Çmim në Facebook:Dajti, 20 mijë euro për fotot dhe emrat e policëve që qëlluan
Fansa të Ledion Marës, mikut të Dritan Dajtit të vrarë në përleshje me forcat e rendit në Durrës më 7 gusht, “ofrojnë” 20 mijë euro për emrat e policëve që morën pjesë në aksion. Policia po mban në mbikëqyrje debatin që po zhvillohet në rrjetin social “Facebook” në internet, pas përpjekjeve që po zhvillohen aty për zbulimin e emrave të policëve që morën pjesë në aksionin për kapjen e Dritan Dajtit. Dy ditët e fundit, krijuesit e grupit me mbi 400 anëtarë, kanë shprehur në kryefjalën e tyre se japin 20 mijë euro shpërblim për ata persona që postojnë në internet, fotografinë e një oficeri me iniciale I.Gj., që ka marrë pjesë në aksionin për kapjen e Dajtit. Deri këtu duket se gjithçka është në përmasat e kuriozitetit. Por policia, e cila ka verifikuar debatin, është vënë në dijeni të kërcënimeve të hapura që i bëhen punonjësve të saj. Duke iu referuar katër oficerëve që mbetën të vrarë në Durrës, një pjesëmarrës në debat thotë se, “kështu do ta pësoni o policë. Doni të lëmë të qetë policët e vrarë, na lini të kujtojmë Ledionin, kjo është negociata, ndryshe do të vihet në jetë skenari im”. Pas këtyre artikulimeve policia ka vendosur të mos qëndrojë duarkryq. Dy oficerë janë ngarkuar të mbajnë në mbikëqyrje debatin në fjalë, ndërsa çdo material për këtë çështje i referohet menjëherë Prokurorisë për vlerësim. Sipas materialit të referuar në prokurori nga policia, krijuesit dhe ideatorët e grupit janë përdorues të internetit nga IP-adresa të lokalizuara në Lushnjë, ndërsa anëtarët janë nga disa qytete të vendit, kryesisht nga Tirana.
Hetimi
Burime nga policia e Tiranës pohuan dje se është referuar në Prokurorinë e Tiranës materiali kallëzues për personat që po adresojnë kërcënime ndaj punonjësve të policisë. Organi i akuzës në kryeqytet duket se ka filluar hetimet për personat që po organizojnë fyerjet dhe kërcënimet në internet. Ndërkaq objekti kryesor i hetimit është qëllimi për të cilin është vendosur shpërblimi prej 20 mijë euro, për fotografinë e policit që ka marrë pjesë në aksionin për kapjen e Dajtit. Hetuesit kanë dyshime ende të paprovuara plotësisht për ndonjë tentativë hakmarrjeje. Thirrjet dyshohet se vijnë nga fansa të Ledion Marës, të riut nga Lushnja, i cili mbeti i vrarë gjatë betejës së Dajtit me forcat e policisë. Vrasja e Marës ndodhi pasi katër oficerët e policisë të shpallur “Dëshmorë të Atdheut” ishin qëlluar me armë duke humbur jetën. Policia është vënë që në fillim në dijeni të “luftës” që po zhvillohet në “facebook”, por ka ndërhyrë vetëm në momentin kur dikush, i nxitur ndoshta nga shpërblimi i premtuar prej 20 mijë euro, ka përmendur inicialet I.Gj., duke folur për një prej policëve pjesëmarrës në aksion. Burime zyrtare të Prokurorisë, thonë se inicialet në fjalë nuk i përkasin asnjë prej efektivave të angazhuar në aksionin për kapjen e Dajtit. Veç katër oficerëve të vrarë, në këtë operacion morën pjesë edhe 12 policë të tjerë, por të dhënat e publikuara në internet nuk korrespondojnë me emrat e asnjërit prej tyre. Por pavarësisht kësaj, policia duket se ka ndërhyrë për të identifikuar autorët e këtij fenomeni para se të rrezikojë me publikimin e emrave të punonjësve që ndoqën dhe arrestuan Dritan Dajtin.
