E Shtunë, 31 Tetor 2026

Çmitizimi i Stalingradit

04-08-2012 / Nga Kostaq Xoxa

Disa vite më parë m’u dha të përktheja nga Sh.B. “55” një libër i historianit rumun Nikola Baciu, me një titull që bënte fjalë për tradhtinë e presidentit amerikan Ruzvelt, ndaj fateve të demokracisë, në përfitim të Stalinit. Autori ishte nga të parët që ia arriti të shihte dokumentet e deklasifikuara, sipas afateve kohore. Ajo që më bëri përshtypje, gjatë përkthimit, ishte shtjellimi i hollësishëm i veprimtarisë së spiunit Rikard Sorge, i cili kishte krijuar lidhje me disa të pabesë të familjes perandorake japoneze. Sorge kishte siguruar Stalinin se Japonia nuk do të mësynte në Lindjen e Largët.. Kështu, Stalinit iu dha mundësia që të tërhiqte të gjithë trupat sovjetike që ishin inertë në atë Front. Këta trupa që iu shtuan mbrojtjes së Stalingradit dhe të Moskës, i dhanë oksigjen kapitullimit të afërt sovjetik, që do të kishte ndryshuar fatet e Luftës II Botërore.
Në një bisedë miqsh në kafe, studiuesi Fatmir Meçule më tha se kishte bërë një shkrim, në të cilin përmendej ky fakt. Gjendja në front do të ishte krejt ndryshe, në mungesë të trupave të freskët nga ballafaqimi hipotetik me trupat  japonezë. Dokumentet që parashtron Baciu, në librin e tij, janë bindëse. Por historiografët e kampit socialist nuk e përmendnin fare këtë episod historik me rëndësi vendimtare. Baciu është i rreptë edhe ndaj Çërçillit, i cili ishte edhe ai lëshues, duke u ndikuar nga Ruzvelti. Shtojmë se ky historian zbërthen imtësisht edhe spiunllëqet e Kim Filbit në favor të E. Hoxhës, kundër veprimtarisë së desantëve ndaj vendit tonë. Historiografia e indoktrinuar, që i ka vënë pikat mbi “i”, në hapësirën euroatlantike, ka mbetur ende një histori nostalgjike në Shqipëri.. Megjithatë po orvatet të na bëjë diktat, me rastin e festimit të 100-vjetorit të Pavarësisë. Duke lexuar shkrimin e F. Meçules , m’u duk tepër interesant dhe i kërkova leje të botohej në “Letrat” tona. Me gjithë qejf – qé përgjigjja .
Kostaq Xoxa

