mimi i madh i Spanjes ne Barcelone

Fernando Alonso dhe Ferrari janë rikthyer duke dalë triumfues në Çmimin e Madh të Spanjës.
Piloti spanjoll fitoi pikërisht në shtëpi, në pistën e Montmelosë në Barcelonë, duke lënë pas Kimi Raikonenin e Lotusit dhe shokun e tij të skuadrës, Felipe Masa.
Kampioni i botës, Sebastian Fetel, doli vetëm në vendin e katërt, ndonëse mbetet në krye të renditjes.
Alonso u nis mjaft mirë duke parakaluar Raikonenin dhe Hamiltonin, ndërsa Niko Rosberg i Mercedesit e ruajti vendin e parë që kishte siguruar në provat zyrtare.
Pak xhiro më vonë skuadra Lotus humbi njërin nga pilotët, pikërisht Romen Groszhanin që pati defekt në makinë.
Ritmi i shkëlqyer i Alonsos e lejoi të linte pas Fetelin vetëm pas 11 xhirosh dhe shumë shpejt i erdhi radha parakalimit të Rosbergut kryesues.
Që nga ai moment, spanjolli nuk e vuri më në diskutim fitoren duke krijuar diferencë me ndjekësit.
Kur kishte kaluar gjysma e garës, kampioni i botës Fetel u parakalua edhe nga Raikonen duke konfirmuar ditën e vështirë të Red Bullit në Spanjë.
Raikonen u bë përkohësisht lider i garës kur Alonso hyri për të ndërruar gomat, por përgjigja e Fernandos ishte e menjëhershme.
Pas 5 garave të para të sezonit, Fetel mbetet në krye të renditjes me 89 pikë, ndjekur nga Raikonen me 85 dhe Alonso me 72.