Lufta në internet
Vetëm pak ditë pasi Ledion Mara gjeti vdekjen gjatë arrestimit të Dritan Dajtit në Durrës, në rrjetin e njohur në internet u shfaq një grup fansash të tij. Ata hodhën në rrjet disa fotografi të personit të vrarë nga policia, duke organizuar më pas një debat që kritikon ashpër veprimet e forcave të rendit, ndërsa vlerëson të riun e vrarë gjatë aksionit. Në diskutim kanë ndërhyrë më pas persona që u përkasin qëndrimeve të kundërta. Njëra palë mbron Policinë e Shtetit, ndërsa pala tjetër vlerëson Ledion Marën. Debatuesit kanë lëshuar akuza ndaj policisë, ndërsa pala tjetër është përgjigjur në të njëjtën mënyrë. Rreth 400 persona janë anëtarësuar në grupin që mban emrin e Ledion Marës. Pjesa më e madhe e personave që kanë debatuar duket se janë prezantuar me nofka, duke mos përdorur identitetin e tyre të vërtetë.
Kërcënimet,Prokuroria nis hetimin
tirane - Kërcënimet në “Facebook” të policëve që morën pjesë në aksionin për arrestimin e Dritan Dajtit, kanë vënë në lëvizje policinë e kryeqytetit, e cila ka nisur mbledhjen e të dhënave për këtë çështje. Materiali i grumbulluar i është dërguar Prokurorisë së Tiranës, nga ku njoftohet se ende nuk ka nisur çështja penale, pasi informacioni i dërguar ndodhet në fazën e vlerësimit paraprak. Sipas përfaqësuesve të prokurorisë nëse në materialin kallëzues të policisë do të vërehen elementë të veprës penale pritet që të regjistrohet procedimi penal. Ndërkohë, zyrtarisht policia e kryeqytetit e mohoi dje faktin e dërgimit të materialit hetimor në prokurori, duke pretenduar se nuk kishte dërguar informacione në prokurori. Kurse prokuroria nga ana tjetër pohoi se në bazë të informacionit policor janë identifikuar tre përdorues interneti në qytetin e Lushnjës, të cilët kanë përdorur adresat nga të cilat janë krijuar grupi dhe klubi i fansave të Ledion Marës, kushëririt të Dritan Dajtit që mbeti i vrarë më 7 gusht. Po kështu nga këta kompjuterë janë dërguar dhe komentuar mesazhet kërcënuese ndaj efektivëve blu që morën pjesë në aksionin e 7 gushtit në plazhin e Durrësit. Sipas prokurorisë burimi i internetit nga këta kompjuterë është serveri i Albtelekom, ndërsa pas identifikimit po shihet nëse bëhet fjalë për përdorues individualë të këtyre kompjuterëve apo kafe internet.
Kodi: Krimi kompjuterik, 6 vjet burg
TIRANE – Deklaratat e bëra në internet në lidhje me emrat e punonjësve të policisë që morën pjesë në aksionin “Dajti” si dhe ofrimi i shpërblimeve për fotografitë e tyre, sipas policisë parashikohen si krim nga neni 143/b i Kodit Penal të Shqipërisë. Për këtë shkak ngjarja është bërë objekt hetimi nga Prokuroria e Tiranës, e cila në rast se identifikon autorët, mund t’i ndjekë penalisht sipas akuzës së krimit kompjuterik dhe kanosjes. Krimet kompjuterike sipas ndryshimeve të bëra vitin që shkoi në Kodin Penal, dënohen sipas pasojave që kanë sjellë, me burgim nga 6 muaj deri në 6 vjet dhe gjobë nga 60 mijë lekë në 600 mijë lekë. Kur krimi është kryer në bashkëpunim dhe me pasoja të rënda, dënimi shkon deri 15 vjet. Kanosja për shkak të detyrës, e cila duket se është kryer ndaj efektivave të policisë, dënohet me gjobë ose me burgim deri në dy vjet heqje lirie kur sjell pasoja të rënda. Ajo parashikon si krim kërcënimet që mund t’i bëhen dikujt për shkak të detyrës që kryen i dëmtuari.
