Evakuohen disa banorë në Lushnjë dhe Mallakastër
15/02/2010 RRËSHQITJA E DHERAVE
LUSHNJE- Rikthehet problemi i rrëshqitjes së dherave si pasojë e reshjeve të shiut. Në fshatin Hysgjokaj të rrethit të Lushnjës dhe në Hekal të Mallakastrës janë evakuuar banorët e disa banesave, të cilat rrezikonin shembjen. Tetë banesa rrëshqitën në Hysgajokaj dhe 6 të tjera në Hekal. Sipas burimeve nga prefektura e qarkut Fier këto shtëpi kanë pësuar dëmtime të konsiderueshme, pas rrëshqitjes së tokës nën to. Ndërkohë në fshatin Hysgjokaj rrëshqitja ka sjell probleme edhe në bllokimin e disa akseve rrugore dhe ka dëmtuar puset e fshatit të ngritur nëpër banesa. Kjo ka sjell edhe mungesën e ujit për të gjitha këto banesa, të cilat rrezikojnë shembjen. “Jemi në hall të madh, na ka rrëshqitur toka nën këmbë dhe po rrezikojmë shumë. Toka ka sjell lëvizjen nga vendi të banesave tona. Janë rreth 8 banesa që nuk bëhen më të banueshme. Kërkojmë ndërhyrjen e shtetit”, ka deklaruar Hajri Murati, një banor i fshatit Hysgjokaj në Lushnjë. Ndërkohë kjo situatë ka vënë në lëvizje institucionet qendrore në nivel vendor. “Kemi situatën nën kontroll. Banorët në të dyja zonat e prekura janë larguar tek të afërmit, ndërsa ne së bashku me nënprefekturën e Lushnjës do të marrim masat për të siguruar banorët, si për banim këto kohë ashtu edhe për dëmshpërblimin e tyre”, ka treguar prefekti i qarkut Fier Bujar Hasaj.
Shembet një pjesë e rrugës së Gjinarit, banorët ankohen
ELBASAN-Reshjet e vazhdueshme kanë sjellë probleme në shumë zona të Elbasanit. Rrëshqitjet e dheut kanë dëmtuar një pjesë të rrugës nacionale duke rrezikuar disa shtëpi në afërsi të fshatit Shelcan. Banorët thonë se rrëshqitjet janë shfaqur më dendur ditët e fundit. Ata janë frikësuar për shkak se shtëpitë e tyre ndodhen poshtë pjesës ku janë regjistruar shembje dheu. Ndërkohë qarkullimi drejt Gjinarit është vështirësuar deri në ndërhyrjen e mjeteve të firmës që ka marrë përsipër investimin në këtë segment nacional. Për shkak të reshjeve janë ndërprerë punimet, ndërkohë që është mbushur hapësira e shkaktuar nga rrëshqitjet duke riparuar rrugën deri në një farë mase. Banorët kanë kërkuar ndihmë për të ndaluar rrëshqitjet që rrezikojnë 4 shtëpi në këtë territor. Ndërkohë lëvizet me vështirësi drejt Gjinarit dhe Zavalinës. Ndërkohë dëbora ka pushtuar thuajse të gjitha zonat kodrinore dhe malore në qarkun e Elbasanit. Më i goditur nga dëbora është Librazhdi. Probleme ka edhe në Labinot Mal e Zavalinë në Elbasan dhe në Skëndërbegas, Lenie e Porocan në Gramsh. Në disa prej këtyre zonave trashësia e dëborës ka arritur deri në 1 m. Gjatë orëve të natës dhe deri afër mesditës aksi rrugor Elbasan-Tiranë ka qenë pothuaj i bllokuar në lartësitë e Qafë-Kërrabës pas km 29 e deri poshtë vendit të quajtur Pishat. Edhe Qafë-Thana ka qenë tepër e vështirë për t’u kaluar, sidomos pa zinxhirë