E Diel, 1 Nëntor 2026

Vodhi 12,5 milionë lekë, lihet në shtëpi

MASA/ Gjykata e Lushnjës ka vendosur "arrest shtëpie" për ish-arkëtaren e një banke, 25-vjeçaren Ornela Tabaku

Gjyqtarja e gatshme ka vlerësuar si masë lehtësuese faktin që e pandehura është nënë e një fëmijë të mitur

LUSHNJË - Gjykata e Lushnjës ka vendosur "arrest shtëpie" për shtetasen Ornela Tabaku, ish-arkëtare në një filial banke në qytetin e Lushnjës e akuzuar për "vjedhje të bankave dhe arkave të kursimit".


Gjyqtarja e gatshme Arbena Ahmeti e ka marrë vendimin pas dëgjimit të të dyja palëve, akuzës që përfaqësohej nga prokurori Arben Dyla dhe mbrojtjes së përfaqësuar nga avokati Metush Meçka. Nga ana e prokurorit është kërkuar që për 25-vjeçaren të vendosej masa e arrestit "burg pa afat" çka nënkupton qëndrimin në qeli deri në përfundim të hetimit.


Por një gjë e tillë është hedhur poshtë nga mbrojtja që ka kërkuar një masë më të lehtë, duke u shprehur edhe se klientja e tij nuk përbënte rrezik në dëmtimin e hetimit. Nga ana e saj Ahmeti ka vendosur që të lehtësojë masën e sigurisë duke vendosur për 25-vjeçaren "arrest shtëpie".


Gjyqtarja e gatshme e ka arsyetuar vendimin e saj duke u shprehur se e pandehura e akuzuar për "vjedhje" është nënë e një fëmije të mitur dhe si rrjedhojë nuk mund të qëndrojë larg tij.


Gjithashtu, nga ana e familjes së Tabakut është deklaruar se shuma prej 12,5 milionë lekësh të reja që është pikërisht shuma të cilën 25-vjeçarja akuzohet se i ka vjedhur nga banka ku punonte, do t'i kthehet bankës. Ornela Tabaku u arrestua katër ditë më parë nga policia pas akuzës për vjedhjen e një shume prej 12,5 milionë lekësh të reja.


Mësohet se ajo i merrte paratë dhe i ridepozitonte pas njëfare kohe. Nga ana e hetuesve u deklarua se dyshohet se ajo ka bashkëpunuar edhe me persona të tjerë, ndërkohë që si prova për fajësinë e saj u paraqitën:


Sipas tyre, në datën 30.01.2010 Tabaku ka kryer veprime në kundërshtim me ligjin për sistemin bankar duke tërhequr në dy raste nga llogaria e Drejtorisë Rajonale të Transportit Rrugor Fier, shumën prej katër milionë lekësh, të cilën e ka arkëtuar në datën 01.02.2010.


Gjithashtu në datën 30.4.2010 arkëtarja Ornela Tabaku ka tërhequr nga llogaria e Institutit të Sigurimeve Shoqërore Lushnjë në "cash" shumën prej 3.111.000 lekësh, të cilën e ka arkëtuar më datën 03.05.2010.


Odiseja e marrjes së parave nga institucionet e tjera ka vazhduar edhe në ditët në vazhdim. Këtë radhë kjo shtetase në datën 31.05.2010 ka bërë tërheqjen prej një milionë lekë nga llogaria e "Tregut Fruta Perime Lushnje".


Po kështu në datën 04.06.2010 në vijim të rastit të parë nga Drejtoria e Transportit Rrugor Fier nga kontrolli i gjithë veprimeve bankare nga kjo punonjëse, rezulton se veç shumës së mësipërme, në këtë institucion ka tërhequr shumën prej 12.555.700 lekësh. Madje për këtë shumë ajo nuk ka prerë as mandate pagese duke e marrë për vete.


Gjithashtu kjo shtetase, më datën 03.06.2010 ka ndërhyrë në llogarinë e shtetasit me inicialet L.N duke i tërhequr një shumë prej 5.000 euro duke falsifikuar firmën, llogari të cilën e ka sistemuar në datën 04.06.2010.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›