E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjobë kompanisë së shkarkimit të gazit në Porto Romano

Pas shqyrtimit të raportit të hetimit të thelluar nga sekretariati i AK dhe pretendimeve të ndërmarrjes “Romano Port” SH.A, Komisioni i Konkurrencës vendosi me shumice votash se shoqëria “Romano Port” SH.A ka abuzuar me pozitën e saj dominuese në tregun e ofrimit të ngarkim-shkarkimit të GLN-së në zonën e Porto Romanos.

Gjatë hetimit u konstatua se kjo duhet të ofrojë shërbimin e ngarkim shkarkimit të naftës, gazit, e nënprodukteve të tyre për çdo subjekt që paraqet këta dokumente tek autoritetet përkatëse, si ai i lëshuar autoritetet doganore, laboratori i kontrollit për cilësinë, autoritetet mjedisore si dhe dokument për pagesën e shërbimit që kryen porti. Autoriteti i Konkurrencës bën me dije se kjo kompani u ka kërkuar disa kompanive të tjera dokumente shtesë.

"Nga ana tjetër, ajo nuk ka kërkuar dokumente shtesë për disa ndërmarrje që veprojnë në fushën e importit dhe tregtimit me shumicë të naftës,te cilat gjatë periudhës objekt hetimi kanë marrë shërbimin e shkarkimit të naftës duke shfrytëzuar depozitat e tyre. Në këtë mënyrë “Romano Port” SHA. ka zbatuar kushte të pabarabarta për veprime tregtare të njëjta me palët, pavarësisht se operatorët e sipërcituar operojnë në tregje të ndryshme (depozitim dhe tregtim me shumicë të naftës dhe depozitim dhe tregtim me shumicë të GLN-së) duke i vendosur ato në gjendje të pafavorshme për të realizuar me eficence aktivitetet e tyre respektive”, thuhet në njoftim.

Si konkluzion, Komisioni i Konkurrencës konstaton se ndërmarrja “Romano Port” SHA zotëron pozitë dominuese në tregun e ngarkim-shkarkimit të GLN-së në rrugë detare gjatë periudhës objekt hetimi. Ky operator në mënyrë të përsëritur ka refuzuar të realizojë procesin e shkarkimit të GLN-së për operatorët që kanë investuar për kapacitet depozituese në pronësi të tyre duke paraqitur arsye të paligjshme dhe të paarsyeshme.

Ky refuzim lidhet me interesat ekonomike të drejtpërdrejta të këtij operatori në tregjet e rrjedhës së poshtme pra, atë të depozitimit dhe të tregtimit me shumicë të GLN-së, duke sjellë kufizimin e konkurrencës në këto tregje. Për këtë arsye Komisioni i Konkurrencës, në bazë ligjit 9121 “për mbrojtjen e Konkurrencës”, vendosi me shumicë votash gjobitjen për këtë shkelje të rëndë të ndërmarrjes “Romano Port” SHA në masën 2.35% të xhiros totale të kësaj ndërmarrje për vitin 2010 që korrespondon me shumën  6,735,419 lekë.

Gjithashtu Komisioni vendosi urdhërimin e “Romano Port” SHA të mos kushtëzojë ofrimin  e shërbimit të ngarkim-shkarkimit duke krijuar pengesa me sjelljen e saj ndaj ndërmarrjeve që operojnë në tregun e depozitimit dhe të importit e tregtimit me shumicë të GLN-së. /Start/

                                                                                             2012-04-26 14:12
   

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›