shumë. Në dalje të sheshit, ose në hyrje prej ndërtesës së Qeverisë, një kamion i madh me targa VR ka transportuar e deponuar mjete e kukulla për ato që më pas do të vishen me tekstil në “Benetton”, kjo duke u munduar të ruhen “vlerat kulturore” të ndërtesës së ish-Hotel “Unionit” e cila mori flakë në gusht të vitit 2009.
Para Ministrisë së Kulturës, djelmosha kosovarë maten me muskuj. Shumë afër objektit që menaxhon kulturën e shtetit, shpesh dëgjohet një krismë e fortë, kjo për të matur kush më shumë e ka goditur boksin e madh. Për ta ka edhe zgjedhje të rripave, e të tillë shiten pothuajse çdo dy hapa tek ai që u quajt “sheshi i rrezatimit”. Në sheshet tona nuk gjen ndonjë muze arkeologjik apo etnografik, ndonjë librari të madhe, një galeri artesh, pos disa zërave që së fundmi kërkonin ndihmë për fëmijët e sëmurë e që rezultuan mashtrues e shpëlarës parash.
Të rralla janë edhe performancat artistike, e të tilla ndodhin vetëm në ditë festive si ajo e fëmijëve apo dita e Çlirimit të Prishtinës. Shesheve u mbeten vetëm disa përmendore e që nuk janë lënë stabile e nuk janë pastruar për kohë të gjatë. /Zëri/