E Shtunë, 31 Tetor 2026

‘Një ditë për punëtorët’, sindikalistët të përcarë. Nikollaj-Kalasë: Ke bashkëpunuar me Berishën

TIRANË- Sot më 1 Maj, kur shënohet festa e punëtorëve edhe emisioni “Të bësh ekonomi” i gazetares  Aurora Sulçe ia ka kushtuar pikërisht atyre. “Një ditë për punëtorët” është kjo tema e emisionit të sotëm.

Të ftuar në këtë emision ishin sot Gëzim Kalaja, kryetar i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Jonuz Gjetani, zv/president i Sindikatës së Minatorëve, Kol Nikollaj, president i Konfederatës së Sindikatave, Sadedin Fishta, kryetar i Sindikatë së Punonjësve të Policisë.

Emisioni është shoqëruar me debate të forta mes Kol Nikollajt dhe Gëzim Kalasë duke treguar edhe përcarjen mes sindikalistëve në vend.

“Konfederata është inekzistente” ka deklaruar kryetari i Bashkimit të Sindikatave të Pavarura Kalaja, ndërsa Kol Nikollaj e ka akuzuar këtë të fundit se i ka mbyllur derën punëtorëve dhe se nuk e njeh më protestën.

“T’i merr tre pensione prandaj nuk del asnjëherë në grevë e protesta. Sindikata jote i ka mbyllur dyert për punëtorët. Kalaja ka frikë që nuk proteston se e vrasin”, tha Nikollaj.

Si kundërpërgjigje Gëzim Kalaja u shpreh se, “Kol Nikollaj ka deficenca të lidershipit, nuk ka histori, nuk ka origjinë”.

Ndërsa Nikollaj u shpreh se kjo sindikatë përbëhet nga pensionistë. “Mos i bëni sindikatat me 100% pensionista”, i tha ai Kalasë.

Kalaja më tej ironizoi protestën e Konfederatës me rastin e 1 Majit. “Ato që thotë mendon se i bën. Sot në protestë me 15 veta. Kaq veta mua më mblidhen kur shkoj të rruhem tek berberi. Ne i lëmë punonjësit krejt të lirë”, tha ai.

Ndërsa Kol Nikollaj akuzoi kryeministrin Berisha për shkatërrimin e sindikatave. "Ti je bashkëpunëtor i Berishës. Ke tradhtuar punëtorët kur bashkëpunon me të”, iu drejtua ai Kalasë.

Duke u ndalur tek puna e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura, Kalaja komentoi që, “Pas vitit 1992 BSP filloi mbrojtjen e interesave të punëtorëve. Ekonomia sot është ekonomi tregu, sot nëpërmjet kontratave kolektive cdo gjë është privatizuar, bashkëpunimi ynë me kompanitë private është pozitiv”, tha ai.

Ndërsa kryetar i Sindikatë së Punonjësve të Policisë, Sadedin Fishta përmendi problemet e sindikatës së tij, ndërsa tha se policia sot është e diskriminuar nga pjesa tjetër e administratës.

“U krijuam për të mbrojtur interesat e 9 mijë punonjësve, ne në bazë të kontratës punëdhënës kemi shtetin. Ne si sindikatë kemi kryesore mbrojtjen e interesave sociale dhe ekonomike të policisë. Por sot duhet të vlerësojmë gjendjen reale të policisë, pa mohuar arritjet. Një ndër problemet është diferenca e trajtimit të policëve në lidhje me pjesën tjetër të administratës. 70% më poshtë janë pagat e policëve në krahasim me administratën”, tha ai. 

Jonuz Gjetani, zv/president i Sindikatës së Minatorëve foli për situatën në minera, ndërsa nuk nguroi të akuzonte Kol Nikollajn për përdorim të grevës së minatorëve.

“Sot në industrinë minerare ka kompani private dhe janë serioze, por ka edhe inxhinerë që kanë marrë firma private kanë bërë kushte të përshtatshme. Nëntoka ka riskun e saj, ka avari, nuk është punuar aq sa duhet në ato minera që vuri dorë politika. Kol Nikolla përdori minierën për pazare të veta”, tha ai.

“Ti nuk duhet të ishe sot këtu”, iu drejtua Nikollaj këtij të fundit.

Sipas Nikollajt, “Sindikatat janë përfaqësueset ligjore të punonjësve. Ne kemi punuar me forca dhe vepra, jemi sindikatë bashkëkohore dhe europiane, kemi forcuar kapacitetet, kemi reformuar vetëvetën kemi ditur të degjohemi. Ku nuk kemi pasur rezultate, kemi përdorur edhe muskujt. Ne po sjellim emancipimin e punëtorisë shqiptare. Sektorët provatë janë më problematik, minierat për kushtet e punës më problematiket, ne për këtë kemi bërë debate greva e protesta. Kjo vjen si rezultat i një politike të shterpë, i prishi ekuilibrat, i përcau sindikatat, sot ato janë pa autoritet të shëndoshë. Ka 500 mijë punëtorë të pakënaqur. Unë po flas si një lider sindikate që punoj me prioritete”, tha ai.

Ai shtoi se, “Nuk punojmë për tu përcarë. Mua më intereson kënaqja e punëtorëve, paga e tyre sot është pranueshme. Ka probleme pasi puna është me risk".
(ma.ar/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›