E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Të pagjeturit”, seanca e Kuvendit ndërpritet që në fillim, largohet opozita

PRISHTINË- Seanca plenare e Kuvendit të Kosovës, e filluar dje, u ndërpre sot që në fillim për mungesë kuorumi pasi opozita lëshoi sallën në shenjë mospajtimi për "shkelje procedurash", ndërsa po nxirrej në votim mocioni i grupit parlamentar të PDK-së "Për harmonizimin dhe nxjerrjen e një dokumenti të përbashkët" nga dy dokumente të aprovuara pas debatit parlamentar lidhur me çështjen e personave të zhdukur në seancën e 3 majit dhe pas interpelancës së djeshme të zv/kryeministres Edita Tahiri lidhur me fatin e të zhdukurve në raport me bisedimet me Serbinë, në Bruksel.

Grupi parlamentar i LDK, i përkrahur edhe nga grupet e tjera opozitare, tha se "votimi ka përfunduar dje, ka qenë çdo gjë sipas procedurave", duke shtuar se "kjo që sot tendohet është shkelje e procedurave" .

"Ne nuk dëshirojmë të bëhemi pjesë e shkeljes së procedurave nga institucioni më i lartë i vendit, institucioni ligjvënës, prandaj ne nuk do të qëndrojmë në sallë dhe nuk do të përkrahim këtë mocion", deklaroi grupi parlamentar i partisë më të madhe opozitare.
Edhe pas pushimit të dhënë, seanca nuk vazhdoi punimet për mungesë kuorumi dhe u shty për të martën, meqë siç u konstatua nga kryesuesi në sallë ishin gjithësejt 36 deputetë të Kuvendit 120 anëtarësh.

Dokumenti i aprovuar dje në Kuvend pas debatit rreth mocionit kushtëzon vazhdimin e bisedimeve me Serbinë me zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.
(el.me/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›