Procedura të reja për shitjen e INSIG-ut, prioritet tregu vendës
Një vendim i ri i miratuar nga qeveria dje vë në dispozicion të Ministrisë së Financave procedura të reja për shitjen e kompanisë shtetërore të sigurimeve, INSIG, pas një sërë dështimesh. Ndryshimet që ka miratuar qeveria në procedurën e shitjes kanë të bëjnë më së shumti me prioritetin që i jep kompanive vendëse në blerjen e INSIG. Shitja e gjigantit shtetëror të sigurimeve ka dështuar të paktën katër herë deri më tani, që kur qeveria ka vendosur shitjen e tij. Gjithashtu, vendimi i djeshëm parashikon atashimin e një këshilltari të huaj pranë Ministrisë së Financave, për ndjekjen e procesit. Sipas ligjit aktual për shitjen e INSIG-ut në tenderin e hapur ndërkombëtar, do të dalin në shitje 100% e aksioneve të kësaj kompanie, pas kthimit nga dy institucionet ndërkombëtare financiare BERZH dhe IFC, dhe të 39% e aksioneve të qeverisë shqiptare. Ligji i ri për shitjen e kompanisë është më i ndjeshëm. Nëse blerësit e mundshëm ofrojnë çmime blerjeje nën vlerën mesatare, negociohet me ofertuesit për rritjen e çmimit të ofruar. Kriteri i përzgjedhjes së blerësit do të jetë çmimi, përcaktohet në ligjin e ri. Sakaq çmimi nuk mund të jetë më i ulët se vlera mesatare, e përcaktuar në raportin e vlerësuesit ndërkombëtar. Çmimi, sipas përcaktimit të ri ligjor, duhet të jetë më i lartë nga ai i ofruar nga blerësit, e kualifikuar në fazat e mëparshme të procesit të tenderit të hapur ndërkombëtar. Projektmarrëveshja e shitjes miratohet në Këshillin e Ministrave. Gjithashtu ajo nënshkruhet nga ministri i Financave dhe përfaqësuesi i blerësit. Shpenzimet e lidhura me pagesën e këshilltarit të privatizimit dhe ato të lidhura me suksesin e privatizimit përballohen nga arkëtimet, prej shitjes së aksioneve të "INSIG" sh.a-se. investitorët, pjesëmarrës në procesin e shitjes së aksioneve të "INSIG" sh.a-së, duhet të respektojnë kërkesat e parashikuara nga legjislacioni në fuqi dhe në mënyrë të veçantë kërkesat e parashikuara nga legjislacioni tregtar dhe ai i sigurimeve në Republikën e Shqipërisë. Sipas formulës së shitjes së INSIG-ut, investitorët e përzgjedhur për zotërimin e aksioneve të "INSIG" sh.a-së, duhet të bien dakord paraprakisht për të miratuar çdo ndryshim të nevojshëm në statusin e kësaj shoqërie, për nënshkrimin e aksioneve të shoqërisë nga aksionerët e rinj, siç parashikohet në këtë ligj dhe të mbrojnë të drejtat e aksionerëve në minorancë, të shoqërisë, sipas standardeve bashkëkohore të drejtimit të përbashkët. Privatizimi i INSIG-ut ka dështuar disa herë. Kompania amerikane "American Reserve Life insurance", e cila fitoi garën për privatizimin e INSIG-ut më 2009, hoqi dorë nga kompania për shkak të krizës në të cilën ndodhej kompania amerikane. Amerikanët e blenë shoqërinë e vetme shtetërore të sigurimeve INSIG për shumën totale prej 41 milionë eurosh, vlerë e cila nuk u derdh kurrë në arkën e shtetit, për shkak të amullisë që krijoi kriza financiare ndërkombëtare edhe në buxhetin e "American Reserve Life insurance", e cila tentoi të blinte INSIG-un, por u tërhoq pasi u shpall fituese e garës.