Dy shqiptarë arratisen nga burgjet greke
11/02/2010 Berti Tabaku dhe Nderim Disha sfiduan sigurinë e burgut të Rodosit
Ishin dënuar me 20 vjet për vjedhje. Nisin hetimet për këtë ngjarje
RODOS- Tashmë arratisja e shqiptarëve nga burgjet greke nuk është vetëm ekskluzivitet i Alket Rizait, pasi dje dy të rinj shqiptar kanë sfiduar policinë helene duke u arratisur nga burgu që ndodhet në ishullin e Rodosit. Dy shqiptarët quhen Berti Tabaku 28 vjeç dhe Nderim Disha 20 vjeç, të cilët një ditë pas arratisë u dënuan nga gjykata greke me 20 vjet burg, pasi mbi supet e tyre rëndonin akuzat për të paktën 30 grabitje me dhunë. Sipas agjencive të lajmeve, shqiptarët mendohet se kanë prerë me sharrë hekurat e qelisë, dhe pas daljes në oborr, kanë mundur të kalojnë edhe telat me gjemba. Prokuroria e Rodosit ka hapur menjëherë hetimet, ndërsa ministri grek i Drejtësisë, ka urdhëruar masa administrative ndaj gardianëve të turnit të natës. Aktualisht policia ka nisur gjuetinë në të gjitha pikat dalëse të ishullit, portet dhe aeroportet, por deri tani ende ska rënë në gjurmë të të arratisurve. Në të njëjtën kohë prokurorët kanë filluar veprimet hetimore me qëllim përcaktimin e përgjegjësisë së gardianëve. Ata dyshojnë se nëpërmjet korrupsionit brenda administratës së burgut, shqiptarët kishin arritur të fusnin në qeli shara hekuri. Kjo nuk dihet me saktësi se në çfarë periudhe të ketë ndodhur, por sharat kanë vënë në zbatim planin e arratisjes së dy shqiptarëve që njihen në zonë për shumë grabitje. Dy shqiptarët, në rrethana ende të paqarta kanë prerë hekurat e dritares së qelisë së tyre duke fituar lirinë. Pas dhënies së alarmit, kontrolli që vijoi ishte i kotë sepse dy shqiptarët ishin zhdukur në drejtim të panjohur. Ngjarja vuri në lëvizje autoritetet sepse u urdhërua pezullimi i menjëhershëm i gjithë stafit të turnit dhe përgjegjësit të sigurisë së paraburgimit dhe ata akuzohen për lirim të burgosurish, referuar nenit 172 të Kodit Penal helen.
Mjeshtri i arrative
Alket Rizai iku 2 herë me helikopter
Alket Rizai është shqiptari që i ka “lënë targën” dy herë policisë helene, ku së bashku me mikun e tij grek Vasilis Paleokostas janë arratisur me helikopter nga burgu i sigurisë së lartë të Koridhalosit. Tashmë emri i Rizait nuk është i njohur vetëm në dy shtete, por ai identifikohet ndërkombëtarisht si njeriu që krijoi dy herë arratisjet hollivudiane nga burgjet greke. Aktualisht Alket Rizai nga Ballshi ndodhet i izoluar në burg, pasi disa muaj më parë policia arrestoi atë së bashku me të dashurën e tij greke.