Çmimet përtej parashikimeve, inflacioni i majit 4.2%
Niveli i përgjithshëm i çmimeve (inflacioni) në maj e kaloi kufirin e programuar nga autoritetet vendëse të financave. Sipas të dhënave të djeshme të iNSTAT-it, inflacioni në muajin maj arriti 4.2 për qind, ndërkohë që objektivi i Bankës së Shqipërisë është 3% plus, minus 1%. Një vit më parë ky ndryshim ishte 3.3 për qind. Indeksi i grupit “Ushqime dhe pije jo alkoolike” shënoi një ulje prej 2.6 për qind, brenda këtij grupi ulja më e madhe prej 18.2 për qind vërehet në nëngrupin “zarzavate përfshirë patatet”. Këtu mund të përmendim uljen e çmimit të bishtajave me 40.1 për qind, kastravecëve me 38.8 për qind, domateve me 38.1 për qind, specave me 35.1 për qind, bizeleve me 34.6 për qind, patlixhaneve me 21.8 për qind etj. Çmimet e nëngrupit “fruta “ shënuan një rritje prej 1.9 për qind, ku mund të përmendim rritjen e çmimit të limonëve me 5.6 për qind, portokallëve me 3.0 për qind, mollëve me 2.7 për qind, kivit me 2.3 për qind etj. Gjatë muajit maj çmimet shënuan ulje edhe në disa nëngrupe të tjera të grupit të ushqimeve, ku mund të veçojmë uljet në nëngrupet “sheqer dhe ëmbëlsira” me 1.3 për qind, “pije jo alkoolike” me 0.2, “vajra dhe yndyrna” dhe “qumësht, djathë e vezë” me 0.1 për qind etj. Indeksi i grupit “Pije alkoolike dhe duhan” shënoi një rritje prej 0.1 për qind, ku mund të veçojmë rritjen e çmimit të duhanit me 0.1 për qind. Indeksi i grupit “Veshje dhe këpucë” nuk ka pasur ndryshime gjatë këtij muaji. Indeksi i grupit “Shëndeti” shënoi një rritje prej 0.3 për qind, brenda të cilit çmimet e medikamenteve mjekësore u rritën me 0.3 për qind. Indeksi i grupi “Transport” shënoi një ulje prej 0.2 për qind. Gjatë muajit maj çmimi i naftës shënoi një ulje prej 1.2 për qind, ndërsa çmimi i benzinës një rritje prej 0.2 për qind. Banka e Shqipërisë gjykon se, për periudhën në vazhdim, presionet inflacioniste përgjatë horizontit kohor të veprimit të politikës monetare do të mbeten relativisht të larta, por intensiteti i tyre do të vijë në rënie gjatë vitit. Në vijim do të trajtojë në mënyrë të detajuar faktorët që përcaktojnë zhvillimet në inflacion së bashku me rreziqet përkatëse.