E Diel, 1 Nëntor 2026

“Çmenden” çmimet e ushqimeve, raporti i BB: 6% nga piku i 2011-tës

Cmimet e ushqimeve në botë pësojnë përsëri rritje duke kërcënuar sigurimin e ushqimit për miliona njerëz. Sipas të dhënave më të fundit të bëra publike në raportin e Bankës Botërore ushqimet janë rritur me 8 përqind në katër muajt e fundit, që do të thotë se janë vetëm 6 përqind më pak se kulmi i cmimeve më të larta që u shënuan në shkurt të 2011-tës.

Banka Botërore ka bërë të ditur se çmimet e ushqimit janë përsëri në rritje, për shkak të çmimeve të larta të naftës, kërkesave të mëdha të Azisë për importe të ushqimit, si dhe kushteve të këqija atmosferike në disa pjesë të Evropës, Amerikës së Jugut dhe të Shteteve të Bashkuara.

Çmimi i naftës në tregjet globale është rritur me 13 për qind krahasuar me dhjetorin e vitit të kaluar, duke rritur kostot e fermerëve, që e kanë reflektuar atë në çmimet e artikujve ushqimorë. I vetmi produkt ushqimor që nuk ka pësuar rritje të cmimit sipas raportit të Bankës Botërore, e madje që ka pësuar ulje është orizi.

Sipas raportit, çmimet e drithërave, yndyrave dhe vajrave, ashtu si edhe të ushqimeve të tjera, janë rritur çdo muaj nga janari i këtij viti. Ndërkohë që sipas të dhënave kohë më të vështira na presin nëse prodhimet e 2012-2013 nuk materializohen cmimet e ushqimeve mund të kenë nivele edhe më të larta rekordesh.

Sipas Otaviano Kanuto, nënpresidenti i Bankës Botërore për reduktimin e varfërisë dhe menaxhimin ekonomik, “pas katër muajve të rënies së vazhdueshme të çmimeve të ushqimit, ato janë përsëri në rritje dhe kërcënojnë sigurimin e ushqimit për miliona njerëz”. Banka Botërore ndër të tjera bën me dije se është duke punuar në zhvillimin e një sistemi për të përcaktuar, identifikuar dhe monitoruar rritjet e çmimeve të ushqimit në nivelet globale dhe kombëtare.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›