Çmimet, spekulime te tregu i ushqimeve
Çmimi i grurit në bursën e Londrës u ul me 32% gjatë katër muajve të fundit, por në Shqipëri është ulur me vetëm 5.5%
Javën e shkuar, Ministria e Bujqësisë njoftoi se cmimi i grurit në tregun shqiptar qe 51 lekë për kilogram, me një ulje prej vetëm 3 lekësh në krahasim me marsin e këtij viti, kur bota përjetoi krizën më të rëndë të drithit në më shumë se tre dekada. Por bota duket se e kaloi shpejt krizën, për shkak se në vendet prodhuese si Rusia, Kanadaja e Australia, prodhimi qe i bollshëm. Shqipëria duket se nuk e ka kaluar ende.
Në tregun ndërkombëtar, javën e kaluar gruri u shit për 126 stërlina angleze për ton, e barazvlefshme kjo me 20 lekë për kilogram. Në mars, cmimi qe 190 stërlina angleze sipas të dhënave të Financial Times, ose 29.5 lekë për kilogramë. Sic shihet, ulja në tregun ndërkombëtar qe 32% ndërsa në tregun shqiptar, cmimi i grurit vërehet se është ulur me vetëm 5.5%.
E njejta situatë vërehet edhe te mallrat e tjerë. Misri, orizi e sheqeri, të gjitha kanë pësuar rënie të konsiderueshme në tregun ndërkombëtar, ndërsa kanë mbetur në cmimet e kulmit të krizës në Shqipëri. Para krizës, cmimi i grurit në Shqipëri qe 35 lekë për kilogramë. Cmimi mesatar i shitjes së orizit gjatë vitit të kaluar qe 88 lekë, ndërsa kushton aktualisht 140 lekë për kilogram.
Akuza për spekulim
Në mars të këtij viti, kur kriza e cmimeve arriti kulmin dhe dha ndikim te cmimi i bukës, qeveria qe në mëdyshje në analizimin e situatës. Ministria e Bujqësisë deklaroi me pompozitet se “rritja e cmimeve qe spekulim i klaneve mafioze, të cilat morën përgjigjen e merituar nga tregu”. Por tregu duket se nuk ka lëvizur shumë nga këto deklarata. Cmimi i sotëm mbetet po ai i kulmit të krizës dhe qeveria nuk është marrë me “panikmbjellësit”, sic pati deklaruar ministria më 28 shkurt. Vetë kryeministri Sali Berisha pati deklaruar se “kriza qe pasojë e tregut ndërkombëtar”.
Shqipëria importon pjesën dërrmuese të grurit nga Rusia. Importet janë të përqendruara në një numër të vogël kompanish, të cilat kanë aktivitet të përzjerëme fabrikat e blojës, ku niveli i përqendrimit është edhe më i lartë se te importi. Që kur cmimi i grurit dhe i bukës filloi të rritej, pati akuza për spekulim që vinte nga niveli i lartë i përqendrimit. Ministria e Bujqësisë deklaroi se në dogana nuk qe shënuar asnjë praktikë importi gjatë kohës që cmimi qe i lartë. Shqipëria ka importuar gjatë vitit të kaluar 292 mijë tonë grurë me cmim mesatar prej 258 dollarë për tonë. Në vend prodhohen edhe 315 mijë tonë grurë të tjera, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë. Autoriteti i Konkurrencës hapi hetime për krijim oligopolesh kundrejt disa organizatave të bukëpjekësve në vend, të cilat patën bërë thirrje publike për rritje cmimesh, por në tregun e grurit e të miellit, rritja e cmimeve nuk kryhet me publicitet.
Gjatë javëve të fundit, kompanitë e naftës u akuzuan cdo ditë nga media për cmime të larta që nuk reflektonin rënien e cmimeve në tregun ndërkombëtar. Por ndërsa te karburantet, cmimi është ulur vetëm gjatë muajit të fundit, te drithërat cmimi ka tre muaj që ulet vazhdimisht.