Spitali dhe autoambulancat në Mitrovicë, fole e UDB
Ndërsa autoambulancat asnjëherë nuk bartin njerëz të sëmurë apo të lënduar. Ato përdorën ekskluzivisht për bartjen e armëve dhe punonjësve të UDB. Madje, gjatë përleshjeve të 17 marsit, ato janë përdorur edhe për thyer rrethojën e KFOR që kishin instaluar përreth gjykatës në veri të Mitrovicës.
Keqpërdorimi i autoambulancave për qëllime të këqija është kundër të gjitha konventave ndërkombëtare. Madje, edhe në gjendje lufte, keqpërdorimi i tyre konsiderohet shkelje e rëndë e rregullave të luftës. Megjithatë, shtetet, të cilat kanë aprovuar këto ligje dhe zakone në Këshillin e Sigurimit, i kanë shkelur ato në veri të Kosovës.
UNMIK tash e nëntë vjet ka informacione të sakta për ekzistimin e UDB në spitalin e Mitrovicës. Rrjedhimisht edhe për keqpërdorimin e autoambulancave të këtij spitali, të cilat janë dhuruar nga shumë organizata ndërkombëtare.
Në raportin e fundit të OKB, ku flitet për përleshjet e 17 marsit në veri të Mitrovicës, thuhet se UNMIK ka pasur informacione për ekzistencën e këtyre strukturave dhe keqpërdorimin e autoambulancave.
Afrim Ahmeti është banor i lagjes së Doktorëve, e cila gjendet afër spitalit të Mitrovicës. Ai çdo ditë i sheh autoambulancat duke kaluar nga Veriu në Jug.
“Autoambulancat çdo ditë kalojnë nga Veriu në Jug me regjistrime të ndryshime, PR, KM, BG, e çka bartin ato, nuk dihet. Shkojnë drejt Prishtinës apo Graçanicës”, - tregon Afrimi.
Sipas tij, autoambulancat tash e disa vjet përdoren për krejt të tjera qëllime, por askush nuk i ndalon këto veprimtari ilegale. “UNMIK ata i mbron, i legjitimon, u jep përkrahje. Këto struktura paraqesin një pengesë të madhe për integrimin e Mitrovicës”, - vlerëson Afrimi. Ai thotë se pa largimin e këtyre strukturave nga Veriu i Kosovës, nuk mund të ketë qetësi në qytetin e minatorëve. Por, Besim Hoti, zëdhënës i Shërbimit Policor të Kosovës për rajonin e Mitrovicës, thotë se për largimin e Rojave të Urës dhe strukturave të tjera nga spitali i Mitrovicës, duhet një vendim politik. “Nuk mundemi të veprojmë pa vendime politike. Kjo nuk është diçka e fshehtë. Ka funksionuar që nëntë vjet. Policia nuk mund të bëjë asgjë pa vendim politik”, - thotë ai.
Autoambulancat zakonisht janë të pajisura me targa të ish-regjimit në Kosovë. Hoti tregon se me një rregullore UNMIK ka lejuar qarkullimin e serbëve me targa të tilla. “Policia i ndal, në shumë situata janë keqpërdorur ato për qëllime të ndryshime negative”, - shton Hoti. Ndërsa, kryetari i komunës së Mitrovicës, Bajram Rexhepi, nuk është aspak optimist që spitali në veri mund të pastrohet nga punonjësit e UDB, të cilët njihen edhe si Rojat e Urës.
“Këto gjëra UNMIK i ka ditur që prej nëntë vjetësh, vazhdimisht, edhe ku është qendra, edhe ku e kanë mbajtur armatimin e fshehur, si e kanë keqpërdorur, si janë Roje të Urës krejt punëtorët e spitalit. Por nuk ka pasur vullnet, qoftë nga Nju-Jorku, apo këtu nga misioni i UNMIK që të zbatojnë rendin dhe ligjin”, - thotë Rexhepi për “Express”.
Ai tregon se autoambulancat janë shfrytëzuar nga Rojat e Urës. Sipas tij, me to Rojat e Urës kanë bartur armatimin që kanë patur. “Kur nuk kanë vepruar deri tash, nuk jam optimist që ata do të veprojnë”, - shton ai. UNMIK dikur kishte premtuar që menjëherë pas zgjedhjeve në Serbi, do të fillojë shuarja e ekzistimit të strukturave të ndryshime në veri të Kosovës. “Është pritur një qeveri demokratike në Serbi, por prapë nuk ka ndodhur. Dhe, tash me të vërtetë e kemi humbur besimin te shtyllat e UNMIK, se nuk janë të gatshme të implementojnë mandatin e tyre”, - thotë ai. Bajram Rexhepi thotë se, nëse vazhdon kjo praktikë, atëherë shumë shpejt Kosova nuk do të ketë nevojë për UNMIK. “Kredibiliteti i tyre është në minimum dhe shumë shpejt ndoshta do të jenë të tepërt në Kosovë”, - shton Rexhepi. Edhe përfaqësues të Kryqit të Kuq të Kosovës thonë se përdorimi i autoambulancave për qëllime të tjera është në kundërshtim me të drejtat e njeriut dhe të gjitha konventat ndërkombëtare. Ndërsa, Xhevat Shkodra, kryetar i Kryqit të Kuq të Kosovës, thotë se ky institucion nuk ka mundësi të veprojë në veri të Kosovës, po ashtu dhe shumë institucione të tjera. Ai thotë se keqpërdorimi i autoambulancave është kundër parimeve të Kryqit të Kuq.
“Ne kemi shprehur revoltën me shpërndarjen e ndihmave që kanë ardhur nga jashtë, veçmas nga Rusia, duke na anashkaluar ne”, - shton Shkodra. Ai thotë se Kryqi i Kuq i Kosovës nuk ka asnjë shënim në autoambulancat në veri të Kosovës.
Ndërkohë, një pjesë e raportit të OKB për përleshjet e 17 marsit i kushtohet njërës prej bazave të Shërbimit Inteligjent serb, në spitalin në veri të Mitrovicës. Këtë fakt UNMIK e ka ditur edhe më parë, thuhet në raport. “Disidentët serbë përdorin spitalin serb si bazë inteligjente, me autoambulancat që shërbejnë për automjete patrullimi dhe sistem për paralajmërim të hershëm”.