E Diel, 1 Nëntor 2026

Çmimet e shtëpive u rritën nga lejet e shtimi i kërkesës

Më shumë qytetarë kanë qenë të interesuar për të blerë një shtëpi të re dhe po kështu ka qenë edhe kërkesa e tyre për ta financuar këtë blerje me kredi nga bankat.Të dhënat e Bankës së Shqipërisë për tremujorin e parë të vitit 2011, në raportin e Politikës Monetare, tregojnë edhe zhvillimet në tregun e banesave për periudhën janar-mars, ku bie në sy edhe efekti pozitiv që ka pasur dhënia e lejeve të ndërtimit në tremujorin e katërt 2010. Nga ana tjetër, rritja e kërkesës ka ndikuar te çmimet e banesave, të cilat u rritën me 1.5 për qind gjatë tremujorit të parë 2011, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë. Në krahasim me tremujorin e katërt të vitit 2010, kjo rritje është 0.9%. Rritja vjetore në tremujorin e parë të vitit, në terma nominalë, ndërpreu prirjen rënëse të çmimeve të nisur që në tremujorin e tretë të vitit 2009, thuhet në raportin e Bankës së Shqipërisë. Rritja e çmimeve të banesave, e cila i atribuohet rritjes së kërkesës për shkak edhe të lehtësimit të kushteve për kreditim nga Banka e Shqipërisë, konsiderohet si e paqartë në prirje. Për këtë institucion, rritja do të vazhdojë vetëm nëse edhe kërkesa do të vijojë të rritet në mënyrë të qëndrueshme. Një tjetër pikë që raporti vlerëson si të rëndësishme në ndikimin në tregun e banesave është edhe dhënia e lejeve të ndërtimit. Numri i lejeve të ndërtimit për ndërtesa të reja banimi është rritur në tremujorin e katërt 2010, pasi kishte shënuar rënie vjetore gjatë 4 tremujorëve të fundit. Ky tregues, me gjithë përmirësimin, vazhdon të kufizojë sasinë e ardhshme të banesave të gatshme për shitje, duke mbështetur një nivel të lartë të çmimeve aktuale të shitjes, thuhet në raport.
Qiratë
Për Bankën e Shqipërisë, indeksi i banesave me qira gjatë tremujorit të parë të vitit 2011 ka shfaqur luhatje të shpeshta, kjo nëse e krahasojmë me indeksin e blerjes së banesave. Ky tregues është ulur me 4.5% në terma vjetorë, në tremujorin e parë të vitit 2011, ndërsa në tremujorin e katërt të vitit 2010 ai pësoi një rritje prej 13.5%. Në terma tremujorë, indeksi i qirasë u rrit me 1% në tremujorin e parë të këtij viti, detajon BSH. Gjithsesi, raporti i çmimit të banesës dhe qirasë së këtyre banesave konsiderohet mbi trendin historik, çka reflekton qira dukshëm të shtrenjta.

10 për qind
u rrit në terma vjetorë kreditimi i sektorit privat në muajin shkurt, sipas Bankës së Shqipërisë, ndërsa në janar rritja ishte 9.7 për qind. Fluksi mujor neto i kësaj kredie ishte 2.1 miliardë lekë.

9 miliardë lekë
u rritën në terma vjetorë depozitat në monedhën vendase gjatë kësaj periudhe 3-mujore, janar-mars, sipas raportit të BSH-së, ndërsa depozitat në valutë pësuan një rënie me rreth 2 miliardë lekë.

Investimet private në vend

Banka e Shqipërisë gjykon se niveli i shfrytëzimit të kapaciteteve në vend është ende nën mesataren e tij, por rritje e investimeve nga biznesi duket se është një shenjë e mirë e fitimit të besimit nga ana e biznesit. Rritja e investimeve për sektorin privat filloi në tremujorin e katër të 2010-s dhe duket se ka vazhduar edhe për janar-marsin e vitit 2011. Kredia për investime shënoi një rritje vjetore me 15.7% në tremujorin e katërt dhe vijon të jetë e ulët krahasuar me mesataren historike.

NERTILA MAHO

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›