Çmimet e reja për shërbimet mjekësore në QSUT
15/02/2010 Shërbimet shëndetësore, ndryshon procedura e furnizimit të spitaleve me medikamente
Përcaktohen kostot e reja të shërbimeve shëndetësore në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” në kryeqytet. Rritjes së tarifave për shërbimet mjekësore do t’i nënshtrohen të gjithë pacientët që nuk do të respektojnë sistemin e referimit. Sipas këtij rregulli, çdo pacient do të paguajë çmimin përkatës, në rast se paraqitet në spital pa rekomandimin e mjekut të tij personal. Përkundrejt rritjes së tarifave janë përcaktuar edhe modalitetet e reja të furnizimit të spitaleve me barna, ku për herë të parë do të ketë një mënyrë të re të furnizimit të pavijoneve me barna, sipas kërkesave që ata kanë. Në fillim të këtij viti çdo pavijon ka marrë një formular, ku do të plotësojë barnat bazë që i nevojiten si dhe nevojat më urgjente që ka në aparatura dhe në investime. Ndërkohë me të ardhurat dytësore do të përballohen kërkesat urgjente për medikamente dhe materiale mjekësore për secilin prej këtyre shërbimeve. Më poshtë do të gjeni të plotë listën e çmimeve që do të paguajë çdo pacient kur paraqitet për vizitë në këtë qendër spitalore.
Rregullorja
Drejtoria e QSUT-së, duke u bazuar edhe në ligj, por edhe në një rregullore të brendshme, ka vendosur që të ardhurat dytësore, të cilat do të vilen nga ekzaminimet dhe analizat, do të përdoren për investime në infrastrukturë, pajisje si dhe në barna. Sipas rregullores së këtij viti, shefat e pavijoneve kanë pasur për detyrë të hartojnë listën e medikamenteve më të rëndësishme për të cilat ka nevojë shërbimi i tyre. Kërkesat e tyre do të plotësohen me paratë e grumbulluara nga buxheti i shtetit, por edhe nga të ardhurat dytësore. “Konkretisht, 30 për qind e këtyre të ardhurave do të shkojnë për investime në infrastrukturë dhe 40 për qind për mallra, kryesisht për medikamente”, - ka deklaruar kreu i QSUT-së Ilir Dashi. Sipas tij, me këto të ardhura janë bërë investime me një kosto të konsiderueshme, pikërisht blerja e llambës së një skaneri, i cili nuk funksiononte, shtrati i aparaturës së kobaltit te Spitali Onkologjik dhe riparime ambientesh.
Investimet
Po kështu në projektet e drejtorisë së QSUT-së janë edhe një sërë investimesh në infrastrukturë. Për këtë të fundit aktualisht është hartuar një plan veprimi, i cili do të zbatohet si në territoret e brendshme të pavijoneve, ashtu dhe jashtë spitaleve. “Kemi hartuar planin e veprimit të investimeve në infrastrukturë dhe me zbatimin e tij QSUT-së do t’i jepet një tjetër imazh ambientit spitalit dhe funksionimi do të jetë i rregullt, duke përfshirë këtu parkingje, ambiente të gjelbëruara etj.”, - ka nënvizuar Dashi. Sipas tij, ky plan veprimi do të nisë të realizohet duke përdorur një pjesë të ardhurave dytësore dhe buxhetin e parashikuar për këtë.