E Diel, 1 Nëntor 2026

“NL.AL media”, një revistë e re holandisht-shqip

Javën e kaluar, u përurua në Dortrecht të Holandës një revistë dygjuhëshe, holandisht-shqip. E para e këtij lloji në Mbretërinë e Holandës, revista titullohet: “NL.AL media”. Ajo ka gjashtëdhjetë faqe të përmasave A4, është e ilustruar dhe me ngjyra.Në tubimin përurues, mbajtur në njërën nga sallat e Kishës Paulus (Paulus Kerk), përveç të ftuarve të shumtë vendas nga bashkësia shqiptare, ishin të pranishëm përfaqësues të Ambasadave të Republikës së Shqipërisë dhe të Republikës së Kosovës në Hagë, në krye me ambasadorët Gazmend Barbullushi dhe Nexhmi Rexhepi, ish konsulli i Holandës në Shqipëri gjatë viteve 1995-2000, zoti Johan Te Velde, përfaqësues nga organet qeverisëse vendore etj. Ishte i pranishëm edhe zoti Ziadin Yzeiri, përfaqësues i shoqatës shqiptare “Kosova”, me qendër në Dortrecht. Të interesuar nga bota e biznesit, mund të përmend përfaqësues të kompanisë ajrore Malev për Holandën dhe Belgjikën, përfaqësues të Dhomës së Tregtisë të Amsterdamit, të Anversës (Belgjikë) etj.Pas përshëndetjes nga ana e botueses, zonjës Evis Babani, në tubim përshëndetën ambasadori i Shqipërisë, zoti Barbullushi dhe zoti Johan Te Velde. Që të dy folësit përshëndetën nismën e zonjës Evis dhe vunë në dukje rëndësinë e botimit të revistës. Zoti Te Velde, njohës i mirë i problemeve shqiptare, shtoi se “dalja në dritë e revistave dygjuhëshe si kjo që po përurojmë, ndryshe nga shumë revista të huaja njëgjuhëshe që botohen në Holandë, do të ndihmonin për të njohur më mirë problemet mes dy vendeve, Holandës dhe vendit të emigracionit përkatës”.Pas ceremonisë përuruese, botuesja dha një koktej të pasur ku të pranishmit shkëmbyen mendime të vlefshme për të ardhmen e revistës dhe për mënyrat e integrimit sa më të plotë të shqiptarëve të ardhur rishtas në Holandë. Me rastin e tubimit në fjalë, u promovua edhe libri në gjuhën holandisht “Kujtime nga Shqipëria 1964-2009, me fjalë dhe figurë” (Albanië Herinneringen 1964 in woord en beeld”) i autorit Dolf Went, i cili ka arritur në përfundimin se ”...është koha që Shqipëria duhet të njihet kudo”. është shumë interesante të theksoj se ballina e librit, e kuqe me shqiponjën e zezë dykrenore, paraqet flamurin e Republikës së Shqipërisë.*** Zoti Ziadin Yzeiri, shqiptar nga Gjilani me banim në  Holandë prej më se dyzet vjetësh, e vlerësoi me të drejtë nismën e zonjës Evis si “një vlerë me brendi atdhetare që do të lexohet me interes nga brezat dhe nga historianët e së ardhmes”. Siç e përmenda, revista “.NL.AL media”, ka gjashtëdhjetë faqe, e gjitha e ilustruar, me foto dhe me ngjyra. Revista hapet me një parathënie, ku botuesja shtjellon në të dyja gjuhët shtysat që i nxitën ndërmarrjen e vështirë të botimit të revistës, nga të cilat ajo veçon njohjen e ndërsjelltë të botës shqiptare, nga njëra anë, dhe asaj holandeze e më tej, nga ana tjetër. Duke kaluar nga faqja në faqe, ajo sjell pamje nga Berati, rënien e përmendores së diktatorit Enver Hoxha përmes fotove të fotografit të njohur shqiptar Armando Babani, receta me gatime të kuzhinës shqiptare dhe holandeze, figura të personazheve holandeze që kanë ndihmuar Shqipërinë qysh me fillimin e proceseve demokratike, poezi në gjuhën shqipe dhe holandishte, intervista, pak politikë etj.Në këtë numër të parë të revistës, janë interesante tri intervista të tre diplomatëve: Henk G. C. Van den Dool, ambasador i Holandës në Tiranë, Gazmend Barbullushi dhe Nexhmi Rexhepi, përkatësisht ambasadorë të Shqipërisë dhe të Kosovës në Hagë. Në thelb të  intervistave, qëndron propagandimi i problemeve shqiptare në rrafshin ndërkombëtar, çka do me thënë njohja e mëtejshme e Republikës së Kosovës si shtet i pavarur, dalja e shqiptarëve nga mentalitet e ndikuara prej regjimeve sllavo-komuniste dhe afrimi i tyre me Bashkimin e Europian.Për të vërtetuar sa më sipër, mjafton të citoj shkurtazi ambasadorin holandez në Tiranë: ”Gruaja ime është polake dhe asaj i pëlqen shumë ky vend (Shqipëria, EB). Në Poloni ajo ka përjetuar komunizmin, megjithëse komunizmi atje ishte i një kalibri tjetër nga ai në Shqipëri. Ajo ka përjetuar edhe periudhën e tranzicionit atje dhe është interesante të shikojë paralelizmat me Shqipërinë. Shqipëria është një vend shumë më mesdhetar nga sa e kisha menduar unë. Dhe jo vetëm për ushqimin. Mund t’ju them këtë: kur ha këtu gjellë italiane, ato shpesh janë më të shijshme se në Itali. Perimet, frutat, mishi dhe peshku i freskët janë fantastike. Në këtë vend nuk kam nevojë të kërkoj verëra të mira franceze, sepse ka mjaft verëra shqiptare që janë shumë të shijshme. Dhe ambasador ose jo, mua gjithmonë më pëlqen të ha një copë byreku që shitet në cepin e rrugës këtu pranë.”Thënie më koncize, më kuptimplote për Shqipërinë, për historinë e saj të afërt nën vargonjtë e komunizmit, për vlerat turistike dhe për aspiratat e shqiptarëve, nuk do ta kisha pritur kurrë nga një i huaj.Revista u ka lënë vendin e nevojshme edhe zhvillimeve të fundit në hapësirën shqiptare. Sa u takon atyre politike, kësaj here citohet fjala e zotit Ilir Meta, Nënkryeministër dhe Ministër i Jashtëm i Shqipërisë, nën titullin: “Vazhdimësi përmes ndryshimeve”. Kurse, sa u takon të rejave në fushën e sportit, dy faqe të veçanta, me shpjegimet përkatëse i kushtohen Motosport Club Albania. Nuk mungojnë as poezitë në gjuhën shqipe dhe holandishte si ato të Albana Shalës, e para poete shqiptare e botuar në gjuhën holandeze, as përshkrimi i figurave historike si ajo e Selman Stërmasit, futbollistit të njohur shqiptar të gjysmës së parë të shekullit të kaluar.Në përfundim, do të thosha se revista është e këndshme, e realizuar me pasion, me kritere të qarta atdhetarie dhe me shije bashkëkohore.Le t’i urojmë zonjës Evis, stafit të saj botues dhe bashkëpunëtorëve të revistës, punë të mbarë në nismën e tyre të vyer....

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›