Afganistan, i infiltruari vret një ushtar të NATO-s

Një zëdhënës i NATO-s tha sot se një person i veshur me uniformë të ushtrisë së Afganistanit ka vrarë një ushtar të aleancës në pjesën jugore të Afganistanit.
Sipas tij sulmuesi ishte vrarë pasi forcat e koalicionit ishin përgjigjur me të shtëna armësh. Mësohet se incidenti ka ndodhur dje, ndërsa nuk janë dhënë detaje të tjera. NATO thotë se po zhvillohen hetime për këtë sulm.
Sulme të ngjashme ka pasur disa herë, për shkak të infiltrimeve të talibanëve apo të ushtarëve afganë, të zemëruar me vrasjen e 16 civilëve afganë nga një ushtar amerikan dhe për shkak të djegies aksidentale të Kuranit në bazën ajrore Bagram në Afganistan.