E Shtunë, 31 Tetor 2026

Komenit/Ditëzinjtë e Edvinit, në kërkim të justifikimeve për mos votimin e 6 gushtit

04-08-2012 / Gazeta 55

Për të thënë të pavërteta të mëdha sikur të ishin të vërteta ashiqare duhet të kesh një moral të zhdërvjellët dhe një karakter të pazakontë. Edhe deklarata e djeshme e deputetit të Ditmir Bushatit hyn në kategorinë e pavërtetave të mëdha të shqiptuara prej politikanëve pa cipë morale. Fjalia është kjo, “Ne socialistët jemi nismëtarët për kufizimin e imunitetit parlamentar”.
Se si mund të thuash që PS-ja është iniciatore e kufizimit të imunitetit parlamentar kur e kundërta është e vërteta, këtë vetëm deputeti Bushati mund ta dijë.
Gazetarët dhe analistët e medias së shkruar dhe asaj elektronike kanë në arkivat e tyre  të shënuara momente e debate parlamentare për heqjen e imunitetit. Ndaj historiku i përpjekjeve për të hequr imunitetin për parlamentarët, gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë njeh si akt të parë dhjetorin e vitit 2003 dhe janarin e 2004, kur shefi i opozitës së atëhershme, Sali Berisha propozoi një draft-ligj për të zhveshur deputetët nga mburoja parlamentare. Në atë periudhë PS-ja, që kishte mazhorancën qeverisëse, nuk e pranoi duke thënë se është herët për të bërë ndryshime Kushtetuese. Po kështu, në 2006 dhe në 2007 kemi pasur një iniciativë politike për heqjen imunitetit, ku PD-ja mori modelin e Bundestagut gjerman, në të cilën trupa parlamentare e këtij vendi në çdo fillim legjislature dorëzon vullnetarisht imunitetin nëse ka akuza për shpërdorim detyre apo korrupsionin, etj. vepra të kësaj natyre.
Propozimi i PD-së mbështetej në nenin 67 të ligjit themeltar të shtetit gjerman dhe në nenin 107 të rregullores së Bundestagut gjerman. Dhe kjo iniciativë u realitivizua prej PS-së.
Ndërsa edhe më pas Komisionet e kuvendit e kanë marrë në diskutim në 2009 dhe 2011 çështjen e heqjes së imunitetit së bashku me ekspertizën ndërkombëtare me tryezat që janë organizuara nga komisioni i Venecias apo me sugjerimet e misioneve këshilluese për drejtësinë “Paca” dhe “Euralius”  ku janë hedhur vështrime të gjithanshme. Padyshim rekomandimet e Bashkimit Europian dhe këshillit të Europës përqendroheshin në dy kërkesa themelore, së pari në reduktimin e listës së zyrtarëve me Imunitet dhe së dyti  kufizim të formulës së imunitetit për gjyqtarët dhe zyrtarët e lartë.
Në thelb të rekomandimeve të BE-së ishte ideja se imuniteti duhet të jetë profesional, pra, një imunitet zyrtar për papërgjegjshmërinë në kryerjen e detyrës funksionale i atij që është zgjedhur dhe jo si sot ku imuniteti është i përgjithshëm ndaj çdo komuniteti (deputetë, avokat i popullit, KLSH, gjyqtarë e zyrtarë të lartë).
Sigurisht tentativat e PD-së kanë vazhduar në kohë, por ka gjetur gjithmonë një qëndrim refraktar dhe bllokues të PS-së, qoftë kur ajo ishte në qeveri po ashtu sot në opozitë.
Ndërkohë Ditmir Bushati nuk u mjaftua të thoshte një të pavërtetë. Ai deklaroi se dhe data 6 gusht nuk është përcaktuar as nga ndërkombëtarët dhe nuk ka as konsensusin e PS, duke konfirmuar edhe njëherë se të majtët nuk do ta votojnë. Por 6 Gushti është një datë e caktuar në Konferencën e Kryetarëve dhe në të njëjtën kohë i është bërë e ditur seancës plenare të datës 12 Korrik, të cilën asnjë deputet nga opozita nuk e kundërshtoi. Më 6 Gusht do të jetë seanca plenare e diskutimit dhe e votimit për ndryshimet kushtetuese për heqjen e imunitetit.
Partia Socialiste ka deklaruar në mediat se do të jetë në parlament ditën e henë, por nuk do ta votojë draftin e përbashkët pasi kanë “kërkesa” të reja. Por amendamentet Kushtetuese të miratuara së bashku ne këshillin e Legjislacionit kanë sens të votohen ditën e hënë, në mënyrë që të sjellë dhe efektin e përmbushjes së njërit prej 12 rekomandimeve e për pasojë dhe marrjen e statusit të vendit kandidat për në BE.
Nëse nuk realizohet votimi në këtë datë, atëherë procedura duhet filluar nga e para, që minimalisht e shtyn çështjen jo më afër se muaji tetor.
Nëse në datën 6 votohet amendamenti por nuk merr 94 vota, atëherë kjo çështje mund të shtrohet për votim vetëm pas një viti. E nëse partia Socialiste këmbëngul që votimi i imunitetit të bëhet me votimin e çështjeve të tjera kushtetuese (emërimi i Gjyqtarëve të Gjykatës së Lartë dhe asaj Kushtetuese, si dhe Kryeprokurorin e Republikës me një “pazar” politik, pra, kthimin në situatën bllokuese të 85 votave) , atëherë kjo do të thotë që ai kërkon të bëhet një Kushtetutë e re. Të tre këto variante kanë një gjë të përbashkët: vjeshta e  këtij viti e gjen Shqipërinë me një reformë kushtetuese të pa realizuar, dhe me shumë gjasë edhe me refuzim të statusit të vendit kandidat.
Sido që të përfundojë kjo luftë nervash e “kleçkash” që po bën partia Socialiste gjithçka merr kuptim në papërgjegjshmërinë që liderishipit i saj politik ushtron ndaj reformave integruese. Interesat elektoralë të opozitës shikojnë stacionin e fundit të aventurës Rama në krye të PS-së.
Kjo sipërmarrje bllokuese e opozitës socialiste po shikohet nga sytë e qytetarëve dhe nuk do të vonojë dita kur ata do të peshojnë qëndrimet e veprimet e atyre që sekuestrojnë të ardhmen e fëmijëve të tyre.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›