Protesta, tregtarët refuzojnë rritjen e taksave
Sot protestë para Prefekturës: Fuqia blerëse ka rënë dhe taksat na detyrojnë të falimentojmë
ELBASAN- Rreth 100 tregtarë të fruta-perimeve dhe të bulmetrave në Markatën kryesore të qytetit kanë protestuar mëngjesin e djeshëm, duke u grumbulluar para bashkisë së Elbasanit. Ata janë përballur gjatë muajit janar me një shtesë takse prej 2500 lekësh të reja. Kjo shtesë nuk është mirëpritur dhe po kështu sasia e parave që duhet të paguajnë për licencimin ka hasur në refuzimin e tyre. Një përfaqësi e tregtarëve janë pritur nga kryetari i baskisë, Qazim Sejdini. Ky i fundit ka deklaruar se ky vendim nuk vjen nga bashkia dhe taksa nuk është vendosur nga kjo e fundit, por nga një vendim i Ministrisë së Financave. Vendimi i ka gjetur të painformuar tregtarët, të cilët e kanë quajtur këtë taksë si një detyrim për t'i dhënë fund aktivitetit të tyre të përditshëm. "Me fitimin që marrim mbajmë familjet dhe sa vjen e ky fitim po bëhet më i vogël. Fuqia blerëse ka rënë dhe mjafton shtimi i kësaj takse, që ne të mbyllim tezgat dhe të mos kthehemi më në punë",-deklaruan tregtarët gjatë takimit me kreun e bashkisë. Ata kanë lajmëruar vendosmërinë për vazhdimin e protestave deri sa të fitojnë atë që ata e quajnë të drejtë, heqjen e kësaj takse. "Nuk është e mundur që një tezgë shitësi të paguajë 15 mijë lekë të reja në vit veç taksave të tjera siç janë pastrimi",- thonë ata. Pasi kanë dëgjuar kryebashkiakun Sejdini dhe shpjegimet e tij lidhur me këtë vendim, tregtarët kanë vendosur ta vazhdojnë protestën ketë herë përpara prefekturës. Ata kanë paralajmëruar një tjetër protestë mëngjesin e sotëm, para prefekturës Elbasan.