Gjenerali Vllasov

Nga Fatmir Meçule

“Pas fitores mbi Rusinë, do të ishte më mirë të ngarkonim Stalinin ta drejtoje vendin, kuptohet, nën hegjemoninw gjermane. Ai mund te beje me ruset me mire se cilido tjeter…” .(V.Bershkov pwrkthyesi i Stalinit, fq .63 ). Por për cilën Rusi bën fjalë Hitleri? Për Rusinë e hapësirave të Perandorisë cariste apo për Rusinë e vogël të Ivanit të Tmerrshëm? Duke parë në televizionin rus një seri dokumentarësh, për Luftën e Dytë Botërore, më bëri përshtypje gjyqi kundër gjeneralit Vllasov dhe bashkëpunëtorëve të tij. (Në fund të luftës, Vllasovi, së bashku me bashkëpunëtorët, u largua nga rezidenca e tij pranë Berlinit dhe iu dorëzua anglezëve të cilët, sipas kërkesës urgjente të Stalinit, e nisën drejt e në Moskë) Në gjyq, Vllasovi dhe bashkëpunëtorët e tij u akuzuan për tradhti të lartë dhe u dënuan me vdekje, në litar.  Televizioni rus paraqiste të filmuar gjyqin dhe çastet e ekzekutimit. Në dokumentar jepeshin gjithashtu sekuenca filmike mbi pritjen që iu bë këtij gjenerali dhe ushtarëve të tij nga popullatat ruse, ukrainase, kozake, etj, që ishin nën okupacionin gjerman, gjatë vitit 1943. Në fillim ngela i shokuar nga pamjet filmike dhe mendova se mos ishin truke të kinematografisë. Por, duke parë objektet e fshatrave dhe qytetet e asaj kohe, si dhe gjurmët e luftimeve, e besova që ky filmim, i marrë nga arkivat gjermane, ishte i vërtetë. Për t’u sqaruar më tepër mbi ngjarjet e luftës në B.S. iu referova brenda mundësive literaturës perëndimore, sidomos ato që kanë lidhje me këtë hero, gjeneralin Vllasov.
Fillimisht iu referova librit “Zukov-Mareschiallo d’aciaio”, me autor Michel Tonsky-n, ku ka dy pasazhe interesante mbi luftën në B.S. E para: Beteja e Moskës. Tashmë dihet roli që ka luajtur spiuni sovjetik Rikard Sorge, i cili i siguroi Stalinit informarmacione tepër të rëndësishme, sipas të cilave Japonia nuk kishte objektiv sulmi BS, por Amerikën. Në bazë të këtij informacioni, Stalini urdhëroi shpërnguljen e një milion ushtarëve nga fronti i Lindjes në Perëndim, mbasi gjendja pranë Moskës ishte keqësuar tepër dhe rrezikohej humbja e luftës. Këto forca erdhën në çastin më të volitshëm, në prag të Betejës së Moskës. Mbasi bënë parakalimin tradicional më 8 nëntor 1941, këta trupa të ardhur nga Lindja e Largët u drejtuan për në front. Ky përforcim me trupa të freskët ndryshoi raportin e forcave në terren, në favor të ushtrisë së kuqe, gjë që pati si pasojë disfatën e gjermanëve.
Me interes është në përshkrimin e hollësishëm të kësaj beteje, roli i rëndësishëm i dy figurave, dy gjeneralëve, të cilët ishin shokë të ngushtë: gjeneralit Zhukov si komandant i frontit dhe gjeneralit Vllasov, si një nga komandantët më të aftë të Ushtrisë së Kuqe i cili, me armatën e tij, arriti të çajë vijën e frontit të gjermanëve, duke krijuar një atmosferë optimiste tek Ushtria e Kuqe.
Historiografia sovjetike dhe kujtimet e gjeneralëve të saj mbi Luftën e Dytë Botërore, nuk e përmend ose e anashkalon meritën e gjeneralit Vllasov në Betejën e Moskë. Ne vitin 1942, gjendja  e krijuar në Leningradin e rrethuar, në vitin 1942, ishte tepër e rëndë. Stalini urdhëroi gjeneralin Vllasov që të çante rrethimin me Armatën e tij. Por tashmë raporti i forcave në frontin e Leningradit ishte në favor të gjermanëve. E gjithë Armata e komanduar nga gjenerali Vllasov, u shpartallua. Vetë Vllasovi ngeli i plagosur dhe i braktisur nga shtabi i tij. Atij, mbasi u end për ditë të tëra nëpër pyjet e kënetat e rajonit, i ra të fikët dhe u gjend pa ndjenja nga një skuadër gjermane, e cila e çoi në komandën e saj. Mbasi e shëruan, atë e dërguan urgjentisht në Berlin.
E dyta: Gjatë ofensivës në jug të Rusisë, me objektiv Stalingradin, në pranverë-verën e vitit 1942, të grup-armatave gjermane të komanduara nga feldmareshali Mainshtain, ushtria gjermane përparoi shpejt, duke hasur një mbrojtje të dobët nga ana e ushtrisë së kuqe. Dorëzimi thuajse pa luftë i qyteteve Rostov mbi Don dhe Novoçarkorsk, si qytete tepër të fortifikuara dhe strategjike, e alarmoi Moskën. Me nismën e vet, Mareshalli Mainshtain urdhëroi shpërndarjen e sovkozeve dhe kolkozeve, si dhe dhënien e tapive fshatarëve. Ky veprim entuziazmoi popullatën e zonave të Donit dhe të Kaukazit të Veriut (gjermanët arritën deri sa të ngrenë flamurin me kryq të thyer në Elbrus, maja më e lartë e Kaukazit). Populli përshëndeste ushtrinë gjermane, ndërsa priftërinjtë bekonin tanket gjermane, që po e shpëtonin Rusinë nga Satanai (Stalini). Ky veprim i zgjuar politik krijoi panik të jashtëzakonshëm në Moskë. Me urdhër të Stalinit, u përforcuan batalionet famëkeqe ndëshkimore të prapavijes (SMERSH) dhe u dha urdhër të pushkatohej çdo ushtar ose oficer, që tërhiqej nga Fronti ose që kishte mundur t’i shpëtonte rrethimit gjerman, të pushkatohej në vend. Çdo civil që kalonte vijën e frontit, me dyshimin si dezertor, ekzekutohej. Këto masa drastike merreshin nga frika e përhapjes së virusit kundërsovjetik të kthimit të fshatarëve në pronarë.