Prokuroria refuzoi takimin katër herë
TIRANE – Katër tentativa të familjarëve dhe avokatëve për të takuar Dritan Dajtin në Spitalin e Burgjeve, dështuan për shkak të mospranimit nga prokuroria. Vetëm pak ditë pas masakrës ku u vrarë oficerët Fatos Xhani, Kastriot Feska, Altin Dizdari dhe Sajmir Duçkollari, Hasan Dajti, babai i të akuzuarit, u paraqit në prokurori dhe kërkoi takim me djalin e tij të arrestuar pas plagosjes me tre plumba në trup. Kërkesa e babait të Dajtit nuk u pranua nga prokuroria. rreth një javë më vonë, Dorela Dajti, bashkëshortja e 38-vjeçarit u paraqit në Prokurori ku dorëzoi prokurën për avokatin e zgjedhur nga familja, si dhe kërkesën për takim me Dritan Dajtin për t’i çuar atij veshje dhe ushqime në Spitalin e Burgjeve. Edhe kjo kërkesë nuk u pranua nga prokuroria. Refuzimi i radhës, erdhi për avokatin e Dajtit. Për mesë një javë prokuroria hezitoi të legjitimonte Arben Qeleshin pasi ai mbronte edhe Erges Xhoxhin, kunati i Dajtit i arrestuar me të kërkuarin ditën e masakrës.
Dajti: Policët me maska, mendova se ishin grabitës
Personazhi më i përfolur në Shqipëri pas vrasjes së katër oficerëve të policisë në Durrës, Dritan Dajti ka një alibi për masakrën. “Kam qëlluar më 7 gusht në Durrës ndaj disa personave me maska që u afruan tek makina”. Në mënyrë të përafërt, këto kanë qenë shpjegimet që 38-vjeçari i akuzuar për vrasje të katërfishtë, i ka thënë avokatit të tij Arben Qeleshi, gjatë takimit të zhvilluar dje në Spitalin e Burgjeve në Tiranë. Mbrojtësi ligjor zhvilloi dje takimin e parë me klientin e tij, të cilit i ka kërkuar sqarime të përgjithshme për masakrën e Durrësit, e cila po hetohet nga Prokuroria e Krimeve të Rënda. Burimet zyrtare, thanë se gjatë bisedës me avokatin, Dajti ka sqaruar se fillimisht nuk ka menduar se kishte të bënte me efektiva policie, pasi një makinë pa shenja identifikuese, ishte afruar tek fuoristrada e tij tip “Tuareg”. Prej andej kishte zbritur një person me maskë në kokë, i cili pa mbyllur mirë derën e mjetit, ka nxjerrë një pistoletë duke u afruar tek makina ku ndodhej Dajti. Ndërkohë, nga dera e djathtë e të njëjtës makinë, ka dalë brenda pak sekondave një person i dytë edhe ai me armë. I shumëkërkuari për arratisjen nga Gjykata e Tiranës, mësohet t’i ketë thënë avokatit se ka qëlluar me armë ndaj personave të maskuar, kur kuptoi se po drejtoheshin tek makina e tij, duke menduar se ishin grabitës. Një alibi e ngjashme është dhënë nga i arrestuari gjatë seancës për caktimin e masës së sigurisë para togave të zeza të krimeve të rënda, tri ditë pas masakrës së Durrësit. Në gjykatë Dajti tha se personat që ishin afruar tek makina e tij ishin të armatosur dhe se kishte vepruar për vetëmbrojtje. Ndërkaq, burime nga hetimi, thonë se mbetet për t’u verifikuar, alibia e artikuluar dje para avokatit në Spitalin e Burgjeve apo edhe versioni i dhënë nga Dajti në Gjykatën e Krimeve të Rënda. Ajo çka konfirmohet është se dy agjentët e policisë, që vepruan të parët, kanë qenë vërtet me maska në fytyrë.
