E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmimi i tokës, rivlerësim për të mbyllur kompensimin

Ministri i Drejtësisë, Eduard Halimi, Kryeregjistruesi, Arben Qirjaku dhe Kreu i ALUIZNI-t, Ardian Kullozi gjatë prezantimit të strategjisë për pronat foto LSA

Emirjon Senja

Ndryshimet që parlamenti është duke miratuar në ligjin për kthimin dhe kompensimin e pronës, pritet të prekin hartën e çmimeve të tokës në Shqipëri, duke prekur ndjeshëm edhe procesin e kompensimit fizik dhe financiar të saj për pronarët. Ligji është duke u miratuar në komisionet e Kuvendit dhe pritet të shkojë brenda kësaj jave në parlament.

Ishte pikërisht qëllimi i ndryshimeve në këtë ligj edhe shkaku i debateve midis mazhorancës dhe opozitës dje në mbledhjen e Komisionit të Ekonomisë në Kuvend, ku sipas këtyre të fundit, në vend që të ndikojë në zgjidhjen e çështjes së pronës, ndryshimet e propozuara nga qeveria pritet të bëjnë të kundërtën. Sipas deputetit socialist, Erjon Braçe nuk mund të jetë qeveria ajo që do të përcaktojë çmimin e tokës nga njëra anë kur duhet që nga ana tjetër të kompensojë financiarisht pronarët. Nga ana tjetër, ndryshimet ligjore u cilësuan të rëndësishme nga mazhoranca, pasi sipas tyre në këtë mënyrë do të ketë një hartë më të mirë të vlerës së tokës duke iu shmangur vlerave që nuk bazohen me çmimet e tregut. Kësaj i mëshoi edhe kreu i AKKP-së Elvis Çefa disa javë më parë, pasi sipas tij, ka zona të caktuara ku vlera e tokës nuk përputhet fare me çmimet e tregut.

Në thelb, ligji parashikon rishikimin e çmimit të pronës në të gjithë vendin, duke krijuar një hartë të re çmimesh. Institucioni që do ta bëjë është qeveria tashmë dhe jo Kuvendi. Ndryshimet ligjore parashikojnë futjen një kriteri të ri siç është qëllimi i përdorimit të pronës apo lloji i pasurisë krahas çmimit të tregut. Aktualisht për përcaktimin e vlerës së një pronës ekziston një metodologji e posaçme e miratuara nga Kuvendi mbi bazën e të cilës është bërë edhe harta e vlerës së pronës, por tashmë metodologjia do të përcaktohet nga qeveria. Vlerësimi i pronës që kompensohet do të kryhet në përputhje me parimet e përgjithshme të vlerësimit të pasurive të paluajtshme, bazuar në vlerën e tregut sipas standardeve ndërkombëtare të vlerësimit të pasurisë së paluajtshme, llojin e pasurisë dhe qëllimin e përdorimit të saj. Vlerësimi i pasurive të paluajtshme sipas kësaj metodike do të kryhet bazuar në elementet e mëposhtme: çmimin e tregut; llojin e pasurisë së paluajtshme; qëllimin e përdorimit të pasurisë së paluajtshme, – parashikohet në projektligj.

Efekti

Dëmshpërblimi i pronarëve për pronat e sekuestruara po realizohet nëpërmjet kompensimit financiar të tokës dhe kthimit fizik të saj. Pikërisht këtu qëndron edhe pika e dobët e këtyre ndryshimeve, në kushtet kur përcaktimi i vlerës së tokës do të jetë në dorë të qeverisë. Tashmë jemi në fazën kur ka mbaruar faza e përllogaritjes së vlerës së parave që do të marrë çdo pronar. Këta të fundit hedhin dyshime të thella mbi faktin se qeveria po ndërmerr ndryshime të tilla për të ulur çmimin e tokës, rrjedhimisht edhe masën e kompensimit duke e sjellë atë në vlera të përballueshme edhe nga buxheti i shtetit. Për sa i përket kompensimit fizik, tashmë qeveria ka shumë pak sipërfaqe toke për ta përdorur për këtë qëllim. Në këto kushte, rritja e çmimit të atyre sipërfaqeve që do të përdoren për qëllim kompensimi është një zgjidhje tjetër, ku pronarët do të marrin më pak hapësira por me një vlerë më të lartë. Në këtë mënyrë, qeveria mbyll ligjërisht të gjithë procesin e kthimit dhe kompensimit të pronës.

Pronarët: Ligji ul vlerën e pronës

Rivlerësimi i çmimit të pronës shihet me dyshime të thella nga pronarët, të cilët pretendojnë se një masë e tillë merret nga qeveria me një qëllim të vetëm: uljen e vlerës së pronës për qëllim kompensimi duke ulur automatikisht përfitimet e tyre. Sipas tyre, ndryshimet bëhen nga qeveria pas raportit të Bankës Botërore, në të cilin parashikohej se kompensimi i pronës duhet të bëhet duke u bazuar mbi çmime të përballueshme nga buxheti i shtetit

BB: Kompensimi, brenda mundësive të buxhetit

Duke pasur parasysh se pronat shtetërore që janë të disponueshme për tu përdorur për kthimin fizik të pronave janë shumë të kufizuara, është e nevojshme që kompensimi financiar të jetë një pjesë kyçe për zgjidhjen e problemit. Në të njëjtën kohë, është shumë e rëndësishme që të vlerësohet me kujdes ndikimi fiskal, ekonomik dhe në kapital i skemës së kompensimit për tu siguruar që shteti mund ta përballojë brenda limiteve të buxhetit, nuk do të pakësojë burimet për shpenzimet sociale prioritare dhe do të kryhet brenda një afati kohor të arsyeshëm

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›