E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Task Force” kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në Kosovë

PRISHTINE- Kritikat e faktorëve relevantë ndërkombëtarë për mungesën e rezultateve në luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit kanë shtyrë Qeverinë e Kosovës dhe EULEX-in që të planifikojnë krijimin e një force të veçantë që do të luftojë këto fenomene. Burime të gazetës “Koha Ditore” kanë bërë të ditur se shtetet e pescesh gjatë takimeve të fundit kanë kërkuar nga EULEX-i dhe Qeveria e Kosovës rezultate të prekshme dhe të shpejta, në mënyrë që të vazhdojë mbështetja e shteteve të fuqishme për Kosovën, edhe në aspektin e integrimit të veriut. Thirrjet për rezultate janë fuqizuar në takimin e së hënës të Grupit Ndërkombëtar Drejtues për Kosovën në Vjenë, ku 25 shtete që e kanë njohur Kosovën e që janë anëtare të këtij grupi e kanë bërë një thirrje të tillë edhe publikisht. “Task Forca” mendohet të jetë përgjigjja e Qeverisë së Kosovës dhe e EULEX-it ndaj kësaj thirrjeje. Sipas burimeve të gazetës, ideja për krijimin e këtij grupi të veçantë është diskutuar edhe në takimet e Bordit të Përbashkët për Sundimin e Ligjit, i cili kryesohet nga zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi dhe shefi i EULEX-it, Yves de Kermabon. Plani që është duke u hartuar nga Zyra e Kryeministrit dhe EULEX-i parashikon që “Task Forca” të përbëhet nga prokurorë vendës e ndërkombëtarë dhe zyrtarë policorë që do të merren ekskluzivisht me luftimin e krimit të organizuar dhe korrupsionit. Grupi i ekspertëve do të ketë paga të veçanta, mbrojtje fizike dhe do t’u ofrohen edhe kushtet e tjera, në mënyrë që puna e tyre të jetë sa më efikase. Iniciativën e ka konfirmuar për “Kohën Ditore” zëvendëskryeministri Hajredin Kuçi. Sipas tij, formimi i “Task Forcës” “është rezultat i vullnetit politik të Qeverisë së Kosovës për luftimin e këtyre fenomeneve negative”. “Unë besoj se shumë shpejt do të krijohet ky grup. Do të ketë mbështetje të plotë financiare dhe fizike. Aty do të përfshihen prokurorët vendorë dhe ndërkombëtarë, por edhe njerëz të policisë që do të kenë edhe mbështetje të sigurisë, por edhe mbështetje materiale të veçantë nga ne”, ka thënë zëvendëskryeministri Kuçi. Përderisa EULEX dhe Zyra e Kryeministrit konfirmojnë edhe zyrtarisht planifikimet për një prezencë të tillë, Ministria e Drejtësisë duket të mos ketë informacione të tilla. Ministrja e Drejtësisë, Nekibe Kelmendi, ka thënë se ministria që udhëheq ajo është duke hartuar projektligjet që do të ndihmojnë në këtë fushë, por, sipas saj, ende nuk ka ndonjë informacion për krijimin e “Task Forcës”. Raporti i progresit dhe raporte të tjera ndërkombëtare e kanë ranguar Kosovën si vend me nivel të lartë të korrupsionit dhe kanë vlerësuar se në vend zhvillohet krimi i organizuar. Zëdhënësja e EULEX-it, Karin Limdal, ka thënë se ideja është e përbashkët dhe se misioni i BE-së për sundimin e ligjit në Kosovë ka qenë i konsultuar për këtë çështje. Në thirrjen e tyre Grupi Drejtues Ndërkombëtar, i cili përbëhet nga 25 shtete që e kanë njohur pavarësinë e Kosovës, ka thënë se përparimi duhet të jetë urgjent. (d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›