E Diel, 1 Nëntor 2026

Viti 2007, një vit shumë i keq për bujqësinë

Sipas statistikave zyrtare, prodhimi bujqësor kombëtar në vlerë nominale u rrit me vetëm 1.47%. Në vlerë reale qe negative

Viti 2007 qe një nga periudhat më të këqija për sektorin e bujqësisë në Shqipëri, si pasojë e thatësirës së tejzgjatur që solli ulje të konsiderueshme në prodhim si dhe si pasojë e uljes së sipërfaqes së tokës nën kultivim. Vlera totale e prodhimeve të bujqësisë arriti në 186 miliardë lekë me rritje vetëm 1.47% kundrejt vitit të kaluar. Shqetësues duket se është rënia e fortë e ritmit të rritjes së agroindustrisë, e cila në kushtet e Shqipërisë preket shumë më pak nga thatësira sesa bujqësia. Agroindustria realizoi prodhim në masën e 48 miliardë lekëve, me rritje vetëm 3.3%. Në vitin 206, ky sektor qe rritur me 9%.

Te agroindustria, që nga viti 2005 është rregjistruar mbyllja e 20 ndërmarrjeve. Gjatë vitit të kaluar vërehet një rënie e konsiderueshme e prodhimit të sallamit me 7%, i vajit vegjetal me mbi 30%, i vajit të ullirit me 56%. Me rritje kanë qenë industria e blojës, bukës dhe birrës. Prodhimi i pijeve freskuese ka rënë, ndërkohë që prodhimi i ujit mineral ka pësuar rritje të ndjeshme. Rritja te uji mineral shpjegohet me krizën e tejzgjatur të ujit në qytetet shqiptare gjatë verës së kaluar.

Prej vitesh, sektori i bujqësisë vuan nga mbipopullimi i fshatit dhe nga pamundësia për të akumuluar kapital për të investuar në rritjen e eficencës. Fermat e vogla prej vetëm 1 hektarësh me të cilën duhet të ushqehen katër apo pesë anëtarë të një familjeje, nuk krijon kushtet për të hyrë në aktivitet tregtar dhe për të akumuluar kapitalet e nevojshme për zhvillim. Për këtë arsye, prej vitesh fshatarët janë përqendruar në rritjen e bagëtive si dhe në bulmetra. Për shkak se prodhimi i mishit dhe bulmetit është gjithashtu tejet i copëzuar, nuk ka mundësi për të plotësuar standardet europiane për eksport, gjë që ka krijuar një treg të brendshëm të izoluar dhe jashtë ndikimeve globale. Për pasojë, Shqiptarët kanë mundësi të blejnë bulmetra dhe mish me cmime shumë më të ulëta sesa qytetarët e vendeve fqinje dhe cmimet nuk lëvizin as kur në tregun ndërkombëtar rriten. Gjatë vitit të fundit, cmimet e prodhimeve të bulmetit në tregun ndërkombëtar janë rritur me 80% ndërsa cmimet në tregun shqiptar kanë mbetur të pandryshuar. Eksportet bujqësore janë rritur me 12% gjatë vitit të kaluar, rritje që i dedikohet pothuajse tërësisht bimëve medicinale. Eksportet e peshkut të konservuar, për të cilin Shqipëria ka luftuar me BE-në për kuota, ka pësuar rënie. Eksportet e zarzavateve kanë pësuar rritje të konsiderueshme, por pesha e tyre në vëllimin e tregtisë është shumë e papërfillshme, rreth 1 milionë euro në vit. Eksportet e bimëve medicinale qenë 14 milionë euro vitin e kaluar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›