Takimi me avokatin
Dritan Dajti, autori i masakrës ku mbetën të vdekur katër policë dhe kushëriri i tij Ledion Mara ka mundur më në fund të takohet me avokatin e tij, të cilin ia ka caktuar familja. Paraditen e djeshme avokati Arben Qeleshi, ka kapërcyer portën e burgut, ndërsa Dajti është nxjerrë nga qelia e tij në Spitalin e Burgjeve dhe është takuar me mbrojtësin në dhomën e rezervuar për takime mes të burgosurve dhe avokatëve, e cila ndodhet në pjesën e brendshme të spitalit të Burgjeve. Sipas avokatit Dajti ishte i paaftë fizikisht për të ecur, ndërsa në qelinë e takimeve e kishin sjellë me barelë punonjësit e burgut. Pas takimit me klientin e vet, avokati Qeleshi, i cili në fakt është personi i parë që kontakton me Dajtin, pohoi se ai i ishte ankuar për trajtimin mjekësor dhe shëndetin. Sipas avokatit Dajti ka pretenduar se në qeli i janë shkelur të drejtat dhe se po kurohet në mënyrë çnjerëzore. Sipas tij kanë munguar medikamentet dhe konsultat e duhura mjekësore. Sipas avokatit, Dajti është i paralizuar në njërën këmbë në të cilën ka marrë një plumb gjatë përleshjes së 7 gushtit. Më tej, ai ishte ankuar avokatit se në qeli mbahej veç tjerash i lidhur me pranga te krevati, ndërkohë ka pretenduar se është fakt që ai nuk arrin të ecë për shkak të paralizës në këmbë. Avokati pohoi se nuk ka diskutuar me Dajtin për ngjarjen e 7 gushtit apo mënyrën se si do të organizojnë mbrojtjen, pasi ky ishte takimi i parë dhe se në takimet në ditët e ardhshme do të diskutohen me detaje këto. Avokati tha se klienti i tij ishte i aftë për t’iu nënshtruar një seance pyetjesh nga ana e prokurorisë dhe fakti që ka refuzuar prokurorët ka të bëjë me mospraninë e mbrojtësit gjatë seancës. Pak ditë pas ngjarjes prokurorët e çështjes shkuan në qelinë e Dajtit për ta marrë në pyetje, por ai refuzoi duke pretenduar se ishte i paaftë fizikisht dhe se kërkonte domosdoshmërisht praninë e mbrojtësit të tij gjatë seancës. Po kështu, gjatë ditës së djeshme avokati pohoi se Dajti i ishte ankuar për mungesën e ushqimeve nga familja dhe takimet me familjarët e tij, çka i kishte kërkuar avokatit të ndërhynte për ta lejuar që të takohej me familjarët. Po kështu veç takimeve ai ka kërkuar që të dërgoheshin në qelinë e tij medikamentet, ushqimet dhe veshmbathjet që i dërgonte familja.
Reagon drejtori
Drejtori i spitalit të Burgjeve Ylber Vata, sqaroi dje se Dritan Dajtit i janë krijuar të gjitha mundësitë për t’u trajtuar në qeli njëlloj si të gjithë të arrestuarit e tjerë. Drejtori Vata tha 38-vjeçari i është nënshtruar ekzaminimeve mjekësore dhe është kuruar në përputhje me të gjitha këshillat, që i kanë dhënë mjekët. Në lidhje me mbajtjen e Dajtit të prangosur në shtratin ku po kurohet, drejtori Vata tha se ky fakt i përket masave të sigurisë që zbaton policia e burgjeve në bazë të urdhrit të prokurorisë dhe vlerësimit të rrezikshmërisë që paraqet ky i burgosur. Kjo nisur nga krimi që ai kreu tre javë më parë si dhe arratia spektakolare, që ai bëri në Gjykatën e Tiranës gjashtë vjet më parë.