Por le t’i kthehemi aktivitetit të gjeneralit Vllasov. Mbasi u dërgua në Berlin, ai pranoi të bashkëpunonte me gjermanët për disa arsye: Se ishte zhgënjyer nga ideologjia bolshevike, pasi familja e tij fshatare ishte keqtrajtuar gjatë fushatës së kolektivizimit; ishte zhgënjyer édhe nga dënimi i shumë kuadrove të ushtrisë në vitin 1937, midis të cilëve kishte shumë shokë, gjë që e mbushi me urrejtje ndaj Stalinit. Ai, gjithashtu, u ndikua édhe  nga propaganda gjermane për ta çliruar Rusinë nga bolshevizmi.
Gjatë pranverës dhe verës së vitit 1943, duket se ai u ngrit në rangun e drejtuesit të një qeverie ruse në hije. Letra e hapur e 3 marsit 1943 ishte një nga sulmet më të rënda kundër Stalinit, vrasësit të miliona rusëve. Në atë letër ai bënte thirrje për një luftë të re, që do të krijonte një Rusi të re, për një bashkim-vëllazërim me popujt e Europës dhe për një miqësi të përjetshme me popullin e madh gjerman. Kjo thirrje pati jehonë të madhe, si në zonat e pushtuara nga gjermanët, ashtu dhe në ato të kontrolluara nga sovjetwt. Prandaj vizita e tij në zonat e çliruara, u shoqërua me manifestime të fuqishme të hareshme , gjatë të cilave njerëzit i puthnin duart, pamje të cilat u panë  në televizionet ruse, ku jepeshin sekuenca nga keto manifestime.
Por Hitleri dhe Himleri urdhëruan që Vllasovi t’i ndërpriste këto manifestime dhe të kthehej në Berlin.  Hitleri deklaronte se nuk dëshironte të krijonte një Perandori ruse me një  Car si Vllasovi (apo si Stalinin, sipas përkthyesit të Stalinit, V. Bereshkov) që të kishte miqësi me Gjermaninë, mbasi kjo Perandori me rezerva të mëdha natyrore dhe popullsi shumë të madhe, të nesërmen mund të bëhej shumë e rrezikshme për gjermanët. Hitleri kishte në plan, që, pas disfatës së Ushtrisë së Kuqe, të krijonte një Rusi të vogël në territoret e Rusisë të Ivanit të Tmerrshëm. Kjo Rusi do të rrethohej nga shtete të pavarura, të cilat do të kishin lidhje të ngushta me Gjermaninë. Këto shtete do të ishin: Ukraina, Bjellorusia, Vendet Balltike, Finlanda me rrethinat e Leningradit, shteti i Kozakëve të Donit, Kaukazi, etj.
Megjithatë, për çudi, përgatitjet për formimin e një ushtrie nacionale ruse vazhduan në gjysmë ilegalitet, ndërsa Hitleri bënte një sy qorr. Përqark rezidencës së Vllasovit në Berlin-Dahlen dhe përreth kampit Dobendorft u krijua një qendër për organizimin e kësaj ushtrie. Aty ishin grumbulluar, përveç kuadrove të Ushtrisë së Kuqe, të zënë rob, edhe kuadro nga shtresat e rusëve të bardhë dhe konkretisht: Shilenkov (komisar gruparmate i Ushtrisë së Kuqe), Zhukov (komisar gruparmate dhe bashkëpuntor i vjetër i Buharinit, kolonieli Makendrov, koloneli Malzev dhe qindra oficerë të Ushtrisë së Kuqe që pranuan të bashkëpunojnë me gjermanët. Nga kampi i rusëve të bardhë ishin: gjenerali Krasnov, Skurov dhe shume oficerë të ish-armatave të Kollçakut dhe të Denikinit.
Në nëntor 1944, më në fund, Hitleri dha urdhër për krijimin e “Ushtrisë çlirimtare ruse”, që kishte në flamurin bardhë e blu, kryqin e Shën Andresë. Nga statistikat që kanë dalë në dritë për këtë ushtri, në nëntor-dhjetor 1944 ajo numëronte një milion ushtarë. Analistët mendojnë se, sikur Hitleri ta kishte bërë miratimin e kësaj ushtrie në vitin 1942-43, ose të paktën në fillim të vitit 1944, kur një pjesë e Rusisë ishte akoma nën okupimin gjerman, ushtria çlirimtare ruse, nën komandën e gjeneralit Vllasov, do të kishte arritur në disa miliona ushtarë, gjë që mund të çonte në disfatë Ushtrisë e Kuqe. Shtojmë se, sipas Krushovit (në bisedë me Gjillasin, prill 1945), kur Ushtria e Kuqe pushtoi Ukrainën, mbas tërheqjes së ushtrisë gjermane, Ushtria e Kuqe mobilizoi me dhunë rreth 2.5 milion ushtarë në Ukrainë, të cilët fare mirë, në vitin 1943, do të ishin kontigjent i ushtrisë çlirimtare ruse, të komanduar nga gjenerali Vllasov.
Por dështimi dhe tragjedia që pësoi gjenerali Vllasov me ushtrinë e tij treguan për shumë gjermanë dhe rusë se lufta kundër Rusisë, megjithatë, kishte qenë një luftë çlirimtare e destinuar të dështonte, për të vetmen arsye se Hitleri, pavarsisht gjithë përvojave të kaluara, këmbëngulte në një koncept që kishte si premisë të domosdoshme gjenocidin, si  zgjidhje përfundimtare.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›