E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmenduria e fundit: 150 milionë për Kakanë!

 

Çelsi bën mësymjen e fundit. Abramoviçi dhe Skolari janë të bindur se mund ta marrin brazilianin

Milan, kujdes nga ata të dy! Përgënjeshtrimet e Galianit nuk mjaftojnë për t'i ndaluar Roman Abramoviçin dhe Felipao Skolarin. Për padronin dhe trajnerin e Çelsit, blerja e Kakasë është një mision mëse i pamundur. Milionat e rusit kundër komunikatave ditore të milanistëve: Kaka, "absolutisht i pashitshëm," - e stimulon Abramoviçin të mësyjë. Është kaluar kufiri i 100 milionë eurove, shifra që Ramon kalderoni vë para Mançester Junajted, në pritje që Kristiano Ronaldo ta bindë Aleks Fergusonin të largohet.

REKORD - I 15-i në renditjen botërore miliardere të revistës "Forbes", Abramoviç ka bërë një ofertë prej 150 milionë eurosh. Por Galiani i ka thënë "jo" edhe kësaj shifre rekord botëror (që i takon Realit me blerjen e Zidanes për 65 milionë euro nga Juvja), por te Çelsi janë të bindur se koha dhe kapitalet janë në anën e tyre. Që tani e deri më 31 gusht, që është mbyllja e merkatos verore, edhe Kaka mund t'ia japë lamtumirën Milanit, për të vrapuar drejt "Stemford Brixhit".

SHEVÇENKO - Ka ndodhur dy vjet më parë me Shevçenkon. Galiani i refuzonte ofertat e bosit rus, i siguronte tifozët milanistë se Sheva ishte i pashitshëm, derisa ukrainasi kërkoi transferimin, sepse donte që "fëmijët e tij ta mësonin anglishten në Londër", siç do të ishte e njëjta gjë në shkollat ndërkombëtare të Milanos. Kaka nuk duhet të ketë nevojë për një pretendim kaq banal: me 150 milionë euro mund të blesh lojtarët e një skuadreje të Serisë A. Diogo Kotsho, këshilltar i shtypit të Kakasë në Brazil, vazhdon "të vallëzojë" pranë zjarrit.

EPËRSI - Ashtu si një vit më parë, kur bëri të ditur se Kalderoni ishte gati të shpenzonte 90 milionë për Rikin. "Operacioni "Kaka-Çelsi" është në epërsi të të gjitha palëve në këtë çështje, - tha Kotsho. - Për Kakanë, përveç kontratës së re, është edhe 10% i transferimit, pra 15 milionë euro." Abramoviçi i hodhi sytë drejt "diamantit" milanist, qëkur e pa në "Botërorin 2006". Vitin e shkuar ishte gati të rivalizonte me Realin e Madridit, por këtë herë është i vendosur për gjithçka, sepse Felipe Skolari e kërkon Kakanë te Çelsi, aq sa dhe padroni i tij.

Për Abramoviçin, është një ndeshje shumë tërheqëse "pokeri" që, kur më 2003-shin e bleu Çelsin, ëndërron një skuadër "yjore". Por Mourinjo gjithnjë i ka nënvlerësuar blerjet "galaktike".

REVANSHI - Abramoviçi këmbënguli për Shevçenkon, madje duke bërë gjithçka. Tani, me mbështetjen e plotë të Skolarit, kërkon revanshin. Skolari i ka theksuar se Kaka, beniamini i tij që nga kohët e "Botërorit 2002", është elementi kyç i projektit të Çelsit të tij. Një vit më parë, Galiani dhe Milani spikatën mbi manovrat e Madridit. Por Kaka, para se të linte San Paolon, pranoi: "Ka skuadra që më duan, nuk e di si do të përfundojë".

"Çelsi është skuadra e duhur, - këmbëngul Kotsho. - Një skuadër që kërkon të fitojë gjithçka." Megjithatë, Galiani e mbyll gjithçka, duke konfirmuar për të disatën herë se Kaka është i pashitshëm."

Pesë më të shtrenjtët

75 milionë Zidane

Është blerja më e shtrenjtë e të gjitha kohëve, e barabartë me 75 milionë euro nga Juventusi te Reali i Madridit, verën e 2001 shit.

58 milionë Figo

Nga Barcelona te Reali i Madridit: shumë polemika dhe thuajse 60 milionë paguan "merengesat".

53 milionë Krespo

Në të njëjtën periudhë të Figos, por këtu u bë gjithçka në Itali. E shiti Parma, e bleu Lacio për 53 milionë.

50 milionë Ronaldo

Shitja erdhi nga ai 5 maj i mallkuar dhe solli një "thes" me parà në shtëpinë e Interit. Kush e bleu, i zakoshmi Real!

49 milionë Bufon

Ndoshta blerja më e papritur: është vera e 2001 shit, nga Parma portieri kalon te Juvja që, me një blerje siguron një 10 vjeçar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›