E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Djathtizmin’ e PDK-së e determinoi programi qeverisës

Gjithkush që e ka përcjell Konventën e gjashtë të PDK-së këtë vikend dhe i ka dëgjuar delegatët e partisë më të madhe duke brohoritur “Edi, Edi...”, emrin e liderit socialist shqiptar Edi Rama teksa ngjitej në foltore për të përshëndetur këtë aktivitet partiak, ka menduar se partia e Hashim Thaçit përfundimisht po rreshtohet si parti me profilizim të majtë.

Mungesa e kryetarit të Partisë Demokratike të Shqipërisë Sali Berisha aty, ka qenë edhe një bindje tjetër për këtë. Por, kjo ka qenë në ditën e parë të Konventës.

Të nesërmen u shua kureshtja. Lideri i PDK-së Hashim Thaçi e konfirmoi përfundimisht profilizimin e partisë që e drejton që nga themelimi. Ai tha se PDK është parti e qendrës së djathtë.

Deklarimin e profilizimit të PDK-së si parti e qendrës së djathtë, analistët politik e shohin si diçka normale, meqenëse sipas tyre, kjo parti që udhëheqë me qeverisjen e vendit qe pesë vite shumicën programit qeverisës e ka pasur të djathtë.

Analisti politik Milazim Krasniqi mendon se pozicionimi i PDK-së si parti e qendrës së djathtë de fakto është ndjekje e programit qeverisës të cilin e udhëheqë kryeministri Hashim Thaçi qe disa vite.

“Pra po të shikoni programin qeverisës, faktikisht ai program i qendrës së djathtë sepse privatizimi masiv fjala vjen është indikatori kryesor i këtij profilizimi ideologjik. Kështu që partia ka evoluar në të djathtë në pajtim me frymën qeverisëse. Natyrisht për këto vite edhe PDK-ja ka evoluar, ka ndryshuar siç tha edhe vet kryeministri në konventën e partisë. Ai tha ‘ne kemi ndryshuar të gjitha dhe kjo na ka bërë mirë të gjithëve’. Pra partia ka ndryshuar në një Kosovë 14 vjet pasluftës bashkë me gjitha ndryshimet që kanë ndodhur në të gjitha rrafshet”, tha Krasniqi për “Tribuna Shqiptare”.

Profilizimi i PDK-së, sipas tij është një zhvillim i natyrshëm dhe legjitim i kësaj partie.

“Tani mbetet të shihet vetëm se si do të akceptohet kjo. Vet fakti se nga mbi 700 delegatë sa ishin në Konventë nuk kishte asnjë kundërshtim për një pozicionim të tillë, mua më rezulton që ambienti, klima politike është përgatitë për këtë pozicionim prandaj mendoj se ka qenë e pritshme dhe e natyrshme”, ka thënë Krasniqi.

Ndërsa, koordinatorja e programit “Fridrich Ebert Stiftung” në Kosovë, Besa Luzha, mendon se profilizimi i partive politike në Kosovë është i vonuar, por edhe shumë specifik.

“Kjo ngase partitë politike në Kosovë janë formuar në rrethana krejtësisht ndryshe nga partitë ekzistuese të cilat njihen si të spektrit të majtë apo të djathtë”, tha Luzha për “Tribuna Shqiptare”./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›